Kryefaqja / HISTORI / Masakra e Gjilanit nga serbët, i përvëlonin në valë, trutë e njerëzve nëpër borë

Masakra e Gjilanit nga serbët, i përvëlonin në valë, trutë e njerëzve nëpër borë

As sot, nuk ka as shenjë, as varr, as përmendore të rreth 80 shqiptarëve të masakruar brenda natës nga partizanët serbë dhe maqedonas në Gjilan. A mund të jenë ata në varrezat masive në oborrin e kazermës së atëhershme të Armatës Jugosllave, sot kampi “Monteith” në Gjilan?Masakra e Gjilanit e dhjetorit të vitit 1944, kur u vranë, duke u copëtuar, rreth 80 shqiptarë, mbetet akoma një krim i lënë në heshtje. Kanë kaluar 72 vjet nga ploja, e cila shënon fundin tragjik të shqiptarëve të Kosovës në Luftën e Dytë Botërore e sidomos të Gjilanit me rrethinë i cili u shndërrua në një lloj Srebrenice të Kosovës, me rreth 8000 viktima. Asnjë tryezë, asnjë debat, asnjë nxitje për të shpalosur fakte historike për masakrën e Gjilanit. Asnjë pyetje se çka solli 1945 për Kosovën? Masakra e Gjilanit dëshmon kompleksitetin e rrethanave të Luftës së Dytë Botërore në Kosovë. Për qarqet e gjera ajo ka mbetur gjysmë e ndriçuar, gjysmë e errët, për ato me akribi shkencore gjysmë histori, në rastin më të mirë e ideologjizuar nga e majta. Në familjet tona masakra mbetet në kujtesë si rrëfim I tmerrshëm i gjysheve tona që ringritën familjet.

Kasaphane serbo-maqedonase

Më 22 dhjetor 1944 në fshatin Përlepnicë, Shtabi i Forcave Shqiptare Vullnetare vendosi të sulmojë për ta çliruar Gjilanin. Në mëngjesin e 23 dhjetorit 1944, forcat e vullnetarëve shqiptarë sulmuan dhe gati arritën ta merrnin gjithë qytetin, përveç ndërtesës së OZNA-s (Shërbimit të Sigurimit Jugosllav, pararendëse e UDB-së) dhe të Këshillit Popullor të Rrethit. Forcat serbo-maqedonase në shenjë hakmarrjeje për sulmin e forcave vullnetare shqiptare mbi Gjilanin, kryen masakër. Brigada serbe dhe maqedonase fillimisht rrëmbyen me përdorimin e forcës pa dallim qytetarë shqiptarë të Gjilanit, i nxorën nga shtëpitë, dyqanet, rrugët, i morën dhe i mbyllën në ndërtesën e vjetër të burgut të qytetit. Popullsia civile shqiptare e tmerruar nga fryma e terrorit shtetëror u mbyll në shtëpi duke ndier frikën e kasaphanës. Të rrallë ishin ata familjarë që guxonin të interesoheshin për fatin e të afërmve të tyre të burgosur. Efektivat serbo-maqedonase familjarëve të rrallë që vinin në burg të pyesnin për të afërmit e tyre, u jepnin qëllimisht informacion të gabuar për fatin e viktimave, në mënyrë që ata të besonin se të burgosurit ishin akoma gjallë, ose ishin të zhdukur.

Pas grupit të parë të qytetarëve të burgosur, efektivat ushtarake serbe e maqedonase vazhduan të arrestonin edhe më tej shqiptarë nga fshatrat përreth. Për këtë masakër ekzistojnë pak burime të botuara. Njëri syresh është libri i memoareve i Komandantit të Brigadës së VII Kosovare, Shaban Haxhi Demaliaj, nga fshati Pac i Bytycit, në rrethin e Tropojës, Shqipëri. Si komunist idealist, Shaban Haxhiaj kishte mësuar gjuhën serbe në qytetin Pozharevac të Serbisë dhe ishte përfshirë në Ushtrinë Nacional Çlirimtare. Ai thotë se fati i Gjilanit në fundvitin 1944 kishte mbetur në duart e kriminelit Vlado Popoviq, sekretar i Organizatës së Partisë Komuniste në Gjilan. Haxhia merr urdhrin e komandantit të shtabit operativ të Kosovës, kolonel Fadil Hoxhës me këto fjalë: “Ju të niseni për në Gjilan, pasi atje kanë hyrë dy banda dhe e kanë okupuar atë. Duhet ta çlironi me çdo kusht dhe sa më parë”.

Shaban Haxhia nuk shprehet saktësisht me data dhe nuk tregon kur hyri me brigadën e tij në Gjilan. Por, ajo që rrëfen është se me të hyrë në Gjilan, ai thirri një mbledhje për të shtënë në duart e tij kontrollin mbi qytetin. Planin e tij e kundërshtuan Vlado Popoviq, shtabi i brigadës maqedonase, si dhe Komisari i Brigadës së V-të të Kosovës. “Pasi vendosi shumica, komanda e vendit mori përsipër sigurimin e qytetit. Por, më të dalë nga kjo mbledhje, Shaban Haxhia i gjen 150 shqiptarë nga fshatrat përreth, të lidhur dy nga dy të cilët nën përcjelljen e partizanëve maqedonas, po dërgoheshin në burg. Haxhia kërkoi lirimin e tyre dhe shkoi ta takonte shtabin e Batalionit të II-të të Brigadës së VII. Komandanti i këtij batalioni, Ali Ukshini, komisari Kristo Mulenashi, zëvendëskomandanti Musa Rexhepi dhe zëvendëskomisari i batalionit, Isuf Bajraktari, të cilët kishin vendosur se duhet ta nisin luftën. Mirëpo, Shaban Haxhia i kundërshton ata, me arsyetimin se ky do të ishte pretekst për thellimin e masakrës.

Trutë e njerëzve nëpër borë

Shaban Haxhisë nuk iu lejua hyrja në burg, pa lejen e komandantit të shtabit të brigadës maqedonase. Haxhia thotë se, siç u provua më vonë, ai nuk u lejua të hynte në burg, në mënyrë që forcat e burgut të përfitojnë mundësi dhe kohë që të largonin kufomat e mbytura me sëpatë. “Kështu kur hyra në mëngjes, shihej gjaku i mbetur në borë në shumë vende. Sapo hyra pashë se të burgosurit ishin shumë të shqetësuar, qëndronin në këmbë duke u dridhur, pasi pritnin fatin e atyre të tjerëve që ishin mbytur më parë. Në fytyrat e tmerruara kuptova se në burg ishte kryer një masakër e llahtarshme.”
Haxhia thotë se aty e kishte kuptuar se natën, rojet e burgut i kishin nxjerrë të burgosurit nga burgu, i kishin mbytur dhe i kishin hequr kufomat e tyre. Nëpër oborrin e burgut Haxhia thotë se qe dëshmitar okular i truve të shpërndarë andej këtej, ndërsa në WC ai pa shumë këpucë të përgjakura.
Edhe rrugës për në OZNA, komandanti i Brigadës së VII-të Kosovare, Shaban Haxhia, gjeti tri kufoma vetëm në këmisha e brekë, me koka të dëmtuara. Një viktimë kishte mbetur kurm, meqë i ishte hequr koka dhe larguar rreth 20 metra nga trupi. Nga OZNA, ai nuk do të merr asnjë informatë për këtë plojë. Në Komitetin e partisë Haxhia takon sekretarin politik Vlado Popoviqin, të cilit i propozon që të gjithë serbët e mobilizuar nga Gjilani të çarmatoseshin e të shpërndaheshin nëpër shtëpi, sepse krimet mbi shqiptarët i kanë kryer ata. Haxhia propozoi që edhe qytetin ta marrë në dorëzim Batalioni i II-të i Brigadës së VII-të Kosovare. Por, Popoviqi iu përgjigj se të gjithë serbët e mobilizuar janë element të mirë…

Sipas Shaban Haxhisë, komisioni për të verifikuar gjendjen sipas Vlado Popoviqit nuk u krijuar, ndërsa ato ditë dhjetori ishin vrarë rreth 78 shqiptarë. Për këto krime, Haxhia dëgjonte justifikime banale të Popoviqit dhe zyrtarëve të tjerë serbo-maqedonas. Haxhia me forcat e tij u detyrua të tërhiqej shumë shpejtë nga Gjilani, me urdhrin e Shtabit të Kosovës, nënshkruar nga nënkoloneli Gjuro Brajeviq. Në çastet e largimit nga Gjilani, shefi i Divizionit maqedonas, majori Velo Turkoviq, të cilit Haxhia i foli për masakrën, tha se populli i Gjilanit është një armik, se i ka luftuar dhe për këtë edhe do të përgjigjet me luftë, vrasje, arrestime.
Popullsia e asaj kohe kishte bindjen se varrezat masive ku ishin mbuluar viktimat, mund të jenë në oborrin e kazermës së atëhershme të armatës, sot kampi “Monteith” në Gjilan.

Me t’u kthyer në Prishtinë, Haxhia takoi komandantin, kolonel Fadil Hoxhën, nënkomandantin Gjuro Brajeviqin dhe zyrtarë të tjerë partizanë. Haxhia raportoi për masakrën e Gjilanit, duke iu thënë se është skenar i njëjtë me masakrën çetnike në Rozhajë. Por, raporti i tij u prit ftohtë, për më tepër u quajt diçka e parëndësishme. Shaban Haxhia në kujtimet e veta thekson fjalët që ia ka thënë Fadil Hoxhës: “populli u morën qafë, se po të jetë ai në vendin e Hoxhës, do të jepte dorëheqje.”Por nga libri i Shaban Haxhisë nuk dihet çfarë është përgjigjur Fadil Hoxha!? Haxhia ua ngarkon fajin kryesor për planifikimin, përgatitjen dhe kryerjen e masakrës mbi popullsinë civile të Gjilanit sekretarit të partisë, Shtabit të Brigadës XVII-të Maqedonase, komandantit të vendit dhe OZNA-s. “Masakra është përgatitur prej tyre”. Në të njëjtën ditë veçse pasdite, atë të tërheqjes nga vendi i krimit Gjilani – në Prishtinë, Shaban Haxhia takoi edhe një herë Fadil Hoxhën, por kësaj radhe takimi ishte sy më sy. Haxhia ishte i pikëpamjes se ai më nuk mund të ishte komandant i Brigadës së VII-të Kosovare andaj i propozoi Hoxhës që ai të jepte dorëheqje. Fadil Hoxha e porositi të mos e bënte këtë veprim, sepse anëtarët e Shtabit do ta miratonin menjëherë. Sa për masakrën, Fadil Hoxha premtoi se do të niste një anëtar për të parë gjendjen.
As sot 72 vjet pas, nuk ka as shenjë, as varr, as përmendore të rreth 80 shqiptarëve të masakruar në fundvitin e 1944. Një lehtësi e padurueshme harrimi apo një indiferencë e turpshme!?

Botuar me 23 dhjetor 2006, Shtojca Koha për Kulture, fq. 36 Nr. 336/lulzim mjeku/rajonipress/

Loading...
Loading...
Loading...
Loading...

Shiko poashtu

Gjurmë Shqiptare – Historia e panjohur e Ismail Qemalit. Rrëfimi i jashtëzakonshëm

Vdiq nga një hemoragji apo u vra Ismail Qemali? Çfarë ndodhi në hotel Brufani në …

Leave a Reply

Loading...