Kryefaqja / HISTORI / Beteja e Bizanit, hyrja e trupave pushtuese greke në Janinë

Beteja e Bizanit, hyrja e trupave pushtuese greke në Janinë

Derisa ushtritë ballkanike po mësynin fitimtare ndaj ushtrive osmane në tërheqje, Janina shqiptare ishte qëndresa e fundit që sprapsi sulmet greke.

Në kryeqendrën e vilajetit të Janinës ndodhej korpusi i Janinës që përbëhej nga një divizion me redifë shqiptarë, por edhe vullnetarë nga Vlora, Mallakastra, Fieri dhe Tepelena, shkruan Konica.al.

Mbrojtja e Janinës, e skicuar nga gjenerali gjerman Von Der Goltz, kishte në zotërim 21 bateri artilerie, me 128 topa, që mbulonin të gjitha shtigjet malore me rëndësi strategjike.

Pika kryesore e mbrojtjes janiniote ishte në lartësitë e fshatit Bizan, disa kilometra në juglindje të Janinës.

Qeveria e Vlorës kishte shtuar përpjekjet për të mbajtur me çdo kusht Janinën, duke vënë kontakte me komandën osmane të garnizionit të qytetit.

Me urdhër të Ismail Qemalit, më 29 janar të vitit 1913, u mor vendimi që «të mbrohet me çdo kusht Janina», ku u bëhej thirrje shqiptarëve që të shkonin vullnetarë në frontin e jugut.

Me këtë detyrë u ngarkua Mit’hat Frashëri.

«Qeveria e Vlorës bëri përpjekje për t’iu ardhur në ndihmë, por s’kishte as mjete, as rrugë të hapura, sepse Grekët ishin futur në krahinat e jugës dhe Serbët kishin zbritur gjer në Shkumbin. Kumandari i garnizonit turk të Janinës, ku shërbenin edhe shumë Shqiptarë, ishte Esad Pashë Janina, një Shqiptar i turqizuar. Qeveria e Vlorës hyri në marrëveshje më këtë për t’a bindur që të ngrinte flamurin e Shqipërisë duke i premtuar ndihmë porsa t’ishte në gjendje. Por ky s’desh ose s’mundi t’a vazhdonte qëndresën, dhe ua lëshoi Janinën Grekëvet më 6 Mars 1913. Atëhere forcat greke t’Epirit shkelën tërë Çamërinë dhe u derdhën në Shqipërinë e jugës, pushtuan Gjirokastrën, Përmetin, Këlcyrën, Tepelenën, duke plaçkitur e vrarë popullsinë myslimane ngado që shkonin», do të shkruante më vonë Abaz Ermenji.

Por cilat ishin fatet e betejës së Bizanit?

Sipas historianëve grekë John Koliopulos dhe Thanos Veremis, vargmali i Bizanit mbizotëronte të gjitha kalimet që çonin në Janinë prej anës jugore. Pikat e përhershme të artilerisë të ndërtuara në mbikëqyrjen e misionit gjerman mbulonin me zjarr të gjitha përpjekjet greke për infiltrim.

Natyra e thyer e terrenit dhe fuqia e zjarrit të artilerisë e bëri të pamundur çfarëdo sulmi frontal kundër fortesës së Janinës.

Për shumë muaj me radhë, ushtria greke ishte e kufizuar vetëm në rol mbrojtës.

«Operacionët morën një kthim të ri kur Komanda e Lartë Greke largoi divizionin e katërt dhe të gjashtë nga Maqedonia. Më 3 janar, mbreti Konstandin mori komandën e ushtrisë së Epirit bashkë me gjeneralin Sapunzakis. Mësymja e përgithshme përfundimtare filloi në mëngjesin e 20 shkurtit. Në orën 11 të paraditës, pas një rezistence të sertë, Esat Pasha ofroi dorëzim pakushte të Janinës. Në mëngjesin e 22 shkurtit njësitë e detashmentit të dytë që kishin pasur detyrë sulmin kryesor kundër Bizanit, parakaluan me flamuj grekë në rrugët e Janinës».

Portali Konica.al sjell pamje ekskluzive nga hyrja e trupave greke në Janinë, tërheqja e garnizionit me ushtarë osmanë dhe shqiptarë si dhe bartja e të ushtarëve të vrarë dhe të plagosur gjatë luftimeve të dendura:

© Salih Mehmeti | konica.al

Check Also

Cili është kuptimi shqip i emrit Prevezë?

Preveza, një nga portet më të rëndësishme të Jonit, mban emër shqip. Ndonëse shteti grek …

Leave a Reply