Kryefaqja / OPINION / Greqia braktis në heshtje bisedimet me Shqipërinë, pritet vetoja greke në qershor

Greqia braktis në heshtje bisedimet me Shqipërinë, pritet vetoja greke në qershor

Nga Arben Llalla

Në fund të muajt mars, Greqia braktisi në heshtje bisedimet me Shqipërinë për zgjidhjen e problemeve mbi 70 vjeçare si heqja e Ligjit të Luftës, çështja e pronave të shqiptarëve në Greqi, Çështja Çame, kufiri detar e kështu me radhë. Kryeministri Aleksis Tsipras e njoftoi kryeministrin Rama se nuk ekziston dëshira e Greqisë për heqjen e Ligjit të Luftës me Shqipërinë. Kështu, nuk ja vlente që Pashkët e prillit t’i kalonin bashkë në qytetin e Korçës. Ky ishte pak a shumë mesazhi i Tsipras për Ramën. Atëherë Edi Rama për të tërhequr vëmendjen e dështimit të bisedimeve greko-shqiptare bëri një takim në Stamboll me presidentin e Turqisë Erdogan. Pas këtij takimi mediat greke të porositura nga ministria e informacionit dhe propagandës hodhën idenë që Greqia braktisi bisedimit, ndërsa ka riaktivizuar veton për mos çeljen e bisedimeve me Shqipërinë për t’u anëtarësuar në BE.

Për të mbuluar me pluhur dështimet e bisedimeve me Greqinë, kryeministri Rama nxorri ministrin e jashtëm Dhimitër-Ditmir Bushatin, i cili deklaroi se “vonesa për dhënien e plotfuqishmërisë nga ana e Presidentit Meta, shtyu takimin mes Ramës dhe Tsipras”. Pra, Rama-Bushati ngritën një akuzë të rëndë ndaj kreut të shtetit Ilir Meta për mosrealizimin e darkës së Pashkëve në Korçë të çiftit familjar Tsipras-Rama.

Divorci Kotzias-Bushati u vu re edhe nga mosardhja e këtij të fundit në Tiranë, anashkalimi që ai i bëri Shqipërisë gjatë turneut të tij ballkanik, Beograd-Prishtinë-Shkup më 10-12 prill.

Të gjitha këto lojëra dhe kurthe politike të Athinës për braktisjen e bisedimeve greko-shqiptare për zgjidhjen e problemeve si heqja e Ligjit të Luftës, çështja e pronave të shqiptarëve në Greqi, Çështja Çame, kufiri detar ka për qëllim vetëm një pikë; atë për mosheqjen kurrë të Ligjit të Luftës me Shqipërinë.

Ligji i Luftës që Greqia ka shpallur më 1940 dhe e mban si hanxhar mbi kryet e Shqipërisë është shumë i rëndësishëm për Greqinë, sepse ky ligj ka në thelbin e saj synimin që aneksimin e jugut të Shqipërisë-Autonomia e Veriut të Epirit. Greqia për heqjen e Ligjit të Luftës paralel do të kërkojë shpalljen e Autonomisë greke të Jugut të Shqipërisë, projekt ky që po merr jetë dalëngadalë. Pikat kyçe janë realizuar deri tani si ndërtimi i varrezave të ushtarëve grekë në trekëndëshin Gjirokastër-Përmet-Korçë, dhënia e shtetësisë greke mijëra shqiptarëve pasi ata nënshkruajnë një dokument zyrtar se kanë kombësi greke, duke rritur kështu artificialisht numrin e pakicës greke, futjen e Himarës dhe Korçës si zona ku banon minoriteti grek.

Në përfundim, duhet thënë se dashuria pasionante e Kotzias me Bushatin përfundoi me divorc e me qejfmbetje. Kryeministri Edi Rama duhet t’ju thotë të vërtetën shqiptarëve se shkaku i vërtetë për dështimin e marrëveshjes “historike” greko-shqiptare është Ligji i Luftës i 1940, i ricikluar disa herë ndër vite dhe jo Çështja Çame. Çifti kryeministror Rama duhet të deklarohen se dështimi i darkës së Pashkëve në Korçë me Tsipras, nuk është takimi më 23 mars në Stamboll i kryeministrit të Shqipërisë me presidentin Rexhep Tajip Erdogan, por mosdëshira e kryeministrit Aleksis Tsipras dhe e Kuvendit të Greqisë për të votuar heqjen e Ligjit të Luftës me Shqipërinë.

Qeveria Rama 2 i plotësoi pothuajse të gjitha kërkesat e Greqisë si djegien e qindra votave në Qarkun e Tiranës që kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi mos të zgjidhej deputet (ka rregjistrime nga zbulim dhe kundërzbulimet e huaja, ku shihen se si votat e PDIU-së kategorizohen si të pavlefshme ose i kalohen PS-së apo PD-së. Ka prova për tentativën e Ramës për zhdukjen e PDIU-së si forcë politike me kërkesë të Greqisë, ka sms që Rama i dërgoi Valentina Leskajt dhe Damian Gjiknurit që të votohet PD në Vlorë, me qëllim që Vangjel Dule të zgjidhet deputet. Të djera dëshmi janë ndërtimi i varrezave të ushtarëve grekë, njohja në heshtje të Korçës dhe Himarës si zona të pakicës greke, dhënia e shtetësisë shqiptare të ish-oficerit kryepeshkop Anastasit, e kështu me radhë.

Është mirë që të thuhet e të mbrohet e vërteta; Greqia nuk e heq Ligjin e Luftës dhe Shqipëria nuk do të hapi bisedimit për t’u anëtarësuar në BE ose do qëndrojë nja 100 vjet pas dere të BE-së, ashtu si Turqia. Kjo, falë kërkesave ekstremiste dhe armiqësore të fqinjit planprishës, Greqisë.

Check Also

“Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët”

Nga Marin Mema/Sado e ashpër të duket kjo thënie e Faik Konicës ajo është tërësisht …