Kryefaqja / OPINION / Vazja nga Drenasi, këshilltare e Presidentes së Kroacisë

Vazja nga Drenasi, këshilltare e Presidentes së Kroacisë

Gentiana Fana, studente e shkencave politike në Zagreb dhe shumë e aktivizuar në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomacinë.

Tashmë pjesë e shumë konferencave si organizatore dhe pjesëmarrëse, përfaqësuese e Kroacisë në Këshillin e Ri Evropian dhe këshilltare në Këshillin Rinor të Presidentes të Republikës së Kroacisë.

Cila është origjina juaj dhe fillimet e karrierës?

Kam lindur në Drenas, në Kosovë dhe kur isha një vjeçe e gjysmë emigrova me familjen në Kroaci, saktësisht në Zagreb ku ende jetojmë. Fillimi në karrierën time ka qenë në Fakultetin e Shkencave Politike ku së bashku me disa kolegë formuam Klubin Diplomatik me qëllim që të ndihmojmë të rinjtë dhe të kemi marrëdhenie me ndërkombëtarët. Pas formimit të kësaj shoqate, kam marrë pjesë në disa konferenca ndërkombëtare në gjithë Evropën ku kam krijuar kontakte dhe mesuar gjëra të reja.

Kush janë disa nga sfidat më të vështira që keni kaluar?

Kroacia është një shtet mik i Kosovës dhe Shqipërisë, është një shtet modern dhe i integruar në organizatat dhe institucionet më të larta botërore si edhe pjesë e BE-së. Mirepo pavarësisht kësaj ende ka shumë probleme dhe disa prej tyre janë paragjykimet ndaj pakicave por edhe ndaj femrave. Si pjesë e pakicës shqiptare shpesh herë është dashur të mundohem dhe punoj 10 herë më shumë se sa një Kroat.

Në shkollën fillore, një mesuese më ka thënë që të kthehem andej nga kam ardhur se nuk meritoj asgjë. Mirepo, paragjykimi është një sfide me të cilën mund të ballafaqoheni në çdo shtet. Paragjykimi ndaj femrave është i ngjashëm dhe shpesh herë ndodh që jam e vetmja femër në takime. Në këtë aspekt, sfida më e madhe ka qënë të dëgjohet zëri im dhe që këshillat ose idete që kam të merren seriozisht.

Na tregoni disa nga arritjet tuaja deri tani? Dhe cilat janë vlerësimet kryesore, që të janë bërë deri sot?

Arritja ime më e madhe deri tani është që të jem pjesë e Këshillit Rinor të Kryetarës Kroate, znj. Kolinda Grabar Kitarović. Për mua është një nder jashtëzakonisht i madh të jem pjesë e stafit të saj për shkak të arritjeve të mija dhe për mua ky është vlerësimi më i madh deri tani. Mirëpo, vlerësimi tjeter është edhe bashkëpunimi me këshilltaret e kryeministrit kroat ku së bashku punojmë në disa projekte.

Përveç këtyre arritjeve, kam qenë e vetmja përfaqësuese kroate në Konventen ndërkombetare të studentave të shkencave politike, në disa konferenca ndërkombëtare në Parlamentin Evropian në Strasbourg dhe në Bruxelles si dhe në konferenca tjera ndërkombetare në Spanjë, Poloni, Danimarke, Francë, etj.

Pavarësisht arritjeve të mija, vlerësimi më i madh është kur e takoj dikë që e përcjell punën time dhe që merr frymezim nga aktivitetet e mija. Nuk ka shpërblim më të madh për mua se sa të dëgjoj që kam inspiruar dikë dhe i kam ndihmuar të ece përpara!

Na flisni pak për synimet ose planet e juaja në të ardhmen?

Pasi që studioj dhe punoj në fushën ku ndyshimet drastike mund të ndodhin brenda një ditë, është vështirë të them se ku e shoh veten në të ardhmen. Mirëpo, qëllimi im gjithmonë ka qënë dhe do jetë promovimi i Ballkanit. Jetojmë në një rajon me bukuri natyrale dhe histori të gjatë dhe bota duhet të dijë më shumë për secilin prej nesh. Kemi shumëçka për të i ofruar botës duke filluar nga kultura dhe sporti deri tek turizmi dhe historia. Kështu që, plani im që me punën time edhe në të ardhmen të promovoj dhe ndihmoj Ballkanin.

Çfarë i mungon Shqipërisë/Kosovës sot që po e pengon zhvillimin në drejtimin e duhur?

Edukimi! Problemi i edukimit është i madh edhe në Kroaci kështu që në këtë fushë duhet të punoj edhe Kroacia. Por Kosova dhe Shqipëria duhet të punojnë në edukimin më të mirë përmes së cilit njerëzit edhe ushtrojnë mendimin kritik. Edukimi është baza e çdo shteti dhe duhet të kete më shumë investime në këtë fushe. Është e dhimbshme që të rinjtë në Kroaci, Kosovë dhe Shqiperi nuk e dine as sistemin politik të shtetit të tyre ose përqindjen e kredisë.

Përveç edukimit, Kosova dhe Shqiperia duhet të fokusohen më shumë në lobimin në arenen ndërkombëtare. Nga të gjitha shtetet e Ballkanit, Serbia e ka diplomacinë dhe lobimin më të fuqishem dhe me këtë ritëm që ne kemi tani nuk mund t’i konkurrojmë. Duhet të investojmë më shumë në lobime pasi që ato kanë rolin kyç për shumë vendime ndërkombëtare.

Keni menduar ndonjëherë të ktheheni në Shqiperi/Kosovë dhe të jepni kontributin tuaj këtu?

Pasi që me origjinë jam nga Kosova, dëshira për tu kthyer në Kosovë është e madhe! E dua Kosovën dhe mendoj që nuk ka vend më të bukur dhe më të mirë në botë. Poeti kroat Petar Preradović në poezine e tij “Udhëtari” thotë që “Shpirti im merr frymë tek ti, zemra ime rreh tek ti, atdhe o vend i lumturisë! Tek ti i biri yt po kthehet prap dhe derdh lotët nga gëzimi! Pranoje prap djalin tënd se do jetë përgjithmonë i yti”. Është një nga poezitë e mia më të preferuara pasi që mendoj që çdo person që jeton jashtë vendlindjes së tij ka një nostalgji për atdhe. Njësoj dhe unë edhe pse kam shkuar në Kroaci kur isha e vogel, dashuria ime për Kosovën dhe Shqipërinë nuk u ndal asnjëherë dhe plani është që brenda 10 deri 15 viteve të kthehem në Kosovë.

Ju gjithashtu loboni për Shqipërine dhe vlerat e saj, çfarë mesazhi mund t’i jepni të rinjve shqiptar?

Në çdo aktivitet timin gjithmonë them me plot krenari që jam Shqiptare. Është pjesë e identitetit tim dhe çdo herë mundohem të promovoj Kroacinë, Shipërinë dhe Kosovën në menyrën më të mirë. Mesazhi im për të rinjtë është që të mos ndalën asnjëherë! E di që është e lehtë për tu thënë por është me rëndësi të duani atë që bëni dhe të mos ndaleni asnjëherë pavaresisht se sa veshtiresi ka. Besoni në veten tuaj dhe në punën që bëni sepse njerëzit do flasin edhe në qoftë se veproni mirë edhe në qoftë se veproni keq.

Faleminderit Gentiana, për këtë interviste eksluzive dhe interesante, që zhvilluam së bashku. Suksese.

Faleminderit Urbanus dhe Andi për intervistën. Ishte kënaqësi dhe urime për punën dhe frymën pozitive.

Check Also

“Bravo Notis, arrite të bindësh një tufë alabakësh…”, gazetari shfryn ndaj koncertit të nazistit

Ardhja e këngëtarit nazist grek Notis Sfakianakis mbrëmjen e djeshme në Shqipëri dhe koncerti i …

Leave a Reply