Kryefaqja / OPINION / Republika “autonome” e Korçës -Themistokli Gërmenji 

Republika “autonome” e Korçës -Themistokli Gërmenji 

                           


Atdhetari Themistokli Germenji lindi ne janar 1871 në Korçën e patriotëve e rilindësve, dhe vdiq i pushkatuar në Selanik me 9 nëntor 1917, ishte një nga rilindësit qe luftoi për pavarësinë e Shqipërisë duke u sakrifikuar për të. Historia e tij dihet, por siç e kemi zakon ne shqiptarët harrojmë aq shpejt sa pastaj kur kujtohemi themi e kush ka qenë ky atdhetar i flaktë, e çfarë ka bërë për Shqipërinë, e përse paska luftuar ky, kot?
 

Prof. Aurel Plasari në një shkrim , na bën të ditur se Themistokli Gërmenji është dënuar nga dëshmia e një njeriu të vetëm, të quajturit Hasan. Nëse kjo është e vërtetë, na lejohet të nxjerrim përfundimin se gjykimi i tij ka qenë i mangët, me shkelje të rënda të procedurës, me kohë të kufizuar që për personin dhe veprën, për të cilën ai akuzohej, do të thotë se fati i tij ishte paravendosur. Mbi të gjitha, dënimi vetëm me thëniet e një dëshmitari është shkelje nga më të rëndat e të drejtave dhe lirive të njeriut, që vetë Franca dhe populli francez i ka krijuar dhe i ka mbrojtur ndër shekuj me rradhë. Për Themistokliun, nuk ka pasur gjykim të dytë të një shkalle më të lartë.

Në mbarim të vitit 1915 dhe fillimin e vitit 1916, ushtria serbe e cila qëndronte në tokat shqiptare, pasi u thye keqas nga ushtritë austro-hungareze e bullgare, u detyrua që me ndihmën e ushtrisë italiane të tërhiqet nga Shqipëria për t’u vendosur në Korfuz, e prej andej në Frontin e Selanikut. Me tërheqjen e ushtrisë serbe nga Durrësi, u tërhoq edhe Esat Toptani, i cili fillimisht shkoi në Itali, por pasi nuk hasi në përkrahjen e Qeverisë italiane, kaloi në Francë ku u mirëprit nga qeveria e saj, e cila në gusht të vitit 1916 e dërgoi në Selanik.

Më 16 tetor 1916, Nikolla Pashiqi, përmes një qarkore njoftonte përfaqësuesit diplomatik serb, për një fushatë të madhe nga ana e italianëve në Jug të Shqipërisë. Në të, veç tjerash, thuhej: “Në kohë të fundit italianët kanë zhvilluar një agjitacion të madh në Shqipëri. Ata i grumbullojnë fëmijët nga Epiri ( Qeveria e atëhershme serbe, ngjashëm si ajo greke, pjesën jugore të Shqipërisë e njihte si “Epir” dhe i dërgojnë për në Itali për shkollim pa pagesë; përgatiten të krijojnë në Epir ushtri nga shqiptarët; dërgojnë agjentë në mbarë Epirin për të krijuar çrregullime dhe të përgatisin kryengritje. Në agjitacionin e tyre, ata njëkohësisht veprojnë edhe kundër Esad Pashës dhe kundër nesh. Për ne flasin hapur si armikun më të madh. Përmes Myfit Beun, ish i deleguari i princit shqiptar, Vid në Romë, i cili tash qëndron në Gjirokastër, i cili punon së bashku me italianët, kanë arritur marrëveshje me përkrahësit e princ Vidit”

Shpallja e Vetëqeverimit shqiptar të qarkut të Korçës më 10 dhjetor 1916 është një ngjarje madhore në historinë e Shqipërisë. Ajo kishte shkakësi historike rrezikun e aneksimit të tij nga Greqia, para Luftës së Parë Botërore, gjatë dhe pas saj. Siç dihet, përgjatë Luftës Ballkanike të vitit 1912 dhe më pas, qarku i Korçës dhe i Gjirokastrës u pushtuan nga ushtria greke, e cila vendosi një regjim ushtarak, që bashkë me andartët dhe bandat kriminale të sjella nga Kreta dhe “batalionet e shenjta” të krijuara në Shqipëri, kryen gjenocid ndaj popullsisë shqiptare në vitet 1913-14, siç janë masakrat e përgjakshme në fshatrat kufitare të Kolonjës e të Leskovikut, Përmetit, Skraparit, Gjirokastrës, Tepelenës.
“Është me interes të vihet në dukje fakti se me pushtimin e Shqipërisë nga ushtritë e bllokut qendror, atdhetari i shquar shqiptar, Themistokli Gërmenji, së bashku me disa shokë, nga Sofja erdhi në Shqipëri dhe u vendos në afërsi të Korçës, fillimisht në Pogradec, që ndodhej në zonën e ushtrisë bullgare. Këtu ai krijoi çeta të armatosura, të cilat bashkëpunuan me çetat e formuara nga Sali Butka dhe që u përkrahën nga austro-hungarezët. Qëllimi i tyre i përbashkët ishte, të largonin pushtuesin grekë nga Shqipëria e Jugut dhe, duke shfrytëzuar kontradiktat e fuqive, të pengonin kështu orvatjet aneksuese të Qeverisë së Athinës. Me marrjen e Korçës nga ushtria franceze, rrethanat fillimisht nuk ndryshuan në të mirë të shqiptarëve, sepse francezët nuk e pranuan kërkesën e shqiptarëve që të largohen grekët dhe ngritjen e një administrate shqiptare. Ngjarjet e më vonshme luftarake, i bindën pushtuesit francez, se forcat shqiptare ishin të rëndësishme dhe se grekët, si të huaj në atë vend, nuk mund t’u hynin në punë. Kështu, më 10 dhjetor, 1916, koloneli Dekuan nënshkroi me përfaqësuesit e Korçës një protokoll, sipas të cilit, qyteti i Korçës me rrethet Bilisht, Kolonjë, Gorë dhe Opar, formon një krahinë “autonome”, e cila do të administrohej nga shqiptarët, nën mbrojtjen e autoriteteve ushtarake franceze. Shpallja e autonomisë me emrin “Republikë” u bë në një mbledhje solemne ku mbajtën fjalime nga Themistokli Gërmenji dhe koloneli Dekuan.

Më 19 tetor 1916, Nikolla Pashiq, nga Korfuzi, u dërgoi të gjitha përfaqësive diplomatike serbe një pasqyrë të gjerë rreth siç do të shprehet “çështjes shqiptare”. Pashiqi, pasi e përshkruante situatën e përgjithshme politike e ushtarake në Shqipëri, ndalet në disponimin e nacionalistëve shqiptarë të jugut, të cilët, sipas tij, edhe pse ndaj tyre “ishin indiferent”, disa nga ata, më me zë, konsideroinin se Shqipëria nuk mund të ekzistoj si shtet i pavarur, dhe “pasi u mashtruan” nga austro-hungarezët e bullgarët, ata vlerësojnë se tash më së mirë është të “bashkëpunojnë me Serbinë”, përkatësisht të “pranojnë që Shqipëria të bëhet provincë autonome e Serbisë, me kusht që mos t’u vendosen kufijtë midis shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës e të Dibrës…”.

Në fund të qershorit 1917, kryeministri grek, Venizellos, i kërkoi Parisit ndryshimin e situatës në Korçë, suprimimin e administratës shqiptare dhe kalimin përfundimtar të krahinës së Korçës në duart e autoriteteve greke. Menjëherë pas kësaj, autoritetet franceze ndërmorën masa ndëshkuese ndaj krerëve shqiptar të Korçës, duke e burgosur udhëheqësin e tyre, Themistokli Gërmenjin, i cili më vonë edhe u pushkatua


 

“Unë jam një patriot shqiptar. Nuk kam asnjë shkak armiqësie kundër francezëve. Nuk kam qenë kurrë kundër jush, por me ata që më dukej se garantonin lirinë e atdheut tim. Unë grekët i shikoj si armiqtë tanë më të mëdhenj. Kam marrë armët për t’i luftuar. Tash që autoritetet franceze larguan nga Korça përfaqësuesin e qeverisë greke, nuk kam më asnjë arsye për të qëndruar në mal. Vij pra tek ju si një njeri plotësisht lojal. Kimëni në dispozicion. Nuk kërkoj gjë tjetër veçse t’ju ndihmoj e të vë në shërbimin tuaj influencën time mbi popullsitë”. Nga këto fjalë atdhetare të Themistokliut, del qartë se rreziku kryesor për qarkun e Korçës ishte ai grek.
Pushkatohet nga një togë franceze pas shpalljes fajtor nga gjyqi ushtarak për kontaktet që kish pasur me autoritetet austro-bullgare në Pogradec para marrëveshjes me francezët, më dt. 9 dhjetor 1917. I shkruan të shoqes:

“E dashura ime Evdhoksi,! Rashë dëshmor i çpifjeve. Me qenë se unë nuk kthehem në Korçë dhe më s’ jam për shtëpi, tinë ke të drejt të martohesh, po për martesën tënde të këshillohesh me Pandelinë e Tsalit i cili ka për detyrë, si atdhetar që është, të mos të të lërë të vuash. Nënës i puth dorën. Vasilin dhe Efçën i puth me mall sytë. Dijeni që vdes i pafajshëm. Kërkoj ndjesë nga të gjithë atdhetarët, në qoftë se kam bërë ndonjë të ligë pa dashur. Rroftë Shqipëria nën mbrojtjen e Francës. Shoqi yt, Themistokli Gërmenji, Selanik 9, 11, 1917.

 

E përgatiti :

Fahri Xharra, Gjakovë

04.01.17

Loading...
Loading...

Shiko poashtu

Rexhep Qosja: Bashkimi i Kombit të ndarë, misioni i dy qeverive

Para më tepër se një viti ishte bërë publike nisma për krijimin e një Akademie …

Leave a Reply

Loading...