Kryefaqja / OPINION / Skenari ukrainas për ndarjen e Kosovës!

Skenari ukrainas për ndarjen e Kosovës!

Enver Bytyçi

Në shkurt – mars të vitit 2014 Ukraina u përfshi në trazira të mëdha, të cilat përfunduan me aneksimin nga ana e Rusisë të Krimesë dhe krijimin e tensioneve që ende vazhdojnë në Ukrainën Lindore të banuar nga rusët. Aso kohe, pra katër vjet më parë, në Ukrainë u përsërit skenari gjeorgjian, kur Rusia aneksoi territoret e Abkazisë dhe Osetisë së Jugut.

Informacionet që mbërritën këto dy ditë për ngjarjet e pardjeshme në Mitrovicën e Veriut më çojnë në përfundimin se u luajt i njëjti skenar si në Ukrainë, kur trupat speciale të Kosovës arrestuan Marco Gjuriç. Loja e së hënës në Mitrovicë ishte e përgatitur me të njëjtin skenar si dhe zhvillimi i ngjarjeve në Gjeorgji 2008) dhe në Ukrainë (2014). Ndryshimi qëndron vetëm në faktin se Kosova nuk është Ukrainë dhe Serbia nuk është Rusi. Të dyja këto shtete, Kosova dhe Serbia, janë vende të rrethuara nga vende anëtare të NATO-s dhe BE-së, ndërkohë që Ukraina dhe Gjeorgjia janë të zbuluara në këtë pikëpamje. Por dhe potencialet e Kosovës dhe Serbisë janë minimale në krahasim me ato të Rusisë e madje të Ukrainës. Ndërkaq janë të ndryshëm dhe emrat e skenaristëve dhe aktorëve të këtyre ngjarjeve.

Megjithatë metafora e krahasueshmërisë është thuajse identike. Le t’i analizojmë në krahasueshmëri këto ngjarje:

1 Skenaristët dhe aktorët kryesorë të ngjarjeve në Ukrainë ishin Presidenti rus, Vladimir Putin dhe presidenti ukrainas, Viktor Janukoviç. Të tillët në ngjarjen e së hënës në veri të Mitrovicës ishin presidenti serb, Aleksandër Vuçiç dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Në prapaskenë me rol të spikatur qëndron dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

2 Qëllimi është gjithashtu i njëjtë: Në Ukrainë për të krijuar rrethanat e volitshme për aneksimin e Krimesë, në Kosovë krijimi i të tilla rrethanave për të ndarë veriun nga Kosova dhe për ta shty atë nën sovranitetin serb. Në Ukrainë procesi u realizua me një ndërhyrje rrufe, në veriun e Kosovës synohet që ky synim të realizohet si proces.

3 Krimeja në kushtet e krizës zhvilloi një referendum të njëanshëm dhe shprehu vullnetin e saj për t’iu bashkuar Rusisë. Përfaqësuesit e komunave serbe u mblodhën sot në Mitrovicën e Veriut dhe shpallën krijimin e Asosacionit të këtyre komunave, po në mënyrë të njëanshme.

4 Në Krime referendumi u realizua në kundërshtim me kushtetutën ukrainase dhe marrëveshjen e nënshkruar në Minsk të Bjellorusisë më 1996 midis krerëve të shteteve SHBA-Britani e Madhe-Rusi-Ukrainë. Në Veri të Mitrovicës u shpall krijimi i Asosacionit në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës dhe me projektin ndërkombëtar Ahtisaari, mbi bazën e të cilit është formësuar pavarësia dhe kushtetutshmëria e vendit.

5 Janukoviç në Ukrainë në kulmin e krizës fliste në telefon me Vladimir Putin, Hashim Thaçi në Prishtinë po në kulmin e krizës flet në telefon me Aleksandër Vuçiç. Nuk dihet nëse në përfundim Thaçi do të arratiset për në Serbi, si Janukoviç në Rusi, apo jo!

6 Aso kohe baronesha Eshton fluturoi menjëherë në Kiev dhe në Moskë, njëjtë po nga Brukseli komsomolsja Mogherini fluturoi me shpejtësi në Beograd.

Mund të sjellim dhjetëra ngjashmëri, të cilat nuk besoj se ia vlen për lexuesin. Prandaj dua që më poshtë të rendis disa përfundime në formën e një skeme logjike, e cila druaj se funksionon në marrëdhëniet tripalëshe midis presidentit serb, kryeministrit shqiptar dhe presidentit kosovar. Cilat janë këto?

1 Projekti është ndarja e Kosovës. Ky projekt është hartuar në Beograd dhe miratuar nga Edi Rama dhe Hashim Thaçi.

2 Këta të tre, dy presidentët dhe kryeministri i Shqipërisë janë vetëngarkuar për ta realizuar këtë projekt. Kanë vënë në lëvizje gjithashtu aktorë të tjerë, ndër të cilët Ivica Daçiç, akademikët Qosiç dhe Qosja, poltikanët ekstremistë si Albin Kurti, këshilltarë si Baton Haxhiu e të tjerë.

3 Qëllimi i projektit i shpallur publikisht është: “Jo njëra palë t’i fitojë të gjitha dhe tjetra t’i humbasë të gjitha”. Kjo përkthehet në një “kompromis” për ndarjen e territorit të Kosovës. Dhe ky është qëllimi i thënë e stërthënë si nëpër dhëmbë!

4 Metoda: Në rastin e Mitrovicës do të përdoren mjete të buta shoqëruar me provokime të natyrës së pardjeshme. Pardje u arrestua Gjuriç, por jo dhe shoqëruesi i tij e këshilltar i Vuçiç , Nikolla Selakoviç. Ky i fundit u la i lirë, edhe pse njësoj si Gjuriç hyri ilegalisht në Kosovë. Mjafton ky fakt për të provuar logjikën e skenarizimit të ngjarjeve të së hënës nga dy presidentët, Vuçiç dhe Thaçi. Por ka dhe një të dhënë tjetër: Thaçi udhëhoqi “operacionin”, duke mënjanuar plotësisht Haradinajn, edhe pse ky i fundit është përgjegjësi kryesor për sigurinë në Kosovë. Që do të thotë, seleksionimi i goditjes është urdhëruar nga presidenti i Kosovës në ujdi me presidentin e Serbisë!

5 Taktikisht provokimet janë planifikuar të jenë verbale. Njëri nisë trenin nga Beogradi e tjetri çon forcat special për të mos “lejuar” trenin të futet në Kosovë. Në rastin e fundit Vuçiç kërcënoi që të premten e kaluar se Gjuriç do të hynte me forcë në Kosovë, ndërsa Thaçi dërgoi përsëri forcat e ndërhyrjes së shpejtë ROSU për të arrestuar viktimën e dy presidentëve me emrin Gjuriç. Madje veprimet u bënë me një shou mediatik, sipas një skenari të përgatitur nga Edi Ramma, ose këshilltari i tij, Baton Haxhiu. Thaçi vështirë se merr vesh nga skenarë të tillë.

6 Impakti: Forcohen pozitat në publik të të dy presidentëve. Përulen kryeneqët, përfshirë dhe Ramush Haradinajn dhe kërcënohen ata me largime nga posti që kanë. Ndërkohë i hapet rrugë veprimeve të njëanshme për krijimin e asosacionit të komunave serbe. Kur të bëhet kjo fakt i kryer shoqëria kosovare do të militantizohet sipas kampeve politike dhe diskutimi, si në rastin e Demarkacionit, nuk do të jetë qytetar e civil, pra logjik dhe i argumentuar, por thjesht militantesk dhe politik. Në këtë rast pala më e fuqishme merr vendimin për ratifikimin e Asosacionit. Nëse Asosacioni ngec, atëherë krijohen kushte që Beogradi ta bindë komunitetin ndërkombëtar që të lejojë diskutimin mes palëve për ndarjen e Kosovës. Thaçi si kryenegociator do ta pranojë dhe në kushtet e politizimit të shoqërisë do të manipulojë për ratifikimin e marrëveshjes në Kuvendin e Kosovës. Impakt tjetër do të jetë krijimi i kushteve që Rusia të bëhet pjesë e bisedimeve për “normalizimin” e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.

I përmenda të gjitha këto thjesht për të paralajmëruar politikën dhe opinionin publik në Shqipëri, në Kosovë e kudo ku jetojnë shqiptarët: – Vetëm bashkimi i të gjitha forcave politike dhe krijimi i një konsensusi në vendimmarrje, mund ta ndalojë projektin e ndarjes ose bosnjëzimit të Kosovës, mund ta ndalojë njëkohësisht aventurën e Hashim Thaçit, Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiç për tjetërsimin e integritetit territorial të Kosovës dhe ruajtjen e shtetit qytetar e unitar të saj. Nëse logoja me kater C e Asosacionit të komunave serbe shpallë sloganin “Vetëm Uniteti Shpëton Serbët”, duhet ditur se e njëjta vlen edhe për shqiptarët!

Check Also

Greqia braktis në heshtje bisedimet me Shqipërinë, pritet vetoja greke në qershor

Nga Arben Llalla Në fund të muajt mars, Greqia braktisi në heshtje bisedimet me Shqipërinë …

Leave a Reply