Kryefaqja / KULTURË / TRASHËGIMTARËT E BOZOVCËS KREMTOJNË FESTËN ME RITE QË NGA PAGAZNIZMI

TRASHËGIMTARËT E BOZOVCËS KREMTOJNË FESTËN ME RITE QË NGA PAGAZNIZMI

Shkruan:Edibe Selimi-Osmani

Manifestimi Tradicional ”Karnavalet Ilire” 2018

në Bozovcë të Tetovës

Lumët ne të lumët, xhi na duël vera,

Dë na dalin noset ,me lule me tela,

Dë na dalin caocat me shervete t’zeza,

Dë na mbushet beshka me dhen e me shqera,

Dë na dalin gjemt e ri me mitana t’zi,

Rekzinat e zeza ndortat di e di

“Lirika popullore në trevat e Tetovës dhe të Gostivarit” II, E.Selimi- Osmani

Fosile pagane që dëshmojnë autoktoninë e shqiptarëve në trojet ku jetojmë me shekuj.

Karnevalet ilire të Bozovcës, zgjojnë interesim ndër studiuesit etnograf. Ritet e kësaj feste janë të karakterit pagan,shumë të lashta,pra parakrishtere.

Mitologjia shqiptare, së cilës i duhen shtruar shtresimet e më vona të feve (krishterë-ortodokse e islame) , ruan gjurmët e lashta të besimit popullor pagan. Sidomos nën ndikimin e fesë monoteiste , e cila merte në mënyrë të vazhdueshme masa të ashpra kundër të gjitha manifestimeve pagane në gjirin e popullit,kështu që malësia e Sharrit si që është rasti në fshatin Bozovcë, ata nuk përkonin me predikimin monoteist edhepse ritet dhe këngët e motmotit pësuan ndryshime,megjithatë të rijtë e Bozovcës për nder të Ditës së Verës vazhduan me vite të organizojnë karnavale dhe ceremoni rituale ku sheshazi shihet ndërlidhja e besimit popullor me natyrën, me të cilën ishin të lidhur jetësisht si në punë ashtu edhe në besimin e fenomeneve të saj, të cilave iu drejtoheshin me lutje, flijime, e ceremoni rituale për një plleshmëri më të madhe të vetë tokës, të shëndetit njerëzor dhe të ruajtjes nga dëmet që i sillnin fenomenet e saj.

Kemi të bëjmë me një traditë shumë të lashtë.

Gjatë ekspeditave të bëra nëpër fshatra protagonistët apo përshëndetësit këmbëmbarë,me veprime të ndryshme magjike janë maskuar,meshkujt veshin ndonjë pjesë të veshjes kombëtare të femrave:mbi rrobat, veshin gëzofë të gjatë deri në fund të këmbëve, në kokë mbështillen me shamia dhe mbi shamia ndonjëri që të duke më qesharak, vë kësulë e përlyhet në fytyrë me ngjyrë të zezë që të mos njihet.

Ka raste kur vajzat vishen ndonjëra me tirqi ose me ndonjë gëzof të keq e të grisur,ndërsa kokën e mbulojnë me shamia. Në shëtitje dalin së bashku djem e vajza të moshave të ndryshme . Si përshëndetës këmbëmbarë ata kanë si zakonisht një udhëheqës të grupit të tyre, kryeplakun, i maskuar,ai qëndron i hypur në gomar. Këngët janë të shumta që i dedikohen kryesisht kësaj feste, veçuam një ndër ata:

Era mori era,

Qe na erdh Dit’Vera,

Dit’Vera te dera,

Me dhen e me shqera…

Në origjinë këto vizitorë këmbëmbarë, paralajmërojnë ardhjen e stinës duke uruar çdo familje, paraqesin gjurmë të një besimi të lashtë që të shpie në thellësi deri në shtresimet arkaike paleoballkanike e që kan të bëjë me kultin e pjellorisë së tokës,përkatësisht të bujqësisë të ndërlidhura me kultin e drurit.

Sipas Mark Tirtës, nga vetë përmbajtja dhe format në të cilat na paraqitet në zakonet shqiptare, duhet mendur se këtu kemi të bëjmë me një hyjni bari që vjen për të sjellë fatbardhësi e pjellori në gjë të gjallë , në bujqësi e në njerëz.

Janë të gjitha bazat për të menduar se këtu kemi të bëjmë me një hyjni të lashtë ballkanase, ndoshta me Silvanin ilir, ndoshta me Panin, që na paraqitet si bari hyjnor, me këmbë me bisht e me birë dhie. Sipas dëshmive të autorëve të lashtësisë, Pani në Iliri, sidomos në Epir,ka pasur një kult të zhvilluar.

Në mitologjinë e popujve me kulturë të lashtë, e posaçërisht, në atë indoevropiane, Toka simbolizon hyjninë e gjinisë femërore me aftësi të ripërtëritjes së jetës. Nga ajo lindi bota e gjallë dhe asaj duhet t’i kthehet e vdekur, për t’u ringjallur përsëri.

Por sot, gjurmët e riteve të motmotit, të cilat ruhen si relikte të një religjioni të lashtë popullorë, me të ardhur të sharrjanëve në rrafsh, pothuajse nuk ndiqen më. Ceremonitë me rastin e Ditës së Verës, në familjet e imigruara qëndrojnë vetëm në kujtesë të brezit të shtyrë në moshë.

Është më se e domosdoshme që sa më parë disa festave kalendarike t’u krijohet një fushë veprimi i favorshëm për t’u gjallëruar si që është rasti i të rijve të Bozovcës,ku duhet stimuluar si pjesë e argëtimit dhe e mbushjes së kohës së lirë të popullsisë së fshatit apo qytetit. Me qëllim që festat kalendarike, me funksionin argëtuese e zbavitës të tyre të rifuten edhe një herë në jetën e popullit. Ata me kujdesin më të madh duhet të njihen mirë e të propagandohen nga etnologët,natyrisht është e domosdoshme të jenë specialistë shqiptarë që do të merren me këtë temë, duke u mbështetur në njohje më të thellë të materialit etnologjik, artistik dhe historik shqiptar.

8.03.2018

Tetovë

Check Also

EDHE PERËNDIA TË DËNON KUR TRADHËTOHET ATDHEU

Brahim AVDYLI: (Shkrimi i katërt që e lexova nga Agron Iliriani) Kur më rrahnin armiqtë …

Leave a Reply