Kryefaqja / HISTORI / Lufta e Mashkullores

Lufta e Mashkullores

Kur  në katër vilajetet shqiptare, era e lirisë kishte mbushur gjokset e shqiptarëve, Komiteti “Për Lirinë e Shqipërisë” (1905), me qendër në Manastir vendosi themelimin e çetave patriotike. Çeta e parë kombëtare u ngrit nën udhëheqjen e Bajos dhe Çerçizit në shtator të vitit 1906 dhe po atë muaj u promovua me aksionin e “Gurit të Cjapit”, më 9 shtator të vitit 1906 (sipas kalendarit allaturka).

Qëllimin e daljes me Çetën në malet e Shqipërisë, e bënë të ditur pishtari i Lirisë sonë Kombëtare, Heroi i Popullit Çerçiz Topulli, nëpërmjet një letre (qarkore) shpërndarë anë e mbanë Shqipërisë dhe botuar në gazetën “Shpresa e Shqypnisë”, janar 1907, e cila botohej në Raguz (Dubrovnik). Në të Çerçizi shkruan: “Me anën e kësaj letre dua të lajmëroj të gjithë vëllezërit patriotë, shqiptarë, miqtë tanë, si dhe gjithë të tjerët që interesohen për Çështjen e Shqipërisë, se unë me gjithë shokët e mij (duke lënë shtëpijat, familjet e gjithë pasurinë), kemi dalë ndër male si kryengritës, kundër qeverisë barbare tiranike, për Lirinë e Shqipërisë. Duke qenë se qeveria halldupe e Turqisë nuk na epë kurrfarë të drejte dhe aspak liri, pa shkolla në gjuhën tonë, pa siguri për jetën dhe pasurinë e popullit e, n’anën tjetër, qeveria kërkon e i merr me pahir pagesat e ndryshme të rënda, jo vetëm, por edhe duke na grabitur, plaçkitur sa s’durohet dot më……

Çerçiz Topulli

Vetëm liria është sharti dhe ilaçi për tu ringjallur shqipëri. U bëjmë thirrje gjithë shqiptarëve patriotë të Shqipërisë së Jugut e Veriut që të lidhen me ne me besa-besë….. Ky grishëm (lajmërim) bëhet në emër të 3 000 kryengritësve luftëtarë të betuar për Shqipërinë. Dhe duke dhënë besën se do të qëndrojmë burrërisht deri sa të arrijmë qëllimit, që është shpëtimi i Shqipërisë nga robëria, nga terri dhe prapësia e përgjithshme dhe për ta ndritur dielli i Lirisë”.
Vrasja e bimbashit

 

Aksioni i parë që bëri jehonë jo vetëm në Gjirokastër e përreth, por edhe përtej kufijve të ish Turqisë ishte vrasja e bimbashit. Fjala bimbash në turqisht do të thotë, major. Halil Musa Beu ishte komandant i xhandarmërisë në Gjirokastër. Ai pas veprimeve të Çerçizit për të ndalur dorën turko-greke ndaj patriotëve shqiptarë kishte dhënë urdhër, që të arrestohej cilido që ndihmonte e strehonte komitët. Bimbashi kreu disa arrestime, mori masa shtrënguese ndaj popullsisë në prefekturën e Gjirokastrës etj. Komiteti i Gjirokastrës dhe Komiteti, Për Lirinë e Shqipërisë e dënoi me vdekje Bimbashin. Për të marrë masat e fundit, Çerçizi, u takua me vëllain e madh, Kapon, i cili ju përgjigj: “Në se vrisni ju të çetës, do ta vras unë”. Për të vrarë bimbashin, u caktua Hajredin Tremishti dhe Asllani, por nuk mundën. Çerçizi mblodhi Çetën për të marrë masa të tjera, të gjithë kërkonin të ishin protagonistë në vrasjen e bimbashit, por, më aktivët u treguan Barjam Prongjia dhe Hito Lekdushi. Dy luftëtarët e lirisë u përgatitën për vrasjen dhe, u veshën si tregtar. Pas dy ditësh të qëndrimit në qytet. Më 25 shkurt (9 mars) në orën 11:15 në lagjen Hazmurat (sot mbi Drejtorinë Arsimore, në rrugën që të shpie në Qafën e Pazarit), me gjakftohtësinë më të madhe, koburet e dy trimave të Labërisë shtinë mbi bimbashin dhe Lamçen (bodigardin gjirokastrit) që tentoi të mbronte bimbashin. Bimbashi mbeti i vrarë ndërsa, Lamçen, Hitua e qëlloi në dorë, për të mos vrarë një shqiptar, dhe për ta nxjerrë jashtë mundësie për të reaguar. Çeta që kishte zënë pozicione rreth qytetit dhe në bregun e Teqesë së Baba Manes (Teqeja e Shtufit mbi universitetin E. Çabej), i ndihmoi luftëtarët të dilnin nga qyteti dhe zmbrapsi ushtarët që ju vunë mbrapa atentatorëve.
Epopeja e Mashkullorës, 18 mars 1908
Trupa të shumta turke të garnizonit të Gjirokastrës dhe ato që erdhën nga Janina, u vunë në ndjekje të çetës. Çerçizi e ndau çetën në dy pjesë. Ai mori me vete: Mihalin, Hajredinin, Asllaninin, Zemanin, Hiton dhe Myftarin. Ditën e martë më 4 mars (17 marsi) luftëtarët shkuan në shtëpinë e Myrto HaskËs, i cili ishte babai i Zemanit. Pa u zbardhur mirë dita Çerçizi pa si në mjegull një turmë njerëzish që po i afroheshin shtëpisë. Pasi vuri dylbinë dhe pa se ishin ushtarë u foli me urgjencë shokëve. “Oburani o shokë, se na rrethoi ushtria”. Luftëtarët morën ç’mundën dhe u drejtuan poshtë përroit. Por, spiuni (Veipi, të cilin Çerçizi e vrau, gjatë luftimit) i vuri re nga kaluan dhe i drejtoi ushtarët turq në drejtim të rrapit, i cili është edhe sot në qendër të Mashkullorës. Ushtarët hapen menjëherë zjarr, por Çerçizi dhe Asllani zunë më shpejt se ushtarët haurin e Abaz Çanos dhe hapën zjarr mbi ushtarët. Zemani, Myftari, Mihali dhe Hajredini, erdhën njëri pas tjetrit në drejtim të haurit. Gjatë rrugës nëpër lëndinën që të çonte tek hauri, u vra luftëtari më i ri i Çetës, Hajredin Tremishti, i cili në atë moment ishte vetëm 18 vjeç. Mihali që ishte pranë tij, nuk mundi të merrte trupin e pa jetë të luanit përmetar. I pikëlluar sa më s’bëhej, Mihali u dha shokëve lajmin e vrasjes së Hajredinit. Urejtja e trimave u shperh duke qëlluar pa reshtur mbi ushtarët turq. “Tre ushtarë njëri pas tjetrit, thotë Mihali, vrau Çerçizi, e të tjerë të plagosur që u dëgjoheshin ulërimat, sa i detyroi të tërhiqen… Pastaj, Luani, trimi e kapedani ynë, Çerçiz Topulli, mblodhi veten dhe ju drejtua shokëve me këto fjalë: “Të rrojë Shqipëria se edhe neve si Hajredini do të vritemi, por, o burrani, shok, të zëmë vendet e të luftojmë burrërisht dhe mos u trëmbni”. Çerçizi, Zemani dhe Myftari zunë qendrën e haurit, mbrapa Mihali me Asllanin. Hito Lekdushi ishte i fundit, ai nuk mundi të futej në “kështjellën e haurit”, një grup ushtarësh arritën ti prisnin udhën dhe ishin gati ta kapnin. Por, luani kurveleshas nuk e humbi toruan. Shqiponja tepelenase e Lekdushit fluturoi nëpër shkrepat e Levenishtës dhe pasi u përlesh me armë e trup me trup me ushtarët turq, pas tre orësh çau rrethimin dhe u ngjit në malin e Gjerë. Rapsodi popullor këndoi: Ndriçoi hëna ngjyrë prushi/Se shkonte Hito Lekdushi’/Për Hito Habibin thonë/Kërkonte haka të zonë. Lufta filloi në orën 5:30 dhe përfundoi rreth orës 18:00. Në këtë betejë për jetë a vdekje, çeta e shtatë trimave, me kapedan çerçizin në krye përballoi 200 ushtarë të batalionit turk, për rreth 13 orë dhe në një luftë të pabarabartë. Raporti i forcave ishte, një me 40. Në librin “Kryengritja shqiptare”, Mihal Grameno, një prej aktorëve të kësaj epopeje të lavdishme kombëtare shkruan: “Çerçizi u tregua një dragua në këtë luftë. Ai replikonte me ushtarët. Jemi bijtë e Skënderbeut dhe nuk jepemi, por do të luftojmë gjer në orën e fundit. Shqiptari di të vdes sipas zakonit e nderit. Vetëm dhe vetëm atëherë munda të besoj historinë e kombit tonë. Atëherë munda të njoh burrërinë dhe trimërinë e stërgjyshërve tanë, të kuptoj e të çmoj vleftën e këtij djali trim se megjithëqë u rrit i përkëdhelur, nuk i trembej vdekjes. Zbathur, kolos, me leshra përpjetë, vërtitesh nga të gjitha anët si një komandant i madh, me pushkën në dorë e gjashtaren në dhëmbë, duke burrëruar neve, duke qëlluar mbi ushtarët. Fytyra e tij këtë ditë ishte më e Çelur se kurdoherë”.
Rreth orës 05:00, në vendin e luftimit erdhën trupa të reja, por edhe sulmi i tyre u zmbraps nga zjarri i kalibruar i luftëtarëve të lirisë. Trupat turke dhe komanda e tyre, u përqendruan tek rrapi shekullor. Duke përfituar nga lodhja e kundërshtarit, çoroditja e ushtarëve dhe oficerëve, nga shiu që kishte rënë gjatë gjithë ditës, nga nata që po afrohej dhe nga mjegulla që sapo ra, strategu i kësaj fitoreje, Çerçizi, iu drejtua Zemanit dhe Asllanit. Vëzhgoni vendin përreth për të gjetur shtegun se nga mund të çajmë rrethimin. Zemani si mashkullorit e njihte mirë vendin. Propozoi të bënin poshtë përroit. Ashtu u bë. Çerçizi ndau detyrat: Zemani dhe Mihali tË parËt, ÇerÇizi do tË vazhdonte zjarrin, Asllan Starja do tË merrtre nË krah Myftarin e plagosur. Myftari u lutej shokËve ta vrisnin, se mos binin nË dorë të armikut. Por, Çerçizi i tha: “Po të vdesim ne, aherë do të vdesësh edhe ti, nuk të lëmë në dorë të halldupëve edhe sikur të japim jetën tonë, ti e bëre tënden. Po, bëj kurajo o trim. Pastaj iu drejtua shokëve: Mblidhi forcat, se do çajmë rrethimin.
Gjaku Hajredinit u bëftë dritë, përpara me shpetësi drejt përroit më të poshtët”. Kështu në zjarr e sipër çeta e çau rrethimin dhe arriti në Kasollet e Dino Çiços, ku shërbente një punëtor i kësaj familje të madhe gjirokastrite. Shahini sapo kishte hequr prej zjarrit kusinë e fasuleve dhe, u përgatiti luftëtarëve darkën me gjithë të mirat e rastit dhe sa më shpejt që qe e mundur. Mihali lidhi plagën e Myftari Axhemit nga Gjirkastra që u plagos tek hauri, ndërsa, luftëtarët e tjerë thanë rrobat në zjarrin e kasolles. Pasi u çlodhën dhe u siguruan se turqit nuk kishin rënë në gjurmë, Çeta shkoi në drejtim të Gjirokastrës mbi qytet në malin e Gjerë. Shahini shërbeu si korrier midis çetës dhe njerëzve të Çerçizit. Mirëpo, nuk qe i mundur takimi i çetës me Banushin, i cili nuk la vend pa i kërkuar po saqe e mundur ti shihte. Çerçizi vendosi të hynte në qytet, njerëzit nuk i hapnin portën nga frika e ushtarëve, spiunëve dhe xhandarëve që ishin shpërndarë nëpër qytet. Pasi trokiti në disa shtëpi, Çeçua u prit nga Resul Berberi.


Në shtëpinë e tij u bënë edhe takimet me njerzit e Myftzrit, të cilin e lanë në qytet dhe Çeta shkoi në Dervician tek familja e Thomait dhe pas kësaj në pyllin e Luvinës. Me këtë rast vlen për tu përmendur, ndihma e popullsisë minoritare të Dervicianit, Vanistrës dhe Goranxisë. Stefan Bakon nga Bularati, të cilët shërbyen jo vetëm për të mbajtur çetën për 45 ditë me bukë, ushqime e veshmbathje por edhe si ndërlidhës midis saj dhe komitetit të Gjirokastrës. Polizoi Gjini nga Vanistra dhe djali i tij Mihu venin e vinin në vendin e strehimit të çetës. Një miqësi të veçanë kishte familja Topulli dhe djemtë e saj, me Thoma Papapanon etj. Ata i dhanë Çerçizit letrat nga Misiri, Bari, Gjirokastra, Korça, Janina etj.

Me rastin e përvjetorit të Luftës së Mashkullorës, 18 mars 1934, në Gjirokastër u përurua busti i kryetrimit shqiptar, Çerçiz Topulit, vepër e skulptorit Odise Paskali. Busti u financua prej atdhetarëve gjirokastritë e më gjerë, sepse shteti ktheu përgjigje negative për financimin e tij. Çuditërisht edhe në vitet e tranzicionit që nga viti 1990 e deri më sot kjo figurë dhe kjo luftë nuk është kujtuar asnjëherë prej pushtetarëve e politikanëve shqiptarë. Atdhetarët gjirokastritë prunë nga Shkodra eshtrat e Çerçizit dhe u vendosën në vendin që sot quhen varrezat e Rilindësve. Me këtë rast, i tërheq vëmendjen organeve përkatëse të vënë dorë për mirëmbajtjen e këtyre varrezave. Çerçiz Topulli, u dekorua pas vdekjes me titullin e lart Hero i Popullit në vitin 1978.
*Pedagog, në Universitetin “Eqerem Çabej” Gjirokaster.
Dr. SHYQYRI HYSI* : Gazeta Albania

Loading...
Loading...
Loading...
Loading...

Shiko poashtu

Vojsava Tribalda Kastrioti, gjak i pastër arbëror

Nga Brunilda Ternova sjellim një sërë të dhënash, që sipas saj dëshmojnë qartë që Vojsava Triballi …

Leave a Reply

Loading...