Kryefaqja / OPINION / Rruga e ndërgjegjësimit të Kombit!

Rruga e ndërgjegjësimit të Kombit!

Agim Popoci

Vendimi i kryeministrit Edi Rama për të taksuar lëvizjen nëpër Rrugën e Kombit siç duket nuk kaloj pa u vënë re. Dhe për çudi meritën më të madhe e ka vet Edi Rama!

Rruga e Kombit, pa dashjen e kryeministrit Rama u shndërrua në një rrugë të ndërgjegjësimit, ku viktimat e vendimit të qeverisë së Shqipërisë bënë që të reflektojnë edhe pjesa tjetër e kombit shqiptar.

5 euro për të shkelur në rrugën e paguar vetëm për një banor të Tropojës, Hasit dhe Kukësit ishte një ugur i zi edhe për banorët e Durrësit, Lushnjës, Fierit dhe Vlorës ndonëse u krijua bindja se kryeministri po i amniston nga kjo pagesë.

Duke njohur mirë Edi Ramën, e tashmë edhe mënyrën e qeverisjes së tij, dashuria nuk është se ka zënë vend ndonjëherë si në jetën e tij civile ashtu edhe atë politike. Edhe modernizimin të cilin u mundua ta shes përmes artit dhe sportit, që thotë se i adhuron, u deshifruan si një aktrim i pështirë në emër të karrierës politike.

Rruga e Kombit

Për çdo shqiptar normal, emërtimi “Rruga e kombit” nënkuptonte gjithçka që duhej të bëhej në emër të kombit. Therorësi, lekë, durim dhe së fundi edhe mirëmbajtje. Ky projekt madhor pësoi goditje edhe nga politika por i rezistoi kohës duke bindur të gjithë se si kombi bëhet një.

Rruga e kombit, për një kohë shumë të shkurt u bë arterie e rëndësishme në shërbim të zhvillimit kulturor, arsimor, sportiv dhe ekonomik. Edhe kundërshtarët përqafuan projektin dhe u angazhuan për materializimin sa më të madh të asaj që ofronte ekzistimi i kësaj rruge. Dhe, sërish politika!

Mirëmbajtja e Rrugës së Kombit nuk ishte më shqetësim, por filloi të mendohet si biznes nga politika, pikërisht nga kjo politikë që e kundërshtonte ndërtimin e kësaj rruge. Kostoja e mirëmbajtjes u bë kryefjala e çdo eventi deri në jetësimin e koncesionit të Rrugës së Kombit. Asgjë nuk u respektua, as kostoja e mirëmbajtjes, dhe as studimet që u bënë lidhur me këtë mirëmbajtje. Ekspertë të fushës sugjeruan zgjidhje të shumta praktike, por varianti më i arsyeshëm për pagesën e kësaj rruge, në mënyrë që ajo të mirëmbahet, ishte pagesa për kalimin e tunelit që ishte propozuar nga ekspertë amerikanë, me idenë e “amnistimit” të banorëve të zonës.

Kryeministri i PPP-ve dhe TVSH-ve nuk e respektoi as këtë detaj shumë të rëndësishëm për një zonë të varfër shqiptare, ashtu siç nuk i ka respektuar dhe nuk i respekton shqiptarët jashtë kufijve zyrtarë, për të cilët në masën më të madhe dedikohej kjo rrugë.

Dhe, ndërsa debati vazhdonte lidhur me taksën dhe mirëmbajtjen e saj, ministrat e Serbisë me rastin e një Samiti rajonal në Tiranë e bënë të qartë se kjo rrugë më nuk do të quhet Rruga e kombit. Irritimi në këtë ndërhyrje të paskrupullt të Serbisë, për diçka që i takonte vetëm kombit shqiptarë, nuk shkonte deri aty sa të imagjinohej se do të jetë qeveria shqiptare ajo që do ta shuante si projekt, madje të tërin.

Të gjithë ata që besuar dhe ishin duke e parë ëndërr Edi Ramën me Lidhjen e re të Prizrenit duke hequr traun e kufirit shqiptaro-shqiptar, u tronditën me koncesionin e Rrugës së Kombit që parashikonte vendosjen edhe të një trau në mes të këtij kombi të ndarë. Koncesioni i fatit të kombit u dha në duar të një grushti njerëzve, të cilët më shumë se xhepi I tyre u kujdesen edhe për deliret e partnerit të tyre, kryeministrit të Shqipërisë.

U caktua pagesa për 5 euro si për banorët e Tropojës, Hasit dhe Kukësit që e kanë paguar këtë rrugë, ashtu edhe për një turist që i është mbushur mendja ta vizitoj një vend që qeveriset nga një tepsixhi.

Madje atë që nuk e bënë as otomanët dhe serbët, e jetësoi rilindasi i parë; Ndërkohë heshtja e Mirditës, Lumës dhe Tropojës u pa me çudi nga shumë shqiptarë. Paralajmërimet e këtyre banorëve që pasuan pas vendosjes së traut dhe pagesës prej 5 euro në mes të tokës shqiptare, u panë me skepticizëm nga shumica e qytetarëve të Shqipërisë, që po i bënin sehir taksave të Edi Ramës, nga uji deri tek fasulja që kishin në pjatë.

Rruga e ndërgjegjësimit të Kombit!

Ra kjo rrugë dhe e pamë se kjo nuk është thjesht Rruga e Kombit, por ajo tashmë është Rruga për ndërgjegjësimin e kombit. Ky është epilogu real i protestës së qytetarëve të Lumës, Hasit dhe Tropojës që kundërshtuan vendosjen e traut për lëvizjen e tyre në rrugën që e paguan me djersën e tyre, pavarësisht klithjeve të Edi Ramës.

Kryeministri i Shqipërisë mund të jetë i vendosur në koncesionin me miqtë e tij për Rrugën e kombit, të kërcënoj dhe të paralajmëroj edhe koncesione të tjera, siç bëri nga Vlora, por pas protestës që u organizua sot pranë traut të dytë që ndanë kombin, gjithçka është ndryshe.

Kombin shqiptar që njeh Edi Rama, i cili për të mirën e përgjithshme, heshti, dëgjoi kryeministrin dhe ishte në pritje të zhvillimit duke mos e menduar se edhe në këtë mënyrë do të plaçkitet, nuk ekziston më.

Në momentin kur u vu taksa në Rrugën e Kombit, ndjesia për Kukësin e largët që u promovua nga vetë Edi Rama dhe u shit si vlerë nga mediat e tij në shërbim, shumë shpejtë u shkri. Me protestën para traut të dytë të ndarjes së kombit, kur shqiptarët e Kosovës u ndaluan të futen brenda territorit shqiptar dhe banda e kryeministrit u lëshua si korb mbi banorët e qarkut të Kukësit që protestonin, ndërgjegjësimi kombëtar u ringjall.

Llavën kombëtare Edi Rama sot nuk e prek dot me dorë, jo pse paralajmëroi taksën e radhës për autostradën Kashar-Rrogozhinë-Vlorë, por se zonat që ai i ka varfëruar me dorën e vetë, nuk i detyron dot të kontribuojnë për të mirën e shtetit. Nëse një lumjani për të shkuar në Mirditë ose një lushnjari për të shkuar në Fier, Edi Rama i kërkon 5 euro, dhe kundërshtohet, kjo nuk do të thotë se mungon mirëkuptimi qytetarë për shtetin, por këtë mirëkuptim ai e ka shuar me dorën e tij. Heshtja e qytetarit për koncesionet dhe tatimet pa fund, nga Edi Rama u konsiderua dobësi, ashtu siç u mendua sot përgjigja pas protestës së lumjanëve, hasjanëve dhe tropojanëve.

“Dhuna barbare mbi pronën e përbashkët dhe reagimi i dhunshëm ndaj forcave të rendit në Kukës, do të marrin përgjigjen e merituar me të gjithë fuqinë e ligjit mbi këdo që ka ngritur dorën e paligjshmërisë! Ta harrojnë dhunuesit e frymëzuesit e tyre se i’a dalin dot mbi ligjin!”

Kështu thotë kryeministri i Shqipërisë, pas protestës për pronën të cilën e fali dhe nuk është më “pronë e përbashkët”. Nëse çdo kush do të marr përgjigjen e merituar në këtë shtet me gjithë fuqinë e ligjit, mbi këdo që ka ngritur dorën e paligjshmërisë, atëherë është pikërisht Edi Rama, ai që një orë e më parë duhet ta marrë një përgjigje të tillë. E PPP-ja për aksin Kashar-Rrogozhinë-Vlorë të zërë vend vetëm në kujtimet e tij të qeverisjes, që mund ti shkruaj nga burgu, dhe në asnjë mënyrë t’i jetësoj.

Loading...
Loading...
Loading...

Shiko poashtu

Muhamet Aliu: E vërteta nuk ka nevojë të lyhet e të stoliset me fjalë të bukura, ajo ka emër: Shqipëria e Bashkuar

Përkrahni lirinë e natyrshme të njerzve dhe diturinë e tyre , me liberalitetin më të …

Leave a Reply