Kryefaqja / OPINION / Amerika , zëri i fortë i shqipes !

Amerika , zëri i fortë i shqipes !

…….për të shpëtuar Shqipërinë prej kthetrave të shovinistëve fqinjë. ” Ne mendojmë, – shkruante Mit-hat Frashëri,- se Republika e madhe amerikane do të kryente një shërbim të jashtëzakonshëm për njerëzimin, duke realizuar këtë mision”.
Marrëveshja Tittoni-Venizellos, 29 korrik 1919, vendosi që Greqia të mbështeste kërkesat e Italisë në Vlorë e Hinderland, dhe, gjithashtu, kërkesën e saj për të qenë protektore e qeverisë myslimane shqiptare. Në këmbim të saj, Italia i jepte Greqisë pjesën jugore të Shqipërisë, ose “Vorio-Epirin”, siç e quanin grekët. Por Italia kërkonte edhe një pjesë të Sazanit, me qira, për 50 vjet, e cila do të konsiderohej e lirë. Në shtypin grek, kjo u konsiderua si një arritje e madhe e politikës greke.

Venizellos u përpoq të bindë konferencën, se nuk duhet të jetë gjuha kriter. Faktin që ushtrohej presion, ndaj shqipfolësve, për të mos dalë në prani të të huajve, Venizellos e shtrembëron duke thënë se, meqenëse kombësia nxirrej nga gjuha (sipas Komisionit të Kufirit), gratë që flisnin vetëm shqip, por që nuk e konsideronin veten shqiptare, fshiheshin në shtëpitë e tyre për t’u shpëtuar pyetjeve të komisionit”. Kështu, ai del plotësisht zbuluar në qëllimin e vet, pasi kur gratë flasin shqip, do të thotë se e gjithë familja flet shqip. Burrat flasin gjuhë të tjera edhe për shkak të kurbetit. Venizellos përpiqet të numërojë edhe shkollat greke, në një kohë që dihet se ato janë hapur me dhunë, nën kujdesin e Perandorisë Osmane dhe Patrikanës së Stambollit. Sipas të dhënave të vitit 1878, në tre sanxhaqet: Vlorë, Berat, Gjirokastër, kishte 80 shkolla turke dhe 163 shkolla greke, por ende asnjë shkollë shqipe.

Shoqëria kulturore e shqiptarëve të Rumanisë, në një letër drejtuar Konferencës së Paqes, nënvizonte: “Në Shqipërinë e Jugut ka vetëm shqiptarë. Edhe gurët flasin shqip në ato vise”.16

Delegati shqiptar, në Konferencën e Paqes në Paris, Dr. Turtulli, deklaroi: “Dihet, botërisht, se në trevat që grekët quajnë “Epiri i Veriut”,– kurse ne e quajmë Shqipëria e Jugut, – nuk ka asnjë grek. Unë jam prej Korçe, ku kam ushtruar mjekësinë. Jam një burrë plak dhe i ndershëm. Unë shpall këtu, në mënyrë të preme, se nuk ka asnjë banor grek, as në qytet dhe as në rrethin e Korçës. Grekët quajnë grekë, ata të fesë ortodokse. Unë jam ortodoks, por nuk jam grek. Bullgarët dhe serbët janë ortodoksë, por nuk janë grekë. Shkollat greke janë, vërtet, shkolla ortodokse shqiptare. Ngjarjet e vitit 1914, të cilat propaganda greke i paraqiti si kryengritje të popullit të Shqipërisë së Jugut për t’u bashkuar me Greqinë, u provokuan dhe u drejtuan nga oficerë grekë. Ata përdorën si mjet andartët e Kretës dhe ushtarët grekë, që nuk kishin hequr as uniformat e tyre”.

Patriotët shqiptarë e shihnin rrezikun fare afër dhe reagonin me aq forcë sa kishin, por prej tyre dihej fakti, që vendimet merreshin nga të mëdhenjtë. Mithat Frashëri, si delegat i shoqërisë Panshqiptare “Vatra”, në SHBA, më 30 tetor 1919, ka deklaruar: “Ata që mbajnë në duar fatet e popujve dhe që në këtë çast kanë zënë vend në Konferencën e Paqes në Paris, duhet të binden, se kurrë paqja dhe qetësia nuk mund të vendosen në Ballkan, në rast se nuk do të pranohen kërkesat e shqiptarëve”.

Në memorien drejtuar Presidentit amerikan Willson, ku i shpjegon përpjekjet e disa Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë, në vijueshmëri, sidomos në vitet 1878, 1913 dhe sërish më 1919, i kërkon ndihmë, si një fuqi jo e interesuar në Ballkan, për të shpëtuar Shqipërinë prej kthetrave të shovinistëve fqinjë. Ne mendojmë, – shkruan ai,- se Republika e madhe amerikane do të kryente një shërbim të jashtëzakonshëm për njerëzimin, duke realizuar këtë mision”. ( sipas Shqipe, horizonti yt! )

Dhe Amerika e bëri !

Fahri Xharra,15.01.16

Gjakovë

 

Loading...
Loading...

Shiko poashtu

IDENTITETI SHQIPTAR I ÇAMËRISË

Lidhja me Çamërinë mua më vjen nga zemra, nga shpirti, nga varri i gjyshërve dhe …

Leave a Reply

Loading...