Kryefaqja / OPINION / “Vallja e djallit” në komunën e Preshevës

“Vallja e djallit” në komunën e Preshevës

Shkruan: Nehat Hyseni

“Vallja e djallit” ose proceset prapakthyese, retrogarde e tmerrësisht antishqiptare në komunën e Preshevës, arritën kulmin sidomos gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale të 24 dhjetorit 2017.

Me moton: “t’i çojmë në pension politikanët e vjetër”, dmth PVD-në e Riza Halimit (nga Presheva) dhe PDSH-në e Ragmi Mustafës (nga Zhunica), APN e Shqiprim Arifit (nga Tërnava), e ndihmuar nga fraksioni i PDSH-së, “Lëvizja për Reforma” e Sami Salihut (nga Rahovica), arritën që pas 26 vjetësh, dmth. nga viti 1992, koha kur kjo komunë udhëhiqej nga Dragolub Filipoviq, i SPS-it famëkeq të Sllobodan Millosheviqit, (ri)sollën serbishten në udhëheqjen e seancës konstituive të Kuvendit Komunal më 19 shkurtit 2018.

Pikërisht, duke i falemnderuar koalicionit të turpshëm APN-LRPDSH, Lista serbe “Za jedinstvenu Srbiju-Aleksandar Vuçiq”, fitoi 41 vota të shqiptarve në rivotimin e 28 janarit 2018, në njësinë zgjedhedhore numër 5 dhe kaloi pragun zgjedhor prej 5%, duke u rikthyer pas shumë vitesh në Kuvendin Komunal të Preshevës.

Si dhe pse u votua Lista serbe nga shqiptarët?

Përgjigja në këtë pyetje, që bëri bujë dhe e tronditi thellë ndërgjegjen kombëtare të shqiptarve kudo që janë, e sidomos i zhgënjeu votuesit e devotshëm të njësisë zgjedhore numër 5 dhe u bë aferë, megjithatë është e thjeshtë dhe e qartë: Listën serbe “Za jedinstvenu Srbiju-Aleksandar Vuçiq” e votuan pikërisht ata të cilët kishin nevojë dhe i kishin borxh SNS-it, meqë ishin në koalicion (të pashpallur) në Organin e Përkohshëm, me vendimin e Qeverisë së Serbisë të 14 shtatorit 2017!

Pra, atëbotë Shqiprim Arifi u emërua kundërligjshëm nga Qeveria e Serbisë, me nënshkrimin e premieres Ana Bërnabiq, si kryetar i Organit të Përkohshëm ose Masave të Dhunëshme dhe Armend Aliu, gjithashtu nga APN me një anëtar të SNS-it të Aleksandar Vuçiqit, si anëtarë të këtij organi të dhunshëm, që e suprimoi pushtetin demokratik dhe shkarkoi kryetaren e Komunës, zonjën Ardita Sinani.

Kështu u përmbys vetadministrimi komunal i shqiptarve të Komunës së Preshevës , i cili do të mbahet në mend gjatë kohë në kujtesën e shqiptarve të Luginës së Preshevës dhe në mbarë Shqiptarinë nga udhëheqja brilante e zonjës Sinani, zgjedhja e të cilës më 10 mars 2017 si kryetare e parë e Komunës së Preshevës, në Luginë dhe ndër femrat e para kryetare në mbarë Shqiptarinë, por dhe në mediat rajonale e europiane, duke e quajtur këtë zonjë të madhe si zonja “Hillary Clinton e Luginës së Preshevës”!

Por, kjo histori shpresdhënëse e krenare, si të ndërpritet dhe do të përmbyset në mënyrë të turpëshme dhe të tmerrëshme, me vendimin e Qeverisë së Serbisë të 14 shtatorit 2017, si dhe do të konfirmohet në mbledhjen makabër të Kuvendit Komunal të Preshevës të 19 shkurtit 2018, nga Aleanca famëkeqe e antishqiptare APN-LRPDSH-Lista srpska “Aleksandar Vuçiq-Za jedinstvenu Srbiju”.

Realisht, historia e kësaj lidhjeje “platonike” midis APN-së së Shqiprim Arifit dhe SNS-it të Presidentit aktual të Serbisë së Aleksandar Vuçiqit, zanafillen e vet e kishte filluar shumë vite më parë, dmth gjatë aktivitetit të dyshimtë e enigmatik “biznesor” dhe “humanitar” të Shqiprim Arifit në Gjermani, Sllovaki e gjithandej nëpër Europë.

Por, argatin e “valles së dreqit”. dmth të djallit ndaj APN-SNS-it, që do të shënoj faqe të turpëshme të synimeve karrieriste për pushtet me çdo kusht dhe për faqe të zezë , e bëri LRPDSH e Sami Salihut, që pranoi të jetë pjesë e këtij koalicioni famëkeq, kinse pas premtimit dhe betimit të Arifit se “Plani Aksional “ do të abrogohet dhe do të hiqet nga agjenda politike e këtij koalicioni për periudhën e mandatit katërvjeçar 2018-2022.

Ky fraksion i ndarë nga PDSH, fillimisht arsyetohej se Ragmi Mustafa si kryetar i PDSH-së “nuk kishte bërë reforma”. Prandaj, menjëherë pas zgjedhjeve lokale të 24 prillit 2016, nga PDSH u nda fraksioni prej 9 këshilltarësh. Por, ky grup u emërtua si “Lëvizje për Reforma” në PDSH dhe në zgjedhjet e jashtëzakonëshme lokale të 24 dhjetorit 2017, arriti t’i merr vetëm tre mandate, nga nëntë që i kishte me PDSH-në, dmth trefish më pak. Trendi i “shkrirjes” si këtij grupi joparimor, sidomos pas pjesëmarrjes në koalicionin aktual, ka humbur plotësisht besimin e votuesve dhe i ka zhgënjyer tmerrësisht votuesit e vet. Prandaj, këto mashtrime të elektoratit, LRPDSH-në në zgjedhjet e ardhëshme lokale mund ta përjashtojnë definitivisht nga skena e politikbërjes preshevare.

Pra, LRPDSH sa duket, që në start ia siguroi vetes vendin në plehërat e historisë së turpëshme e antishqiptare, meqë ia mundësoi koalicionit APN (15)-Lista srpska “Aleksandar Vuçiq-Za jedinstvenu Srbiju” (2), që i kanë së bashku gjithsej 17 këshilltarë dhe vetëm me tre (3) këshilltarët e LRPDSH-së arritën që të krijojnë mazhorancën minimale prej 20 këshilltarësh, në Kuvendin e Komunës së Preshevës, që numëron gjithsej 38 këshilltarë.

Këta aventurierë donkishoteskë, pretendojnë që ta qeverisin komunën e Preshevës në mandatin 2018-2022, të varur nga një deputet i vetëm. Poqese sëmuret, apo udhëton ndokund, siç është rasti i tanishëm, kur një këshilltar nga radhët e APN-së, që ka udhëtuar në një mision enigmatik në Gjermani, Kuvendi Komunal është i bllokuar dhe ka mbetur peng “pingallë”, dmth pa i konstituuar forumet apo trupat punuese (komisionet), që janë të domosdoshëm dhe parakusht themelor për funksionimin e Kuvendit dhe për shqyrtimin paraprak dhe proçedimin e çështjeve dhe pikave të rendit të ditës së Kuvendit Komunal.

Pra, pa u kthyer ai nga Gjermania, nuk do të ketë seancë të Kuvendit të Komunës së Preshevës. Në të kundërtën, dmth poqese do e thërrasë seancën kryetari i Kuvendit Sami Saliu, atëherë kjo mazhorancë e brishtë do të dështoj dhe do të përmbyset.

Efektet vrastare të këtij koalicioni antishqiptar

Degradimi i institucioneve vitale

të Komunës së Preshevës filloi vetëm dy javë pas mbledhjes konstituive të Kuvendit Komunal të 19 shkurtit 2017, me suspendimin e kompetencave të Shërbimit të Kadastrit dhe të Shërbimit tatimor dhe transferimit të tyre në komunën e Bujanocit.

Me suspendimin e Shërbimit kadastral të Komunës së Preshevës, Qeveria e Serbisë siguron kontrollin dhe mbikëqyrjen më të plotë të tapive, fletave poseduese dhe të dokumentacionit mbi pronat dhe pronësinë e shqiptarve mbi tokat dhe mbi pasurinë e paluajtëshme, për t’i shlyrë nga evidenca. Kjo dukuri, sidomos gjatë viteve të fundit, kishte arritur përmasa alarmante në komunën e Bujanocit, duke i shlyrë nga evidenca qindra shqiptarë.

Por, në Komunën e Preshevës nuk kishte arritur ta bënte këtë veprim makabër, meqë rrezistenca e politikbërjes së shqiptarve ishte e fuqishme. Kjo rrezistencë u thye nga koalicioni aktual i qeverisjes lokale, duke ia hapur dyert Qeverisë së Serbisë që t’i realizoj e papenguar synimet e veta anticivilizuese ndaj shqiptarve.

Kurse, me transferimin e kompetencave të Shërbimit tatimor të Preshevës në Komunën e Bujanocit, janë goditur shumë rëndë sidomos bizneset private të shqiptarve. Sepse, me këtë goditje vdekjeprurëse ndaj bizneseve të shqiptarve, Qeveria e Serbisë pretendon ti godas për vdekje bizneset e shqiptarve, të cilët tani e tutje i detyron që për çdo ditë të udhëtojnë nga Presheva dhe të radhiten në radhët e gjata të pritjes para sporteleve për kryerjen e shërbimeve elementare reth obligimeve tatimore.

Edhe më i tmerrshëm bëhet ky akt vrastar i Qeverisë së Serbisë ndaj shqiptarve të Komunës së Preshevës për faktin se asnjëra nga partitë e koalicionit qeverisës të Komunës së Preshevës nuk ka reaguar fare kundër këtij veprimi antishqiptar.

Për më tepër, koalicioni APN-LRPDSH-Lista Srpska “Aleksandar Vučić-Za jedinstvenu Srbiju, sa duket, është duke llogaritur në mbështetjen e fuqishme politike, logjistike, materiale e financiare të Qeverisë së Serbisë dhe të SNS-it, personalisht nga Presidenti Aleksandar Vuçiq, ata pretendojnë se do t’ia dalin që ta serbizojnë Preshevën dhe Luginën, me moton se do ta “çojnë në pension politikën e vjetër 27 vjeçare të shqiptarve”, e cila organizoi Referendumin e vitit 1992, për Autonomi Politike e Territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën, që i rrezistoi dhe iu kundërvua me vendosmëri regjimit fashist të Sllobodan Millosheviqit dhe politikës antishqiptare të Serbisë gjatë historisë me plotë viktima, rreziqe, sakrifica sublime e sfida të 27 vjetëve të politikbërjes së shqiptarve në Luginë të Preshevës.

Misioni antishqiptar i koalicionit APN-LRPDSH-Lista Srpska-“Aleksandar Vučić-za jedinstvenu Srbiju”?

Misioni i vërtetë dhe real i koalicionit APN-LRPDSH-Lista Srpska-“Aleksandar Vučić-za jedinstvenu Srbiju”, që rezultoi nga koalicioni i pashpallur dhe mbahej sekret dhe tejet konfidencial APN-SNS, të cilit nga 19 shkurtit 2018 iu bashkangjit edhe LRPDSH, siç u pa puna, ka mision primar dhe imediat miratimin me çdo kusht të “Planit Aksional” të Qeverisë së Serbisë për kolonizimin e Komunës së Preshevës me refugjatë serbë të shpërngulur nga Kroacia, Bosna dhe Kosova, si dhe me refugjatë të tjerë nga Lindja e Afërt dhe e Mesme, kryesisht nga Siria, Afganistani, Pakistani, еtj.

Natyrisht se qëllim i fundit i këtij koalicioni antishqiptar ështe ndryshimi i strukturës etnike të Komunës së Preshevës, e cila është e banuar me shumicë shqiptare.

Në këtë “valle të dreqit” janë kyqur me shumë entuziazëm Shiprim Arifi me tarafin e tij të paskrupulltë politik, si dhe Sami Salihu me partinë xhuxhe LRPDSH, mashtrimet e të cilëve, sidomos pas suprimimit të kompetencave të shërbimeve të përmendura të Komunës së Preshevës, sa duket, ia kanë “hapur sytë” edhe disa këshilltarëve shqiptarë të koalicionit qeverisës, të cilët janë zhgënjyer thellë, meqë disa prej tyre tashmë e kanë kuptuar qëllimin makabër dhe misionin antishqiptar të tyre.

Rrjedhimisht, priten reagime dhe reflektime dinjitoze, por dhe zhvillime radikale në skenën e politikbërjes preshevare, shpresojmë për ruajtjen e kauzës kombëtare, për mirëqenien dhe për të ardhmen e shqiptarve të Komunës së Preshevës dhe rajonit të Luginës.

Check Also

Ndikimi rus në Shqipëri, Pentagoni: Rreziku ju vjen edhe nga…jugu

Nga Xhildinho Ozuni Qeveria shqiptare ka kërkuar prezencë ushtarake në Tiranë, e shqetësuar nga “rreziku …

Leave a Reply