Kryefaqja / OPINION / Pazari i Hashim Thaçit me kufijtë – tërë Kosova në pazar

Pazari i Hashim Thaçit me kufijtë – tërë Kosova në pazar

SHKRUAN: PROF.DR. HAKIF BAJRAMI

Me rastin e botimit të hartës se çka merr Serbia nga Kosova nga gazeta “Le Monde” i kthej lexuesit paksa prapa, në histori. Më 1988, Budimir Lonçar (ministër i Punëve të Jashtme i RSFJ-së-hb), i jep intervistë të njëjtës gazetë në mes tjerash thotë: “Shqiptarët në Kosovë kanë ardhur në shekullin XVII”. Po, është me rëndësi për momentin të shpjegohet se si kishte ardhur B. Lonçar deri te “informata” e cekur. Dy akademikë serbianë, së pari në gazetën “Izvestija”, kishin botuar broçkulla kishtare të popave serbë nga Mesjeta, se: “Shqiptarët janë ardhacakë në Kosovë nga Malësia e Mbishkodrës në shekullin XVII”. E merrni me mend lexues të nderur, nga një sipërfaqe pesë herë më e vogël, dalin dymbëdhjetë herë shqiptarë më shumë, madje për 5800 kilometra katrorë!!! E dihet fare mirë nga sa banorë i kishin ato fshatra të Malësisë atëbotë. Në vijim, në bazë të skenarit Dobrica Qosiqit me rusë, gazetën “Izvestia” me shkrimin e “akademikëve”, ia kishin plasuar B. Lonçarit në tavolinën e punës, për ta lexuar, si informatë të besueshme. Në anën tjetër, në të njëjtën kohë e kishin kurdisë gazetarin e “Le Mondit”, që ta intervistojë B. Lonçarin, duke ia bërë pyetjen e parë se: “Kur kanë ardhur shqiptarët në Kosovë”?. Dhe, ai me bagazhin e një ushtaraku nga Lufta e Dytë Botërore, përndryshe ishte fare analfabet në histori, e shumë më tragjikisht t`i përgjigjet pyetjes, si komunisttitist, do t’ia “mësyjë detit me postaçi”, dhe do të përgjigjet me gjuhën e gazetës ruse “Izvestija”. Dhe posa e lexova atë deklaratë do ta shkruaj një reagim që e pati botuar “Rilindja”, si përgjigje, por edhe RTP e pati emituar gati në tërësi. Kuptohet se do të pasojë fushata e Komitetit Krahinor deri në ekstrem nga: Ali Shukria dhe Rrahmon Morina e Husamedin Azemi. Pas dy ditë kërcënimesh do të më ftojë prokurori N. Burgideva në ndërtesën e Gjykatës Qarkut në Prishtinë. Hetimet do të zgjasin nja 8-9 muaj. Më në fund B. Lonçar do ta shpjegojë vetë tërë skenarin, kuptohet pasi e vërejti se ishte sjellë në rreth të thatë me gënjeshtra nga serbianët e tij. Ishte shumë vonë të më burgosë, sepse Jugosllavia e tij titiste kishte filluar të rrokulliset si orteku në Himalaje nga pesha e zullumeve dhe krimeve që i kishin bërë, sidomos kombit tim, me 750, 000 dosje, dhe 782,587 vjet burgje e kazamate të rënda. Edhe këto fakte dhe akuza të tjera ia pata thënë B. Lonçarit, të cilit i kam reaguar sikurse Tempos, S. Gjakoviqit etj., por jo si “patriot”, por pse e kisha borxh ndaj kombit tim si profesionist.

Asnjë INSTITUCION nuk ka mbetur i painfektuar nga Hashim Thaçi

Më duhet të them publikisht se atë reagim e pati nënshkruar pa hezitim edhe Prof. dr. Tahir Abdyli, atëherë drejtor i Institutit të Historisë së Kosovës. Një lexim “gramatikor” ia pati bërë pa u frikësuar fare Dr. Izber Hoti. Lekturën e pati bërë për “Rilindje” në praninë e Dr. Tahirit, Dr. Fehmiut dhe Dr. Hakifit, Mr. Sheremet Krasniqi, më vonë ushtar i Adem Jasharit . Lejen për botim të reagimit në “Rilindje”, e pati lejuar ekipi i redaktorëve. Tash (2018) “Le Monde” është prapë në ofensivë pazaresh ndër më të ulëtat, por nuk do të thotë se atëherë ishte puna më pak serioze se sot. Tash, ofensiva në “Le Monde” zhvillohet me inicim të Aleksandër Vuçiqit dhe Hashim Thaçit. Ku kemi mbërri, a duhet të ndalem apo të mos nxitoj?. Po, e di se kam mbetur qyqe vetëm. Asnjë INSTITUCION nuk ka mbetur i painfektuar nga Hashim Thaçi në Kosovën martire, ku të gjithë, gati si në orkestër vrapojnë kah kapitalizmi dhe demokracia, jo për të hequr qafe spiunët e UDB-së, ku ka plot ish- milicë, prokurorë dhe gjykatës marionetë. Shikoni se çka ngjau me delimitimin, demarkimin (që nuk është bërë kurrë) me Malin e Zi. E dekorrektimi as që do të fillojë. E unë nuk do të ndalem, edhe pse më 1988 isha i kërcënuar me vdekje nga Zhivorad Igiqi, X. Sheholli e kompani. Tash, po ia krijojmë sërish “Le Mondit” kënaqësinë të na quajë sikurse më 1913 “njerëz me bishta”, kur pati trumbetuar Dr. Vladan Gjogjeviqi e Dr. Stojan Protiqi (Ballkanikusi). Tash, është instaluar modë e re politike, me gojë thonë zezonët tanë: “Nuk japim asgjë, do të thotë japim .por çka marr unë!”? Sallahana e shakllabana, që duan me bë Republikën e njomë rrush e kumbulla. Presheva, Bujanofci dhe Medvegja, janë vetëm një maskë kërkese, (po cili shqiptar nuk e do atë gjymtyrë kombëtare-hb), po me Kushtetutë është e ndaluar as me u bashkua me ndonjë shtet tjetër, e as me nxjerrë prej tij ndonjë pëllëmbë tokë. E çka u bë me Debelldenë, ku Serbia dhe Maqedonia provuan dhe fituan të tregojnë se kush është “gazdë” i Kosovës. Vijoi “gazda” edhe për Kullë e Çakorr, kundër Kushtetutës. Vijoi nënshkrimi i Asociacionit me 23 shkelje të Kushtetutës dhe tash për mos t’u përmendur ajo shkelje, bëjnë zhurmë e hallakamë për diçka edhe më tragjike, për t’u “harruar” krimi ordinerë. Por, mbajeni në mend lexues të nderuar, se për Veriun e Kosovës nuk do të bëhemi më horë! Ka ardhur sharra te kocka. Sepse, “Le Monde” zbuloi se jo vetëm Ujmani dhe Veriu me ‘Trepçë’ e pak më poshtë thëngjilli, por do të hapen edhe zona “eksterritoriale” në Kosovën plot plagë dhe varfëri ekstreme. Ja deri ku ka shkuar pazari i tyxharit (tyxharëve të Sorrosit dhe Putinit e Vuçiqit me shokë). Unë nuk i lëpihem askujt. Hashim Presidenti ku e ke Akademinë. Kënd e keni strehuar aty, kë e konsulton e sa e paguan. Po të tregoj pa ekuivoke. Një drekë juaja kushton sa marr (nuk marr kurrë, por ua jap fukarenjve) pension një muaj. Turp, Kosova ka plot shembuj si unë, që jetojnë në modesti ekstreme. Shikoni se cilat janë dallimet në mes të pasurve dhe të varfërve. Luksi juaj dhe i “Velanisë” është akuzë që shiton çdo “institucionalizëm”, sepse po kopjoni, mos të them jeni plagjiatë i atyre para juve. Ishalla vjen një “devër” tjetër. Tani për tani të gjithë”bajraktarët” dhe partitë politike me ekskluzivitetin e tyre janë “lule” që asnjë bletë nuk ka çka merr prej tyre. Keq, por e vërtetë, kohë e vështirë, por me shpresë të mirë, jo sikurse më 1988/9….99.

Kastë grabitqarësh

Po mbushen dyzet vjet që merrem me hulumtime, diplomatike dhe filozofike e politike të nivelit global dhe lokal. Sot për fat i tërë qelbi ballkanik disi është koaguluar në Serbi. E vërtetë, në këtë shtet të krimit që e mbylli qelbin e krimit Tribunli i Hagës me 1400 vjet burgje për kriminelët serbë, malli më profitabil tradicionalisht ka mbetur rrena dhe vetëm fabrikimi i tyre. Si duket, këtij zanati është kah i hyn në punë profitabile një pjese të politikës kosovare, por vetëm për të grabitur diçka për vete ose për të kompromentuar Luftën e SHENJTË TË USHTRISË SË LAVDISHME TË ADEM DEMAÇIT DHE ADEM LEGJENDARITJASHARIT. Kjo kastë grabitqarësh, kuptohet që nuk i jep pesë pare sa shqiptarë janë masakruar e sa janë detyruar ta lëshojnë Kosovën, e sa nga një herë e deri në tri herë janë arratisur nëpër male për shkak të dhunës shtetërore serbiane 1998/9. E kush po i mbyll sytë për këtë tragjedi të shekullit, sikur nuk ka mësuar asgjë se UÇK dhe NATO, pas Luftës së Dytë Botërore që kanë bërë Luftën më të madhe dhe më të lavdishme çlirimtare në histori, që ka kushtuar hiç më pak se 85 miliardë dollarë për dy vjet e 78 ditë në një front çlirimtar, për një popull që ka bërë Luftë të drejtë dy shekuj pa u ndalur kurrë. Konkretisht, Hashim Thaçi e nënshkroi dokumentin e Rambujesë, prej të cilit doli Rezoluta 1244 e KS OKB-së. Në vijim dokumenti i Vjenës i dirigjuar nga Thaçi, ua solli privilegjin më eklatant në Evropë një pakice serbiane prej 5%, që të kenë veto në rreshtimet shtetërore për Kosovën. Në bazë të dokumentit Vjenës dhe Rambujesë, në Bruksel filluan “bisedimet teknike”, të cilat sikurse “Pranvera arabe”, që u kthye në dimër siebrian dhe nuk ka shenja se “klima” do të ndryshojë, ashtu edhe për Republikën e Kosovës “bisedimet teknike” u fusnotizun dhe ngadalë u kthyen aty ku synonte Kremlini dhe Beogradi e Dik Martinoviqi me bekimin meskin të disa çarqeve të Brukselit dhe Sorosit në bisedime politike. Po, derisa u ngrit pazari është ndier aty-këtu pezhorativi “ndarje paqësore e Kosovës me Serbinë”. Përdorej ky term, sepse një pjesë jo e vogël e Këshillit të Evropës kishte drojë se mos po u dështon Akuza e Dik Martinoviqit. Hej, shqiptarë u ndërruan TRE prokurorë në Hagë dhe “sëpata” nuk luan vendi. Ajo sëpatë i rri mbi qafë të UÇK-së, si shpata e “hazreti Mehdisë”!! Nuk duhet harruar se fjala ndarje, nga viti 1991 u kthye në “këmbim territori” më 2017/18 drejt 2019-it. Kjo lojë ende gjallëron në disa kancelari që i mprehin dhëmbët për t’u shitur armatim dy popujve të vegjël, “imamët” e të cilëve në çdo rrethanë “paqësore”, brenda popujve të tyre, do të ishin vetëm kryetarë bashkie, asgjë më tepër, sepse as nuk kanë grada shkencore e as ndonjë begraund librash me vlerë civilizuese. Bile, atij në Beograd hapur i kërcënohen “Arkanët dhe Sheshelët” me kokë. Këtij në Prishtinë i thuhet çka duhet, por asnjë shenjë nuk e tregon se do të prapakthehet. E ka bërë Republikën e Kosovës njëmend Republikë të “Melkezedekut”. Universiteti “Hasan Prishtina”, në këmbë sikurse më 1968, 1981, 1997, jo për ta shkelur e për ta ndrydhur frytin tonë civilizues, Republikën e Kosovës, që e kemi krijuar me vargojë gjaku, por për të hapur rrugë demokracie e mos t’i koritim miqtë dhe gjakun e heronjve NË LUFTËN për çlirim. Sot politikanët tanë, njeri thumbit e tjetri patkoit para dhe pas F.Mogerinit, po “korrigjojnë” kufij dhe po “shkëmbejnë” territore, po mbajnë fjalime, po i mbushin portalet me yndyrë kundërmimi, gazetat me foto dhe dhunë politike mbi popujt e lodhur, i mbushin televizionet publike “censuruese’më zi se në kohën e Rrahman Morinës dhe Ali Shukrisë, i mbushin me poza manuskriptive “feisbukët” e tyre, saqë Vuçiqi i Beogradit shihet se duhet të shkojë në çmendinë, sepse përmes gjuhës dhe buzëve, dëshmon se është “yndyrë” e mbetur e kasapit, që do të thotë se Ballkani është prapë në rrezik llogitudinal. E ky yni me valë transversale që ia zbulon “Le Monde” duket më komod, sepse mban intervista ku para dite thotë ka “korrigjim” kufijsh, pasdite thotë “s’ka korrigjim për asnjë pëllëmbë’, dhe ky fenomen ngjan për çdo ditë. Pra, e përkthyer shqip, fallin politik, apo mallin e mykur ende ia blen dikush. Po malli i mykur, e kam pas mësuar në Kimi është më i rrezikshëm se ai i kalburi, sepse ky i fundit e han vetëm vetveten. Kundërmon, por nuk infekton, është jo vdekje klinike, por vdekje biblike.

Check Also

Fetnete Ramosaj: Ty ta falim jetën dhe na duket pak!

Njëzet vjet pas përfundimit të luftës, që dikush po përpiqet ta mohojë dhe ta harrojë, …