Kryefaqja / OPINION / Popullit t’i thuhet e vërteta

Popullit t’i thuhet e vërteta

Prof. Dr. Hakif Bajrami

“Popull i nderuar, pushteti që të rrenë nuk të duhet fare. Ndërroje!” / Çarli Çaplini

 

Kemi luftuar kundër Serbisë okupatore, por prapë politikanët servilë na kanë sjellë në pikën kritike, në pozicionin e shtetit më të izoluar në Evropë. Lidhur me këtë, qarqet politike të BE-së po e akuzojnë Republikën e Kosovës, se nuk po e ratifikon demarkacionin me Malin e Zi. Në fakt, faji është në oborrin e BE-së. Republikën e Kosovës nuk e kanë pranuar pesë shtete anëtare të BE-së, me të drejta të vetos. A ka veto në BE, ka, por ajo e drejtë nuk elaborohet kurrë në opinion. Shqiptarë, ne intelektualët e Kosovës dhe më gjerë, duhet të turpërohemi se po manipulohet me popull tonë, e ne po heshtim, po blofojmë, madje jemi katandisur pas gradave dhe funksioneve akademike, sepse aty ka para të majme, e kush është pranuar, i mjeri ky popull për fatin e tij, shekuj me radhë. Esat pashallarët (pushtetarët tanë inferior dhe servilë, para të huajve!) po hedhin valle para syve tanë, madje na akuzojnë dhe mbjellin mjegulla për t’i ruajtur fotelet e pista, nga nepotizmat e tyre, partiakizmat dhe ultësitë e tjera bizantine. As në vitin 2017 nuk do të ketë viza, me këta poltronë dhe super-poltronë që janë në pushtet, sepse kurrë nuk guxojnë të flasin të vërtetën.

Popull i nderuar, të shkruash për ty, është krenari, të flasësh me ty publikisht, është më shumë se virtyt i krenarisë, sepse je në esencë i dëlirë dhe beson shumë shpejtë edhe në atë që nuk duhet t’i besohet, natyrisht pa fajin tënd, sepse je civilizim i besës së moçme shqiptare. Kjo besë na ka mësuar të jemi të “egër”, por shumë mikpritës. Popull i nderuar, lexoje Kushtetutën e Republikës Kosovës, Nenin 1. alinenë 3, në të cilën thuhet: “Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti”. Pse flasim për bashkim kombëtar, kur çdo veprim i tillë do të konsiderohet “antikushtetues”. Kuptohet, “mendimtarët politikë”, do të thoshin se këtë Kushtetutë të orkestruar na e ka imponuar bashkësia ndërkombëtare. Përgjigje e sofistikuar, pa asnjë fytyrë morale dhe njerëzore. Por duhet të dihet se afro 70 % e popullit e ka sabotuar luftën e UÇK-ës. Prej kah erdhën tani 46000 luftëtarë?! Po, kush i ka thënë Adem Demaçit dhe Adem Jasharit : “Dorë e zgjatur e Serbisë”?!, kush ka dërguar komision për çarmatimin e UÇK-ës, kush ka dezertuar nga fronti i luftës? Dihet, pse nuk botohen dokumentet hapur, sepse disa pushtetarë tani janë aty si urdhër dhënës.

Popull i nderuar, i merr dy marrëveshjet ndërkombëtare që u nënshkruan për: asociacionin dhe demarkacionin. I lexon me kujdes. Lexojeni asociacionin me kujdes sidomos (ama në origjinal shqip, serbisht dhe anglisht). Askund nuk përmendet Kushtetuta e Kosovës. Kemi të bëjmë me krijimin e një “Republike serbe në Kosovë”. Këtë dokument e ka nënshkruar Isa Mustafa, i cili nxori fytyrë duke e dërguar në Gjykatën Kushtetuese, dhe ajo ia gjeti 23 shkelje të Kushtetutës së Republikës Kosovës. Asgjë nuk ndodhi në funksionin e tij. Bile akuzon dhe fyen për çdo ditë ata që ia përmendin të bëmat dhe të pabërat e duhura. Popull i nderuar, lexojeni marrëveshjen për demarkacionin, në të cilin Komisioni shtetëror punon dy vite ilegalisht dhe e nënshkruan ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, atëherë Hashim Thaçi. Hulumtojeni se secili anëtar i komisionit kurrë-kurrë në jetën e tyre, nuk ka punuar në një detyrë të tillë. Dhe kuptohet, pala tjetër duke e studiuar pozitën intelektuale- profesionale boshe u përqendrua në “faktorin kadastral”, që në asnjë masë të së drejtës ndërkombëtare nuk merret si kriter për nomimin e kufijve.

Popull i nderuar, tani nuk ka ditë, javë dhe muaj, që dueti Isa Mustafa & Hashim Thaçi, nuk akuzojnë në bllok të gjithë ata që nuk pajtohen me tradhtinë kushtetuese të tyre, se BE-ja: “Nuk po i lejon vizat për shkak se demarkacioni nuk është ratifikuar”!. Dhe, nuk ka asnjë dokument nga pala malazeze që vërteton se kufiri ishte ku aludon dueti Mustafa – Thaçi, dhe komisioni fantom. Pala malazeze i ka deponuar hartat koloniale të Banovinave të Kralevinës nga viti 1929, dhe me ato Mali i Zi kërkon territor shtesë se pak ka marrë deri me tash troje shqiptare. Ky fakt duhet të thuhet publikisht, kur miku donë të ndrydhë për interes shumë të padrejtë. Tani të dihet publikisht se, kur pesë shtete të BE-së, nuk e kanë pranuar Republikën e Kosovës, nuk ka viza për shtetasit e saj. Po çfarë problemesh ka Ukraina bie fjala me kufijtë e vet, e për ata ka viza! Jo, Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia, Qipro, nuk lejojnë viza për Republikën e Kosovës. Pra, nuk është fjala për ratifikim të demarkacionit, por zyrtarët e BE-së e kanë gjet ekipin që akuzon dhe fyen çdokënd që u del përpara, duke mbetur në koniunkturë me Brukselin. E kur jemi këtu duhet një krahasim. Pse Kosova u pranua në UEFA dhe FIFA, sepse kuadrot që e drejtojnë Federatën e Futbollit Kosovës kanë punuar me tërë fuqinë morale, intelektuale dhe profesionale; pse u pranuam në Komitetin Olimpik, sepse ata që punojnë aty janë edhe patriotë edhe profesionalistë. Shikojeni popull i nderuar vetëm një detal, kur u pranuam në UEFA dhe FIFA, gazetarët dhe mysafirët që ishin profesionistë të sportit, por si patriotë të vërtetë qanin nga emocionet pra popullit në ekranet televizive. Po kur do të qajnë: Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi që e sollën Republikën serbe në Kosovë; që ratifikimin provojnë ta kontabandojnë dhunshëm në Kuvend. Jo këta, do të qajnë, vetëm kur t’i prekë gazi lotsjellës. Kosovën nuk po e pranon as Izraeli, sepse donë të mbajë miqësi me Serbinë, e cila më 1939 sajoi program për shfarosjen e hebrenjve. Madje 11000 hebrenj u shfarosen në Serbi me organizim të qeverisë naziste të Millan Nediqit dhe Kishës Ortodokse Serbe 1941-1944. (Ka fakte!). E shqiptarët ishin i vetmi komb në Evropë që i ndihmoi hebrenjtë, sepse vet kishin vuajtje të tilla 1877-1945 dhe më tutje deri më 1999.

Pse nuk thuhet hapur se Republikën e Kosovës nuk po e pranon Vatikani, i cili edhe shenjtërimin e famëlartës Nëna Terezë e bëri me prapavijë, duke e quajtur e “Kalkutës”! E vërteta: Papa i respektuar që dha dorëheqje para këtij, që është në fron sot, tha brutalisht, por sinqerisht: “Nuk e pranojmë Kosovën, sepse i kemi marrëdhëniet shumë të mira me Serbinë”. E Vatikani është edhe shtet prej viti 1929. Republikën e Kosovës nuk po e pranon as Irani e Iraku me Siri, sepse janë nën ndikimin e Rusisë dhe Serbisë. Edhe kjo duhet të thuhet e këtu në Kosovë çfarë sektesh nuk kanë lindur, pas vitit famëlartë 1999. Edhe një fakt, duhet të thuhet: se Arabia Saudite na ka pranuar falë Dr Rexhep Bojës, sikur Egjipti që na ka pranuar falë Mr. Naim Ternavës. Pra pranimet selektive janë barë edhe në Afrikë dhe Azi. Janë bërë falë Behgjet Pacollit. Po nuk është debatuar kurrë në Qeveri, pse nuk jemi pranuar në UNESCO? Dihet, Japonia dhe Polonia nuk kanë votuar, sepse diplomatët tanë kanë bërë marri dhe Ministria e Jashtme ka heshtur.

Të përfundojmë: BE-ja e ka fokusuar fajin e vet në mosratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, sepse pesë anëtarët e saj nuk e pranojnë Kosovën, dhe ai mospranim patentohet me dyer të mbyllura. Dhe deri sa të pranohet Republika e Kosovës, më BE nuk do të ketë, se pse Anglia shkoi, lajmërohen Italia, Holanda, por edhe Austria, që kërkon (firmat e saj private) t’ia grabisin Kosovës mbi 300 milionë euro dëme në saje të Gjykatës Arbitrazhit, në dëm të shtetasve të Kosovës. A miq janë këta a, të cilët shikojnë me ta marrë kafshatën prej gojës dhe prapë më e shtri dorën e lypësisë.

Çfarë po ndodhë me lidhjet e përçuesin rrymës Kosovë – Shqipëri. Pse këtu nuk arbitron BE-ja? Kjo çështje është ekonomike-sociale dhe asgjë tjetër për BE-n. Po, janë kundër vizave edhe ato shtete që janë të varura nga gazi i Siberisë. Ndërsa në opinion na shitën se “ju kemi miq”, madje na quajnë edhe “vëllezër”. Deri kur të ndrydhur dhe të nënçmuar?

Popull i nderuar duhet të mendoni nesër kë do ta votoni. Unë nuk jam ai që kërkoj votën tuaj, por jam mësuar ta them të vërtetën edhe nëse është kundër meje!

Loading...
Loading...

Shiko poashtu

Rexhep Qosja: Bashkimi i Kombit të ndarë, misioni i dy qeverive

Para më tepër se një viti ishte bërë publike nisma për krijimin e një Akademie …

Leave a Reply

Loading...