Kryefaqja / HISTORI / Çamëria vendbanimi arbëror

Çamëria vendbanimi arbëror

Nga Pëllumb Xhufi

Vagenetia, Çamëria e sotme ose Thesprotia antike, dëshmohet që në shek e IX. Me emrin Vageneti kuptohet pjesa e Epirit klasik me territoret nga Gjiri i Prevezës deri në Delvinë. Është i rëndësishëm pohimi i “Kronikës së Tokove”, se në të gjithë shtrirjen Pargë-Paramithi-Janinë,-Artë, banonin popullsi shqiptare. Më 1401 Gjon Zenebishi, sundonte një pjesë të mirë të Vagenetisë-Çamërisë.

Më 1443 në një burim venecian, përmendet fortesa e Strobilit, mbi “kepin e Vagenetisë”, ndërtuar nga Simon Zenebishi, djali i Gjon Zenebishtit. Parga përmendet për herë të parë nga një ekspeditë e flotës veneciane, në vitin 1318, dhe në vitin 1395, i përkiste sundimtarit shqiptar të Artës, Gjin Bua Shpata. Venecianët e konsideronin Pargën si bastion të shtetit venecian dhe të të gjithë krishtërimit. Aravantinoi, banorët autoktonë të Pargës, i ndante në 17 familje, që në gjuhën e vendit quheshin farë, dhe që ishin: “Desila, Vasila, Vrana, Domulica, Pecali, Vervicioti, Zhulati, Mavrojani, Papira, Kallulli, Idromeno, Verga, Çoridhi, Lubea e Zhupani”. Në regjistrimin e vitit 1583, banorët e qytetit paraqiten të tërë të krishterë. Gjatë shek XVI të gjitha qytetet dhe fshatrat e Vagenetisë, Strobil, Sajadh, Igumenicë, Janinë, Marglliç, Nikola, Paxo, Paramithi, Parga, Suli, Vilichi, Preveza, ashtu si ato të mbarë Epirit, kishin popullsi të krishterë, vetëm qyteti i Janinës dhe Marglliçi, kishin një komunitet të vogël mysliman.
Toponimia e Sulit është krejtësisht shqiptare: Bira, Bregu, Vetëtimës, Kungjë, Vila, Qafa, ndonjë emër grek si: Agia, Paraskevie etj., është përkthim i thjeshtë i origjinalit shqip. Autorë të huaj kanë konstatuar se “banorët e Sulit ishin padyshim shqiptarë”… Përmendja e parë e Sulit bëhet në vitin 1772, të Proveditorit të Përgjithshëm të Detit, nga Korfuzi, për përgatitjet që bëheshin nga myslimanët shqiptarë për të sulmuar Sulin e për ta kthyer atë në besën e tyre.

Ndërsa Preveza shfaqet së pari në “Krionikën e Moresë” shek. i XIV. Defterët osman të viteve 1520, 1530, e përfshijnë Prevezën në Sanxhakun e Janinës, me popullsi të krishterë. Me shumë interes është njoftimi i Lord Broughtonit, në fillim të shek të XIX, i cili shkruan se Preveza kishte 3000 banorë, “pjesa më e madhe ishin shqiptarë, që dalloheshin nga veshja, mënyrat e sjelljes, dhe gjuha”. Më 1519 flitet për shqiptarët kryengritës të rretheve të Janinës, të cilët u sulmuan nga Sanxhaku i Janinës dhe timariotët e tyre e quanin gjithë brezin bregdetar përballë Korfuzit nga Porto Palermo në Fanar, “bregdeti i shqiptarëve”. Burimet veneciane nga shek XVIII, e dëshmojnë si Çamëria shqiptare, me zhvillime dhe rimëkëmbje ekonomike, lulëzim të prodhimit dhe tregtisë së grurit.

Himara

Himara dëshmohet si peshkopatë që në vitin 1020, nën vartësinë e selisë metropolitane të Ohrit, e duke filluar nga shek. XV si sufragane e Janinës. Pozicioni i veçantë strategjik buzë rrugëve detare, i kishte siguruar Himarës, një prestigj historik të pakrahasueshëm dhe i jepte asaj një rol në trafiqet dhe sigurinë e lundrimit në ujërat e Adriatikut e të Jonit. Në kuptimin e përfaqësimit, kjo e bënte Himarën “kreun e gjithë Arbërit”. “Këtu qëndron arsyeja – konkludon prof. Xhufi – pse burimet perëndimore e emërtojnë “Himarë” gjithë trevën që përfshinte Himarën dhe Labërinë e sotme, ndërkohë që emri arbër kishte një përdorim të brendshëm dhe shfaqet thuajse gjithmonë në letrat që vetë përfaqësuesit e Himarë-Labërisë i dërgonin kancelarive të huaja.

Në shek XV-XVIII të huajt e konsiderojnë Himarën pjesë të Shqipërisë. Si territor, emri Himarë i atribuohej qytetit dhe provincës Himarë, dallim që bëhej nga vetë himariotët në letrën e 14 tetorit 1566 për Mëkëmbësin e Napolit. Në marrëdhëniet ndërkombëtare me kancelaritë e huaja, himariotët flasin gjithmonë për Himarën “politike”, si një territor i lirë. Në raport me Shqipërinë, që sundohej nga të huajt, e tillë ishte Shqipëria “veneciane” dhe Shqipëria “turke”, Himara bënte pjesë në territoret e lira shqiptare. Këtë status lirie, Himara e gëzonte “falë maleve të frikshme e të paafrueshme të saj”. Në letrën dërguar Papës Grigor i XIII, më 1581, himariotët i prezantojnë atij listën e fshatrave që sipas tyre përfshiheshin në konceptin Himarë: fshatra të Labërisë, e madje edhe nga Toskëria – Peshtan, Dragot, Damës, gjithsej me 52 fshatra. Edhe dy shekuj më vonë, më 17 nëntor 1759, në letrën dërguar careshës së Rusisë Elisabeta Petrovna, himariotët fiksojnë konceptin e Himarës së “madhe”, edhe pse gjysma e fshatrave Arbëri-Labëri, ishte islamizuar!

Pas kalimit nën autoritetin e Portës, në kohën e Sulltan Mehmetit të II, në vitin 1470, për Shqipëri e Poshtme, banorët vendas dallonin dy njësi gjeopolitike, Himarën dhe Arbërin, të cilat kishin një marrëdhënie të ngushtë mes tyre. Në një dokument të vitit 1500 shkruhet se “banorët e Himarës janë ilirë, që sot quhen arbërorë, megjithëse përdorin diçka edhe gjuhën greke, po e përdorin atë si jo grekë”. Statusi politik i Himarës në disa dokumente, trajtohet si Shqipëri: “veneciane”, si Shqipëri “turke” e si Shqipëri “shqiptare”. Në vitin 1532 një francez thekson se kjo “Shqipëri e shqiptarëve” aktualisht njehsohet me një vend të Shqipërisë që quhet Himarë, ku ndodheshin male të frikshme të mprehta. Më 1579 një shqiptar nga Pelaponezi, Joan Gjergj Herakli, fliste për vendet e Himarë-Labërisë që ishin të lira dhe luftonin vazhdimisht kundër Turqve, duke i identifikuar në fshatrat: Himarë, Zhulat, Borsh, Vuno, Fterra, Dhërmi, Tatëzat, Qeparo, Palas, Kurvelesh, Tërbaç, Senic, Pilur, Lëkurës, Nivic-Bubar, Buzi, Vergo, Dukat, Shën Vasil, Vranisht, Kallarat, Lukovë, Kuç, Bunec, Progonat, Sasaj, Nivica, Piqeras, Lopës, Humelica.

Mes shumë dokumenteve që provojnë shqiptarësinë e Himarës, po sjellim edhe atë të vitit 1579, ku një shqiptari nga Peloponezi, Joan Georg, Erakleu, flet për “vendet e Shqipërisë që ishin të lira dhe që luftonin vazhdimisht kundër turqve”, përkatësisht për fshatrat e Himarë-Labërisë dhe rreshton po ato fshatra që përmban letra e mësipërme. Në aspektin administrativ, Kostandinopoja e konsideronte Himarën pjesë e nahijes së Kurveleshit, ndërsa Perëndimi e konsideronte vend të njohur nga koha e Homerit dhe Jul Cezarit, si vitrinë e gjithë Arbërit. Mes Himarës dhe Arbëri/Labërisë, ekzistonte një lidhje e ngushtë, një konfederatë, jo thjesht si një aleancë ushtarake e kërkuar nga rrethanat e luftës së përbashkët kundër turqve osmanë. Gjuha, zakonet, emrat, ngjarjet, fatet dhe, deri në fund të shekullit XVII, feja e përbashkët, e këtyre nënkrahinave flasin për një unitet etno-gjeografik, aq sa, edhe vetë Himara tregohej nga himariotët si pjesë e Arbër/Labërisë.
Në vitin 1691 tregtari nga Saranda Llazar Nako, shkruante se së shpejti do të nisej me një anije për në Arbër ku “do të ngarkonte valanidh”. Bëhet fjalë për Himarën, në shpatin perëndimor të maleve buzë bregdetit, nga Lukova në Palasë. Në një nga këto skela do të vinte Llazari për të tërhequr ngarkesën e Valanidhit. Me raportin e Juan Thomas Saetta-s, i dërguari i mëkëmbësit të Napolit, në tetor 1566, ndriçohet përshkrimi më i zgjeruar etno-demo-gjeografik të sistemit Himarë-Labëri. Për hartimin e raportit të tij, Saetta u mbështet mbi të dhënat e dy krerëve himariot: Gjon Aleks Zakani dhe Kristofor Trompetini. Ky është përshkrimi më i plotë i trevës, Himarë-Labëri. Aty ka të dhëna për numrin e shtëpive dhe luftëtarëve që nxirrte çdo fshat dhe fillon me fshatrat “që ishin të bashkuara me Himarën nga kohët e shkuara”.
Në letrën e Markezit të Atripaldës dërguar Napolit më 14 gusht 1532, himarjotët rreshtojnë emrat e fshatrave që, sipas tyre bënin pjesë në aleancën ushtarake antiosmane. Këto paraqiten me emrin “fshatrat buzë detit”, “fshatrat e Arbërit mbi male”, “fshatrat në anët të Presejt” dhe “fshatrat në anën e Vlorës”. Krahas fshatrave shënohet edhe numri i burrave që dilnin për luftë. Në këtë shekull janë shumë dokumente që flasin për fshatra të Himarës dhe Labërisë. Siç e tregojnë shumë letra të himariotëve për papët e Romës, për mbretërit e Napolit, e deri tek letra e fundit e vitit 1756 për careshën e Rusisë, himariotët flisnin për një “Himarë” me përfshirje gjithë Labërinë (Arbërin) çka tregojnë se pjesa e Arbërit, përtej maleve të Himarës, me një fjalë Labëria e sotme, përfaqësonte pjesën më të rëndësishme, ndonëse më të fshehur të Arbërit. Kjo veçanërisht për numrin e fshatrave, potencialit ekonomik, dhe vendin që ajo zinte në ekonominë e luftës me numrin më të madh të trupave luftarake që Labëria mund të mobilizonte. Burimet e shumta të cituara në këtë botim, konfirmojnë, në nivel individual apo kolektiv, se banorët e Himarës ishin shqiptarë për nga gjuha dhe origjina. Deri në mesin e shek. të XVI, Labëria e Himara ruanin kompaktësinë midis tyre. Rezistenca e shqiptarëve në përgjithësi, e në veçanti e shqiptarëve të Himarës e të krejt Epirit, kundër pushtuesit osman qysh në fund të shek XIV, krijoi imazhin e Shqipërisë si ledhi mbrojtës i krishtërimit europian.
Himara konsiderohej faktor i rëndësishëm nga Venediku, sidomos në funksion të Korfuzit venecian. Himara e furnizonte me drithëra dhe produkte të tjera. Drithërat vinin nga fusha e Beratit dhe ajo e derdhjes së poshtme të Vjosës. Në 1559, Proveditori venecian i Korfuzit, Mark Mishiel, vinte në dukje se anijet veneciane furnizoheshin në Himarë me ushqime e ujë. Raporti përfundimtar theksonte se duhej mbajtur me çdo kusht miqësia me himariotët, pavarësisht se me bëmat e tyre ata i dëmtonin shpesh herë interesat veneciane. Nëpërmjet Himarës qeveritarët venecian mund të informoheshin për lëvizjet e turqve të Vlorës e të bregdetit të Shqipërisë.

Kryengritjet e vazhdueshme e kishin kthyer Himarën dhe krejt trevën në një zonë të lirë, ku turqit nuk mund të afroheshin. Për herë të parë Himarën e nënshtroi një shqiptar me kombësi shqiptare nga fshatrat e Himarës, gjenerali i konvertuar në Ajaz Pasha. Pas kësaj Himara ishte lëkundur në lirinë e dikurshme, vizita e sanxhakbeut të Delvinës në Himarë në 1558, dëshmon nënshtrimin e tyre, prandaj Himariotët iu përgjigjën thirrjes së sanxhakbeut të për të goditur disa fshatra kryengritëse, rivale të tyre. Konfliktet e brendshme që përgjaknin popullsinë, si dhe konfliktet me fqinjët myslimanë të Labërisë, e lehtësuan punën e Portës. Gjakmarrja mes himariotëve, i dobësoi shumë ata dhe i detyroi t’i nënshtroheshin Turqve, duke u paguar haraçin e përvitshëm. Në këto situata të vështira, shumë himariotë u shpërngulën në Korfuz, sikundër ndodhte në pragun e çdo beteje me turqit, ku shpesh shpërnguleshin familjarët, ndërsa burrat shkonin në front për të luftuar.

Në 1602, përfaqësues të fshatrave Himarë dhe Vuno, takuan sanxhakbeun e Delvinës, dhe i kërkuan ndihmë për të fortifikuar kështjellat, duke i dhënë 40 e 30 djem si shenjë besnikërie. Këta kaluan në fenë myslimane. Pas vitit 1668, Republika e Venedikut ishte kthyer kundër himariotëve dhe Labërisë, dhe për herë të parë në gjuhën e qeveritarëve venecianë, Himara quhej “vend armik”.
Sinjali i parë dokumentar për banorë grekë në kështjellën e Himarës, vjen nga vikari i Patrikut Athanas të Ohrit, Aleksandër Musela, në vitin 1614. Këtu fillon debati për Himarë, Palasë, Dhërmi, me popullsi greke. Në 1730, misionari i fundit bazilian në Himarë, Giuseppe Schiro, shkruante se nga 15 fshatrat e bregdetit himariot, vetëm tre ishin grekë nga pikëpamja etnike, 12 të tjerat ishin shqiptarë. Këto nuk e njihnin fare gjuhën greke, të parat bashkë me gjuhën greke përdorin normalisht edhe gjuhën shqipe. Prof. Xhufi konkludon se ndonjë pohim i rrallë, që flet për “grekët” e Himarës, ashtu siç flitet për “turqit” e Arbërit, duhet kuptuar në konotacionin e tij fetar e jo etnik.

Proveditor kapiteni i Korfuzit, Grimini, më 1616 shkruante se “Dhimitër Basta kishte sjellje të qytetëruara, megjithëse ishte lindur e rritur në një vend malor, si Himara, mes njerëzve të ashpër dhe zakoneve më se barbare”. Dhimitri pranonte se ishte nga gjaku i të famshmit shqiptar Gjergj Basta, që luftoi si gjeneral në frontin hungarez.
Një argument edhe më kokëfortë për përkatësinë shqiptare të Himarës, është raporti i 28 gushtit 1637, kur flet për himariotin papa Dhimitri të shkolluar në kolegjin ortodoks të Shën Athansit në Romë dhe që u përzgjodh për të realizuar përkthimin në shqip të doktrinës së krishterë, sepse “zotëronte një shqipe tepër elegante ngaqë ishte shqiptar nga kombësia”.
Pjesë nga libri “Arbërit e Jonit”, i Pëllumb Xhufit.

Loading...
Loading...

Shiko poashtu

Ismail Qemali për Neue Freie Presse (1912) : “Serbia nuk ka asnjë të drejtë të përparojë drejt Adriatikut dhe të copëtojë Shqipërinë.”

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 25 Shkurt 2020 “La Libre Parole” ka botuar, të mërkurën …

Leave a Reply

Loading...