Kryefaqja / OPINION / E due Shqipërinë, dhe vuej! Vuej nga ajo që ndigjoj, vuej nga ajo që lexoj

E due Shqipërinë, dhe vuej! Vuej nga ajo që ndigjoj, vuej nga ajo që lexoj

Prof. Sami Repishti

Me shumë përpjekje, informohem mbi gjendjen dhe zhvillimin e atdheut shqiptar nga lajmet e marruna prej vizitorëvet të shpeshtë shqiptarë, por kryesisht nga shtypi. Kjo nuk mjafton! Për këte mangësi me karakter objektiv, unë kerkoj falje, sepse në mënyrë të paevitueshme krijohet mundësia e gabimit.

Pse shkruej? Shkruej, sepse e due Shqipërinë, dhe vuej!

Vuej nga ajo që ndigjoj, vuej nga ajo që lexoj! Vuej sepse nuk ndigjoj zanin e matun dhe të arsyeshëm të shoqënisë civile që karaktarizon çdo vend të qytetnuem. Shkruej sepse shoh në këte heshtje dekurajimin e përgjithëshëm, dhe mospjesëmarrjen në proceset demokratike, konditë esenciale për demokracinë. Por ndigjoj kudo zanin e zemrimit, pakënaqsisë, dhe të deshprimit!

E ndigjoj kudo këte za të mbrapshtë: në Kuvend, në shtyp, në transmetimet televizive, në rrugë, në shkollë dhe në fqinjtë që shumë herë nuk flasin njeni me tjetrin, sepse nuk mbajnë kontakt. E ndigjoj nga zyrtarët, nga udhëheqsit politikë të të gjitha partive politike dhe organizatave qeveritare. Toni ashtë i ashpër dhe ultësia e shprehjes, nji rrugaçëri e shkallës së fundit (ndigjoni diskutimet ,qe veç diskutime nuk jane, në Kuvend!) E ndigjoj nga familjet që vuejnë për bukën e gojës, dhe nga katundet që po zbrazen nga të rinjtë që kërkojnë nji rrugëdalje në emigracion. Ndigjoj këte za që thrret në shkretinën shqiptare, pa zemër, pa mend , e vuej!

Nji vizitor amerikan që posa u kthye nga Shqipëria dhe Kosova, shkruente:”Pakënaqsitë janë të përgjithëshme, dhe të theksuara. Duke filluar nga kamerierët, shoferët e taksive, e deri tek pronarët në gjendje të mirë ekonomike, por sidomos të rinjtë dhe të rejat janë me të shgënjyrët dhe shohin emigrimin si të vetmen alternativë….Pakënaqsia në rradhët e shqiptarve ndaj zhvillimeve në vend, kudo në trojet shqiptare nuk përcaktohet nga mbështetja që ata mund të kenë për një parti ose për një tjetër…”.

Pakënaqsia ashtë e përgjithëshme në nji kohë kur Shqipëria ashtë zhytë në nji konflikt politik, objektivi i të cilit ashtë shkatërrimi i kundërshtarit, jo shpëtimi i atdheut nga vorfënia dërmuese dhe nga frika e bandave….!

Këto ditët e fundit, duket se edhe “shteti” ashtë i frikësuem nga bandat kriminele dhe drogistët me shumicë. Simbas shtypit vendas, ka kaos në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Prokurori i çeshtjes merr “leje të gjatë” për “arsye shëndetsore”. Dhjetë prokurorë të tjerë kan evitue marrjen e përgjegjsisë nga frika e bandave, dhe po u nënshtrohen “një hetimi disiplinor”, njofton “Zëri i Amerikës”. Ashtë nji opinion i perhapun se gjykatësit janë disa nga personat ma të korruptuem, prandej mbas vitit 1990, ata u vuen në sherbim të mshehtë ndaj ish Sigurimit të Shtetit në veprimtarinë e tij për të pengue vendin dhe çdo veprim demokratik të udhëheqjes së re të ardhun në fuqi me 1992.

Në opinionin publik ashtë formue bindja se baza e nji kaosi të këtill ashtë frika nga bandat, dhe korrupsioni që pothuejse ashtë zyrtarizue. Trafiku masiv i drogës, krimi i organizuem, shkatërrimi i administratës publike, ngecja në reformën për drejtësi, dhe ate të zgjedhjeve vendore dhe kombëtare, kerkojnë ndërhymjen energjike të autoritevet të rendit publik dhe reagimin e fortë të shoqënisë civile shqiptare. Kjo ashtë dëshpruese; heshtja që mbahet për arsye të ndryshme rrezikon vdekjen e shoqënisë civile shqiptare, shpresën e funidt të ringjalljes sonë. Kjo formë heshtje masive na kujton thanjen e diktatorit fashist: “Sot, detyra e nji Italjani të mirë ashte mospasja e nji opinioni”. (Mussolini)

Procesi i vettingut në drejtësi ka verifikue vetëm 57 gjykatës nga nji numër prej 800 syresh, tue meritue kritiken e ardhun nga Gjermania, Franca, e Holanda, vende kyçe të Bashkimit Europian. Para nji gjendje të këtill, në qoftë se zgjedhjet vendore të vitit 2019 do të zhvillohen simbas ligjit të vjetër zgjedhor, në përgjithësi nuk shihet asnji shans real për hapjen e negociatave për anëtarsim në BE në vitet e ardhme.

Sepse sistemi zgjedhor në Shqipëri që nga viti 2005, ashtë formue simbas dëshirave të dy partive kryesore të vendit, Akoma ma keq: ai përfaqson pushtetin e plotë të udhëheqësve partiakë, dhe mohon zgjedhjen e lirë të kandidatëve direkt nga populli, ashtu si premton Kushtetuta. Sistemi i sotëm ashtë illegal në substancë dhe imoral në formen e tij. Ai duhet ndryshue menjiherë!

Pak ditë ma parë, Partia Demokratike në opozitë dhe aleatët e saj politikë përcaktuen kërkesat e tyne:”… për nji dekriminalizim të plotë të strukturave qeveritare nepërmjet të nji procesi të vettingut të të gjithë politikanëve të shoqënuem me krimin, për “çlirimin” e sistemit gjyqsor nga kthetrat e (KM) Rama, për zgjedhje të lira e të nderëshme, dhe për nji ekonomi të çlirueme nga presionet e monopoleve, oligarkëve, dhe korrupsionit qeveritar”, simbas shtypit shqiptar. Për habinë e të gjithëve, KM Rama pranoi me zgjanue rrjetin e vettingut tue përfshi të gjithë politikanët dhe zyrtarët e naltë të Qeverisë, dhe shtoi se ai ishte gati me bashkëpunue me opozitën me qellim që të përmirësohet jeta e qytetarëve në vend. Dhe, gjithçka përfundoi në dosje! Akuzat dhe kunderakuzat vazhdojnë.

Çdo përpjekje që shqiptarët do të bajnë me ndertue nji të ardhme premtuese duhet të filloj me bisedime të ndershme mbi të kaluemen e me pastrimin e atmosferës helmuese që shkatërron gjithçka. Sot Shqipëria përballet me nji fenomen të paparashikuem, por shumë damtues. Ashte aftësia e ish komunistëve me u kthye në pushtet mbas disfatës së vitit 1991, pa u gjykue për krimet e së kaluemes. Të pasunuem me grabitjen e pamëshirë të pasunive shtetnore gjatë ditëvet të fundit të kolapsit komunist, dhe me eksperiencë të fitueme në lamin politik të demokracisë, këta kameleonë pa ndërgjegje janë transformue sot me ndjenjën e nji narcisizmi, të bindun se Shqipëria u takon atyne, dhe vetem atyne, dhe me nji mendjemadhësi (“hubris”) të cilën ata janë kryenaltë me e shpalosë në jetën e tyne të përditëshme dhe me suksesin e femijëve të tyne në pozitat kyçe te Adminsitrates. Shqipëria në vitin 1944, shkruente nji vrejtues i vemendshëm, zevendsoi nji okupacion të huej me nji tirani vendëse që ngriti urrejtjen në mes të qytetarëve në sistem, dhe pruni degjenerimin e mbrendshëm të vetë politikës dhe pushtetit. Këtu ka burimin degjenerimi i sotëm.

Jo kështu në botën e qytetnueme! Në vitin 1977, me qellim të simbolizimit të kalimit në demokraci, Spanja deklaroi nji amnesti për krimet e kryeme gjatë luftës civile (1935-38). Por jo të gjithë e pranuen këte akt!. Gjykatësi i njohun spanjol. Senor Garzon, e kundërshtoi, me këte argument:“Simbas ligjit ndërkombëtar, nuk mund të shpallet nji amnesti për krimet kundër njerëzimit, sepse zhdukjet e viktimave – me mijëra tani akoma në gropat e pazbulueme – përfaqësojnë vazhdimësinë e krimit të kryem”.

Komunizmi në Shqiperi ka qenë, dhe mbetet, nji krim kunder njerëzimit, nji fakt kokëfortë që duhet të pranojmë!

Shqipëria vazhdon me vuejtë sepse ka akoma diferencat e saj politike, tribalistike, fetare, dhe krahinore, ndoshta edhe ma shumë se vendet tjera për rreth . Akoma edhe ma me randësi, Shqipëria nuk e mësoj kurr sa duhet randësinë e mjanimit të këtyne diferencave dhe me u përqendrue në ndertimin e bazave solide për nji komb zot i vetes, paqësor dhe punëtor, me tregëti, e superstrukturë të mirë, kapital njerëzor të shëndosh, dhe veçanërisht respekt për shtetin ligjor e marrëdhanje miqësore me të gjithë, tue krijue kështu konditat me qene nji vend i lirë nga frika dhe i lirë nga uria.

Shqipëria duhet të mësojë e të siguroje për popullsinë e saj instrumentet që plotësojnë potencialin e kësaj popullsie.

Check Also

Fetnete Ramosaj: Ty ta falim jetën dhe na duket pak!

Njëzet vjet pas përfundimit të luftës, që dikush po përpiqet ta mohojë dhe ta harrojë, …