Kryefaqja / HISTORI / Kush nuk i do Frashërllinjtë…?! – nga Marin Mema

Kush nuk i do Frashërllinjtë…?! – nga Marin Mema

Nga: Marin Mema

Në qendër të fshatit Frashër rreth 30 kilometra nga qyteti i Përmetit dallon dominuese shtëpia muze e tre Frashërllinjve të mëdhenj. Në krye të saj bustet e Abdylit, Naimit e Samiut janë zbardhur nga koha dhe hera herës duket sikur kërkojnë të thyejnë izolimin e zbrazëtisë që sot mbizotëron kudo.

I ngritur mbi gërmadhat e banesës së vjetër në vitin 1974, ky muze siç mund të dallohet lehtësisht ka degraduar ndjeshëm. Edhe pse fondet për të janë hedhur herë pas herë, vështirë se dikush mund të mendojë se ato kanë shërbyer për të restauruar diçka në këtë vend. Xhama të thyer, stenda të shkatërruara, lagështirë, libra të hedhur kuturu, kjo është në masë dërrmuese gjendja që paraqet sot kjo shtëpi.

Është e pamundur të gjesh qoftë edhe një dhomë të vetme që të mos jetë prekur nga dëmtimet të cilat i kanë dhënë shtëpisë një pamje për të ardhur keq. A mundet të mos ndihesh i turpëruar kur kjo gjendje ka rënë mbi muzeun që përfaqëson padyshim tre figura të mëdha të historisë së Shqipërisë?! Si mundet të përkujtohen në këtë mënyrë Abdyl, Sami e Naim Frashëri? Para kësaj shtëpie rreshtohen çdo vit një numër i madh politikanësh, figurash të larta, që ikin e vijnë pasi kanë marrë pjesë në aktivitet e ndryshme përkujtimore…

Kujtojnë forcën e Abdylit, vargjet e Naimit e dijen e Samiut, por askush nuk e kthen kokën pas, për të parë e ndryshuar gjendjen e mjerueshme në të cilën dergjet kjo godinë. Nga krahu tjetër edhe fshati po shuhet, ai jo vetëm është braktisur në masë për shkak të rrugës, por askush nuk u kujtua ta bënte pjesë të programit të 100 fshatrave i zyrtarizuar vetëm pak kohë më parë nga qeveria shqiptare.

Frashëri që ka pasur diku 12 familje në shekullin e 15 sot ka mbetur me jo më shumë se 8 apo 9 të tilla. E pra mundësitë për ta rimëkëmbur këtë fshat janë të gjitha. Përtej është bredhi i Hotovës, një nga parqet më të bukur e tërheqës në vend. Janë të shumta monumentet e natyrës dhe kulturës të cilat kanë shoqëruar historinë e Frashërit që nga kohët më të hershme. Po flasim për një vend të cilin Sami Frashëri e quante qytet, sa kohë në kulmin e tij kishte 22 lagje, rreth 1650 banorë dhe një treg për t’u pasur zili.Punishtja e përpunimit të rrushit, frutave e bulmetit është kthyer në rrënojë, po kështu dyqanet e dikurshme, klubet, depot e grumbullimit, spitali, posta, reparti e me radhë…

Të gjitha janë vetëm një kujtim i së shkuarës, i kohës së një dalldie kur u shkatërruan edhe vepra që shumë mirë mund t’i përshtateshin ekonomisë së re të tregut. Kjo as nuk u tentua, por me premtime pa vlerë gjithçka u rrafshua.

Frashëri është i vendosur 1050 metra mbi nivelin e detit dhe e gjithë hapësira e tij është e rrethuar me maja të larta e të hijshme malesh. Siç shkruan profesori i ndjerë Kristo Frashëri, krahina e Dangëllisë me kryeqendër të saj Frashërin gëzonte status të veçantë dhe kishte përgjatë shekujve të pushtimin osman strukturat e saj vendore të vendosura këtu. Që prej reformës territoriale asaj më të fundit ato u vendosën në Përmet, një botë larg, për realitetin e sotëm të këtij fshati, banorët e të cilit edhe furnizimin me ushqime e bëjnë vetëm një apo dy herë në vit. Vetëm dy shtepi të reja pra të restauruara dallohen në të gjithë fshatin mesaduket pjesa tjetër për

shkak të problemeve që këtu nuk po marrin fund kurrë, e shohin veten larg. Frashëri i sotëm është i mbytur nga heshtja, nga kujtimet, e mbi të gjitha nga rrënojat e shtëpive që dikur jetonin me banorët e tyre. Askush nuk di të thotë përse ky fshat, kjo histori kaq e gjatë dhe e madhe, këto mundësi turistike nuk shfrytëzohen nga askush.

Përse nuk ndërtohet një spital apo një qendër rehabilituese për njerëzit me probleme në mushkri, që do të shfrytëzonin këtu ajrin e pastër e qetësinë, siç janë përpjekur të argumentojnë disa herë intelektualët e zonës. Çfarë i mungonte këtij vendi, ku politikanët duken sa herë kanë nevojë edhe për këtë grusht votash, por mbi të gjitha për t’i bërë reklamë vetvetes me citatet apo historinë e Frashërllinjëve?

Check Also

Greqia braktis në heshtje bisedimet me Shqipërinë, pritet vetoja greke në qershor

Nga Arben Llalla Në fund të muajt mars, Greqia braktisi në heshtje bisedimet me Shqipërinë …