Kryefaqja / HISTORI / Shqiptarët dhe asimilimi i tyre në Sanxhak

Shqiptarët dhe asimilimi i tyre në Sanxhak

Historia e shqiptarëve është një histori e ndarë mes visesh të ndryshme të Ballkanit. Herë e njohur, por edhe e panjohur, e dukshme, por edhe e padukshme.

Shqiptaret i gjen sot kudo në të gjithë rajonin. Siç janë edhe shqiptarët që jetojnë në zonën e Sanxhakut në Serbi. Për ta, është folur pak ose aspak.
Dikur Sanxhaku ka qenë pjesë e vilajetit te Kosovës, që së bashku me vilajetin e Janinës, Manastirit dhe Shkodrës përbënin Shqipërinë e viteve të Lidhjes së Prizrenit në 1878-n. Në 1912, kjo zonë u pushtua përfundimisht nga Serbia dhe Mali i Zi. Shqiptarët nën dhunën dhe masakrat e vazhdueshme u detyruan të shpërngulën në masë, duke u vendosur në Turqi, por edhe Siri e Jordani.
Të tjerët të mbetur tashmë nga shumicë e pakicë, iu nënshtruan një procesi përzierje asimiluese me boshnjaket, me të cilët i bashkonte në këtë zone feja, por jo gjuha sllave që megjithatë mbeti alternativa e vetme në kushtet e presionit dhe mungesës së shkollave shqipe.
E megjithatë, në zonën e ndarë mes Serbisë e Malit të Zi, shqiptaret nuk janë shuar. Ata janë sërish aty, të deklaruar nën detyrim si boshnjakë.
Rrugëtimi ynë ndalet në Sanxhakun e Pazarit të Ri apo siç quhet ndryshe, Novi Pazarit, që sot ndodhet brenda kufirit serb, një rrugëtim që na duhet ta ndërmarrim me një makinë me targa Serbie e me një kamera gjysmë-amatore.
Shqiptarët kanë zgjedhur të jetojnë në zona të thella për të mos humbur identitetin e tyre. Të grupuar në disa fshatra, ata e kanë shfrytëzuar këtë mundësi për të mos iu nënshtruar procesit të asimilimit.
Fshati Uglla, pjesë e rajonit të Peshterit, është i fshehur pas kthesash të ngatërruara, rreth një orë nga Pazari i Ri. Banorët janë mikëpritës, duket se mezi e kishin pritur një vizitë të tillë. Shqipja, sado arkaike, nuk ka humbur mes këtyre mureve.
“Të parët tanë nuk kanë ditur si të flasin serbisht. Të kishim shkollën do të ishim edhe ne kështu, por ne s’kemi shkollë shqip, vetëm serbisht”, thotë Sali Bajri.
Latif Huka, një tjetër banor “boshnjak” i Novi Pazarit, thotë: “Zor është me ruajtur gjuhën, se nuk e kemi shkollën. Nuk na lejnë ata neve. Zor, zor. Kush martohet me boshnjake e nuk di gruaja gjuhën, fëmija nuk mund me e ditë”.
Në familje të tilla të lidhura fort pas traditës, gjuha është kaluar brez pas brezi, deri tek më të vegjlit.
Jo gjithkund është njësoj. Tek të rinjtë, siç tregojnë të moshuarit, gjërat kanë nisur të zbehen.
“Sa për mua, sa për vllazën, ne jemi shqiptarë”, thotë Abaz Huka.
Një tjetër banor i këtij fshati, Arif Mujezinoviç, shprehet: “Këtu shqipen. Kur mblidhemi ne pleqtë që jemi disa, flasim shqip, se këto të rinjtë kurrkush. Nuk e dinë se kanë shkuar në shkollë serbçe”.
Të jesh shqiptar këtu nuk është e thjeshtë. Këtu shqiptarët janë komuniteti që gëzon më pak të drejta, më pak mundësi. Për më tepër, këto të drejta nuk mund t’i kërkojnë ose më mirë nuk kanë ku t’i kërkojnë.
Ne Boroshtice, një fshat tjetër jo larg, banorët tregojnë jo pa drojë mbi presionin shtetëror që bëhet.
“Qe tash, edhe shqiptari s’guxon as me hy këtu. Duhet me u lajmëru menjëherë kur hyn këtu. Pse? Çka don? Çfarë pune ke? Çfarë ke?”, tregon një banor.
Ketu gjen mjaft mbiemra të njohur, si Shkreli, Dukagjini etj. Një pjesë janë detyruar t’i ndryshojnë, duke u shtuar prapashtesa sllave, si e vetmja mënyrë për të mos patur probleme me autoritetet.
“E si mundet me qenë mirë kur ta merr dikush gjuhën e s’të len me fol shqip. Baba dhe nana më kane vdek , e dua Shqipërinë barabar me nënën dhe me babën”, thotë një shqiptar i Sanxhakut.
Në fshatra tjera situata është më e vështirë, sepse asimilimi ka qene thuajse tërësor. Në Arapoviç na presin mbi 20 burra të fshatit, të gjithë shqiptarë, por askush nuk mundet të flas shqip. Ndaj thërrasin një tjetër më të moshuar.
“Nuk kemi shkollë shqip. Po martohen me boshnjake e qashtu, fëmijët pas nonave po e humbim gjuhën”, thotë i moshuari.
Ne këto zona, shqiptarët janë detyruar të deklarohen boshnjakë, siç e pranojnë edhe banorët e një tjetër fshati, Bashicës.
“Tash na thonë bosanec. Tash jemi shkru boshnjak”, thonë në Bashicë.
Edhe pse shumë kujtojnë mbrojtjen që patriotët Haqif Blyta e Shaban Polluzha bënë nga çetnikët në qytetin e Pazarit të Ri, andej nga viti 1941 shqiptaret janë asimiluar në masë.
“E kemi humbur gjuhën. S’kemi patur asnjë mundësi”, shprehet me keqardhje një banor i zonës.
Edhe myftiu i Komunitetit Mysliman në Serbi, i njohur si një mbështetës i fortë fortë i të drejtave të boshnjakeve, pohon se ka rrënjë shqiptare.
“Fakt është se edhe nëna ime vjen nga Shkreli, ka prejardhje nga veriu i Shqipërisë, sikur edhe fisi i babës që është diku nga Gucia. Nuk e shmang e nuk e përjashtoj dot që të kem prejardhje shqiptare. Boshnjakët nuk kanë dashur të asimilojnë askënd dhe nëse kjo ka ndodhur, është bërë prej presionit të tjetërkujt”, thotë Muamer Zukurliç, kryemyftiu i Komunitetit Mysliman.
Ka shumë të tjerë në qytet, që druhen të pohojnë apo e kanë humbur identitetin e tyre. Kështu ka ndodhur edhe në shumë fshatra tjerë të Sanxhakut ku jetojnë sot shqiptarët.
Dhjetëra shqiponja fluturojnë mbi këto fshatra. Shqiponja kufitare i quajnë banorët e zonës, sepse dikur këtu ka qene kufiri. /Top Channel/

Loading...
Loading...
Loading...
Loading...

Shiko poashtu

Vojsava Tribalda Kastrioti, gjak i pastër arbëror

Nga Brunilda Ternova sjellim një sërë të dhënash, që sipas saj dëshmojnë qartë që Vojsava Triballi …

Leave a Reply

Loading...