Kryefaqja / OPINION / Çfarë shkruante ‘Der Spiegel’ për vrasjen e Jusuf, Bardhosh Gërvalla e Kadri Zeka?

Çfarë shkruante ‘Der Spiegel’ për vrasjen e Jusuf, Bardhosh Gërvalla e Kadri Zeka?

35 vjet pas vrasjes së tre veprimtarëve të çështjes kombëtare Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka në Untergrupenbah të Gjermanisë, vazhdon të mbetet mister atentati ndaj tyre. Tashmë është e qartë se Shërbimi Sekret Jugosllav qëndron prapa vrasjes së tyre, por deri më tani nuk kanë arritur të kapen atentatorët.

Në përvjetorin e 35 të vrasjes vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, Gazeta Express sjell një shkrim të revistës gjermane Der Spiegel të botuar 8 ditë pas vrasjes së 17 janarit 1982.

DER SPIEGEL, 25 janar 1982 – E TËRA DUKET SI EKZEKUTIM

Vrasës të panjohur vranë në afërsi të Hellbronn-it tre jugosllavë. Për autoritetet gjermane të sigurimit, masakra është një kulminacion i ri i luftës së nëntokës në mes të pjesëtarëve të shërbimit të fshehtë jugosllav dhe të kundërshtarëve të shtetit shumëkombësh të Republikës Federative të Jugosllavisë. Pas kroatëve në ekzil, duket se qeveria e Beogradit u ka shpallur luftë të përgjakshme edhe shqiptarëve në ekzil të Republikës së Kosovës.

BMW-ja e gjelbër 316 lëvizi prapa nga garazhi. Shoferi nuk deshi të kthejë në borë dhe e drejtoi automjetin prapa për 40 metra deri në një udhëkryq.

Kur automjeti u ndal nën një ndriçim rrugor nga një kantier ndërtimi doli një burrë në anën e djathtë dhe nga largësia prej tri metrash shtiu në brendi të automjetit.

Një burrë i dytë shtiu gjithashtu, pastaj qëndroi prapa automjetit që përmes plasaritjeve të dritareve anësore të bindej për efektin e të shtënave.

Ishte e llahtarshme ajo që kishin parëbanorët e “Habichtshöhe” të komunës Untergruppenbach afër Heilbronn-it natën në mes të së dielës dhe të së hënës të javës së fundit: automjeti katërcilindërsh kishte lëvizur më tej me shpejtësi të lartë, shoferi kishte mbajtur këmbën ende në pedalën e gazit. Pastaj me gjasë ai e kishte lëshuar friksionin… kishte vdekur. Automobili i pakontrolluar bëri një hark dhe u përplas në një derë të mbyllur të një garazhi. Rrotat e automobilit sharruan në borë; motori u shua; automobili u ndal.

Në brendi të automjetit policia gjeti:

– shoferin: Bardhosh Gervalla, 31 vjeç. Jugosllavi i qëlluar nga gjashtë të shtëna ishte shtrirë i vdekur prapa timonit të automjetit,

– bashkëshoferin e tij, Kadri Zeka, 28-vjeçar, i vdekur nga dy të qëlluara plumbi në pjesën e sipërme të trupit,

– vëllain e shoferit, Jusuf Gervalla, 36, gjithashtu i qëlluar nga dy plumba, i plagosur dhe në rrezik jete.

Të tri viktimat u identifikuan shpejt dhe u klasifikuan edhe politiksht: jugosllavë në ekzil të përkatësisë etnike shqiptare nga krahina e Kosovës, në jug të shtetit ballkanik dhe të tre agjitues kundër qeverisë në Beograd. Edhe për aktorët e krimit pati menjëherë të dhëna. Që në vendin e ngjarjes Jusuf Gervalla, i cili më vonë vdiq, pëshpëriti: “Kjo ishte UDB-ja”, Shërbimisekret shtetëror.

Dymbëdhjetë herë ishte shtirë nga dy pistoleta të kalibrit 7.65 në tre burrat; dhjetë të shtëna i kishin goditur në zemër, mushkëri dhe në zverk. Një nëpunës në vendin e ngjarjes: “E tëra duket si ekzekutim”.

E tëra ishte në stilin tashmë të provuar të sigurimeve shtetërore, është i mendimit snajperisti dhe instruktori policor nga Stuttgart-i, Siegfried Hübner: “Katër të shtëna duhet të qëllojnë – tri për ta gozhduar viktimën apo, nëse është në këmbë, për ta rrëzuar dhe për ta bërë të paaftë për rezistencë dhe pastaj e shtëna pasuese duhet të jetë domosdoshmërisht vdekjeprurëse”. Edhe kjo flet për UDB-në.

Jashtë vendit të tyre agjentët e Shërbimit të sigurimit dhe kundërshtarët e regjimit janë përfshirë qe sa vjet në konflikte të përgjakshme. Në shumë raste jugosllavët në ekzil kanë sulmuar me dhunë ambasadat, konsullatat dhe përfaqësuesit e vendit të tyre. Beogradi ndaj vrasjeve dhe terrorit ka reaguar të shpeshten me të njëjtat mjete. Si shesh i të shtënave ballkanike shërbeu edhe një herë Republika Federale e Gjermanisë dhe policia u tregua edhe një herë e pafuqishme t’u japë fund këtyre veprimeve.

Përgjegjësitë janë të qarta. Beogradi iu druan grupeve në ekzil si nxitëse të trazirave në shtetin shumëkombësh dhe i lufton ato. Vrasësit nga Shërbimi sekret kanë drejtuarpistoletat e tyre sidomos ndaj kroatëve në ekzil. Në shumë raste pjesëmarrja e Beogradit në vrasjen e kroatëve në ekzil është më se e qartë.

Për shembull: Kur kroati Franjo Goreta, vetë një ish-agjent i Shërbimit të sigurimit me urdhër vrasjeje në Republikën Federale të Gjermanisë doli nga radhët dhe e vrau një oficer udhëheqës, Beogradi nisi një komando ndaj tij. Ndaj Goreta-s, që porsa kishte kryer dënimin e tij me burg, njerëzit e UDB-së kryen një atentat, të cilit ai arriti t’i shpëtojë për pak.

Në procesin pasues ndaj tre aktorëve, gjyqtari shkroi në aktgjykim një apel, të paktën deri tash të kotë, drejtuar Bonn-it: “Është e papranueshme që në territorin tonë të kryhen vrasje të shteteve të huaja me qëllim të zgjidhjes së problemeve të tyre të brendshme shtetërore”.

Përveç kroatëve, duket se në thumb të organeve jugosllave kanë rënë edhe shqiptarë në ekzil. Që nga pranvera e vitit të fundit, kur rezistenca në krahinën jugosllave të shqiptarëve të Kosovës u shndërrua në trazira të përgjakshme, Beogradi si nxitës akuzoi të huajt. Sipas politikanëve beogradas, konflikti është dirigjuar nga shteti fqinj shqiptar dhe nga shërbimet besnike komuniste të Moskës, por edhe nga Republika Federale Gjermane.

Fakt është se vetëm në Baden-Ëürttenberg jetojnë 2.000 shqiptarë jugosllavë, shumica prej të cilëve me azil politik. Mbi aktivitetet e tyre Konsullata gjenerale e Jugosllavisë në Stuttgart jo rrallë ka ankesa.

Kështu, për shembull, kur në pranverë të vitit 1981 u organizua një demonstratë, jo sa për të rënë kushedi sa në sytë e shqiptarëve, që kërkonin ndarjen e Kosovës nga Jugosllavia, demonstruesit kur vërejtën seu fotografuan nga një shtëpi në të cilën ndodhej një shkollë jugosllave, hynë brenda dhe takuan aty përveç fotografit, edhe konsullin gjeneral jugosllav, Branko Dimitrijeviç. Ata e morën filmin, të cilin, megjitahatë, u detyruan t’ia kthejnë sërish policisë.

Ky do të ketë mundur të jetë edhe shkaku i vrasjes së mëpastajme, sepse njëri nga të fotografuarit e mundshëm në atë film mund të ketë qenë edhe Bardhosh Gervalla, shoferi i vrarë në Heilbronn.

Gervallajt ishin të njohur në skenën e ekzilit. Vëllai Jusufi, i cili në “Tageszeitung” vetëm seishte deklaruar për “luftën çlirimtare”, ishte edhe botues i një gazete në ekzil të njohur si “Zëri i Kosovës”.

Bardhosh Gervalla kishte ardhur në Gjermani në vitin 1974. Me asistencën sociale në Nordëürttenberg kishte bërë një kurs arsimimi dhe punonte një kohë të gjatë në një këshillimore për përkujdesje dhe çështje sociale në Solitudestrasse 44 në Ludëisburg. Bardhoshi, i martuar dhe me dy fëmijë, ishte aktiv sidomos në çështjet sindikale dhe të së drejtës së punëtorëve të bashkëkombësve të tij.

Koka politike e vëllezërve, të cilët ishin vendosur në Reinhaus në Untergruppembach në vjeshtë të vitit 1981, ishte pa dyshim Jusuf Gervalla, i cili nga Konsullata Gjenerale në Stuttgart u akuzua zyrtarisht si drejtuesi i organizatës “Fronti i Kuq”, që lufton qeverinë jugosllave. Organizata kishte qenë deri tash aktive vetëm në Jugosllavi dhe nuk kishte figuruar fare në raportet vjetore të Entit të Vendit dhe të Entit Federal për Mbrojtje Kushtetuese.

Jusufi, i martuar, tre fëmijë, do të duhej të ketë qenë botuesi i gazetës së ndaluar në Jugosllavi “Zëri i Kosovës”, për të cilën ai punonte nga vendbanimi i tij. Kadriu, gjithashtu gazetar, ishte bashkëpunëtor kyç i së njëjtës gazetë.

Në murin e jashtëm të shtëpisë në “Habichtshöhe 40″ javën e fundit u lëshua në gjysmështizë flamuri i kuq me shqiponjën dykrenare dhe me yllin pesërrembësh – ngjyrat e Kosovës dhe njëkohësisht të flamurit kombëtar të Shqipërisë.

Se çfarë rëndësie iu jep Beogradi aktiviteteve të shqiptarëve në ekzil nuk kuptohet vetëm nga masakra në Heilbronn. Ekzemplarik është edhe aksioni i madh i ndërmarrë nga Shërbimi i Sigurimit Jugosllav në fillim të vitit që shkoi kundër bashkëkombësit të tyre të vënë në thumb, Rasim Zenelajt. Zenelaj ishte drejtues dhe arkëtar i”Besëlidhjes Demokratike Shqiptare”.

Me të shtëna pistoletash ndaj kundërshtarit të regjimit, Zenelajt, i cili shpëtoi me lëndime të rënda, më 14 maj të vitit të shkuar, u bë me dije për herë të parë orientimi i ardhshëm kryesor i Sigurimit të fshehtë jugosllav.

Për ta shkyçur Zenelajn, Beogradi farkëtoi plane të kushtueshme, angazhoi agjentë të shumtë, mori përsipër bile rrezikun e futjes në komplotin e vrasjes edhe të përfaqësuesve konsullorë dhe të eksponimit të top-ndihmësve të heshtur. Ç’është e vërteta, plani dështoi. Pjesëmarrësit arritën të ikin. Në procesin që po zhvillohet tash në Frankfurt ndaj atentatorëve të Zenelajt doli edhe një herë në shesh përzierja drastike e zyrtarëve jugosllavë në ndjekjet vrastare të emigrantëve.

Në fund të viteve të ‘70-ta një agjent i Shërbimit të fshehtë nga qyteza e Kosovës, Ferizaji, ishte ngritur në rang konsullor. Me emrin Salih Salihi, ai paraqitet menjëherë pastaj në shërbimin diplomatik të konsullatës së vendit të tij në Republikën Federale. Së pari në Konsullatën Gjenerale në Hamburg, e më vonë në Konsullatën Gjenerale në Frankfurt. Aty u vendos si rojë me numër të letërnjoftimit ngjyrë hiri 6750. Në Frankfurt si nëpunës i lartë konsullor vepronte me numër të letërnjoftimit 6322 një tjetër agjent i shërbimit sekret, Svetozar Mirjaciq, i quajtur “Tozo”. Konfident i rangut të lartë të të dy shërbyesve ishte Rade Surla, më parë partizan dhe së fundi i etabluar si sipërmarrës ndërtimi në Frankfurt.

Surla i vizitonte shokët e konsullatës dhe i njoftonte për veprimet e njerëzve të ekzilit. Kështu, kujton shoferi i tij, kur Surla priste vizitë më tha: “Duhet treguar i vëmendshëm ndaj tij”. Njeriu i errësirës ishte gjenerali i Shërbimit të fshehtë, Milan Šašiq.

Në mars të vitit 1981, menjëherë pas trazirave në Kosovë, trioja i hyri aksionit në Frankfurt. Salih Salihi përgjonte mënyrën e jetesës së aktivistit shqiptar, Rasim Zenelaj dhe i dërgonte Tozo-s informatorë. U aktivizua edhe Surla, atëherë kur planet e sulmit të vrasjes u bënë konkrete. Gjurmë të ndryshme dhe dëshmitarë të komplotit vërtetojnë që nga atëherë se me sa lehtësi dhe sa masivisht kanë vepruar agjentët e Shërbimit sekret.

Agjenti i parë i vendosur kundër Zenelajt, një kroat në ekzil, i zbuloi urdhërdhënësit shtetërorë nëpërmes deklaratave të tij në procesin gjyqësor. Edhe agjenti i dytë nuk mbeti i heshtur: Ante Kujundžiq ishte rekrutuar nga Tozo si ekzekutor, kur filloi t’i denoncojë shokët e tij kroatë në ekzil. Policia gjermane tashmë dinte për hollësitë e përgatitjes së atentatit.

Veprimi i organeve jugosllave nuk u zhvillua edhe me aq maturi. Një bashkëkombës i panjohur në prill të vitit 1981 në lagjen e stacionit të trenit në Frankfurt iu drejtua me pyetje kroatit në ekzil, Ante Kujundžiq, se a do të mund t’i telefononte një personi të rëndësishëm dhe të paraqitej si”student i muzikës”. I huaji ia dha numrin e telefonit 21 77 01 dhe e instruktoi Kujundžiq-in që çdo shifre t’ia shtojë nga një dysh.

Nën numri 43 99 23 u lajmërua konsulli gjeneral jugosllav. Kontakti me Tozo-n ishte vendosur. Nga Kujundžiq u kërkua ta spiunojë shqiptarin në ekzil, Zenelajn. Si shpërblim Tozo i ofroi Kujundziqit para, dokumente të reja dhe ndihmë në marrjen e azilit politik në Republikën Federale të Gjermanisë.

Me rasin e një takimi të mëpastajmë Tozo më ofroi edhe një pasaportë të falsifikuar në rast se për shkak të ndonjë çështjeje të rëndësishme do të më duhej të ikja shpejt nga vendi. Kujunžiq: “E mora me mend se me gjasë do të duhej ta vrisja dikë”. Agjenti brofi dhe lajmëroi autoritete gjermane. Policia gjermane mori menjëherë në mbrojtje të kërcënuarin Zenelaj.

Zenelajt rreziku i parë i erdhi nga vetë moskujdesi i tij. Ai kishte treguar në rrethin shoqëror se si policia e kishte pajisur me një jelek antiplumb. Njëri nga ata që e kuptoi këtë ishte në shërbim të sipërmarrësit ndërtimor, Surla. Jugot sajuan planin se si ta manovrojnë kundërshtarin e tyre të mbrojtur nga plumbi në një situatë kur ai do ta hiqte jelekun antiplumb. Një grua do të duhej ta realizonte këtë dhe t’i shkrepte edhe të shtënat vdekjeprurëse nga pistoleta.

Si ndhmëse u shfaq shpejt bjondja serbe, Zorica Aleksiq. Ajo jetonte pa mjete financiare dhe pa punë në afërsi të Darmstadt-it dhe nëpërmes kërcënimeve dhe premtimeve për një shpërblim për vrasje prej 2.000.00 markash e përvetësuan shpejt për planin e tyre. U aranzhua edhe një takim mes gruas dhe viktimës së tij. Rasim Zenelaj e mori gruan në apartamentin e tij. Kur gruaja doli nga banjoja me pistoletë me siguresë të hequrai e kishte zhveshur tashmë edhe jelekun. Pesë të shtëna në afërsi të zemrës e plandosën Zenelajn.

Dorasja iku dhe poshtë tek dalja e shtëpisë u mor në automobil nga Surla dhe shoferi i i tij që e prisnin. Aleksiq ua ktheu armën dhe mori për këtë para dhe një biletë për në Beograd. Në një Volvo ngjyrë hiri e sollën menjëherë deri në aeroportin e Frankfurtit.

Por serbja megjithatë nuk ia ariti ta lëshojë vendin. Fqinjët e alarmuar nga të shtënat e kishin gjetur viktimën dhe kishin lajmëruar ndihmën e shpejtë dhe policinë. Rastësisht komunikimin përmes radiolidhjeve e kishte dëgjuar edhe njëri prej nëpunësve përgjegjës për mbrojtjen e shqiptarit. Një rishikim i shpejtë i rrethit të shokëve të Zenelajt çoi tek Zorica, e cila menjëherë pastaj u arrestua në kontrollin kufitar të aeroportit.

Shërbyesit konsullorë Tozo dhe Salihi ishin kthyer tashmë në Jugosllavi. Personi i tyre kontaktues Surla kishte arritur që në mbrëmjen e atentatit të largohej fshehurazi. Ishte regjistruar një telefonatë e bërë nga Surla, ku ai thoshte “çdo gjë në rregull”. Pastaj, i përcjellë nga shoferi i tij, që kishte dëgjuar telefonatën, ai kishte ikur furishëm përtej kufirit për në Starssburg në Holiday Inn. Në fshat ai humbi gjurmët.

Mossuksesi duket si nuk e dekurajoi UDB-në. Një ridëshmim për ta ishte 10 tetori 1981 në Bruksel. Atje me të shtëna pistolete të kalibrit 7.65 në mes të rrugës para banesës së tij u qëllua për vdekje nga disa vrasës shqiptari Vehbi Ibrahimi.

Bashkëshortja e tij, që e shoqëronte atë, u plagos rëndë. Ibrahimi ishte nënkryetar i “Besëlidhjes Shqiptare”.

Mbrojtësit shtetërorë të Gjermanisë e panë të arsyeshme që pas atentatit ndaj Zenelajt dhe Ibrahimit ta marrin në mbrojtje kryetarin e parë të “Besëlidhjes”, Emir Fazlija. Ai banonte pranë Göppingen-it dhe ishte i njohur në mesin e fqinjëve si “plaku i ndershëm”. Që nga ajo kohë Fazlija është vënë nën mbrojtje dhe nuk mund të arrihet nëpërmes telefonit.

Zyrat policore nuk po gjejnë dot ndihmë politike për t’i luftuar aktivitetet jugosllave të nëntokës. Ka një marrëveshje për ndihmë mes Bonn-it dhe Beograd-it në rast të atentateve këndej apo andej. Herë pas here këmbehen edhe të dhënat për prejardhjen e eksplozivit dhe të kalibrit të armëve.

Përzierjen e Shërbimit informativ të Beogradit e hedhin poshtë kategorikisht politikanët jugosllavë në bisedat e tyre me partnerët nga Bonni. (…) Franjo Herljeviq, një gjeneral i vjetër partizan dhe bashkëluftëtar i Titos, e demanton preras dhe vazhdimisht prezencën e shërbimit të fshehtë në territorin e Republikës Federative të Gjermanisë.

Paralajmërimin e pakparakohshëm të prokurorit shtetëror, përgjegjës për rastin Zenelaj,se ai “do të kërkojë hetime edhe në Jugosllavi”, njohësit e çështjes nuk e kurajojnë.

Për këtë një shtetas në Bonn: “Ne vetëm kemi qeshur”.

Loading...
Loading...

Shiko poashtu

Rexhep Qosja: Bashkimi i Kombit të ndarë, misioni i dy qeverive

Para më tepër se një viti ishte bërë publike nisma për krijimin e një Akademie …

Leave a Reply

Loading...