Kryefaqja / OPINION / Fetnete Ramosaj: Serbizimi si ideologji fashiste ua kalon të gjitha ideologjive raciste në Evropë, gjatë shek. 20-të

Fetnete Ramosaj: Serbizimi si ideologji fashiste ua kalon të gjitha ideologjive raciste në Evropë, gjatë shek. 20-të

Është ky zv. Kryeministri i Parë i Qeverisë së Serbisë, njëherësh edhe Ministër i Jashtëm, Ivica Daçiq (Ivica Dačić), apo “Slloba i Vogël”, siç kishte preferuar ta thërrisnin derisa ishte përkrah kryekriminelit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq (Slobodan Milošević), në të gjitha ndërmarrjet gjenocidale kundër popujve joserbë, në cilësinë e zëdhënësit të partisë SPS të Millosheviqit, shpesh herë nuk dihet a është ministër i Serbisë apo ambasador i Rusisë. Riardhjen e tij në pushtet që nga viti 2012, Daçiq ia dedikon gjuhës së ashpër, arrestimeve dhe keqtrajtimeve ndaj shqiptarëve në vazhdimësi.

Më 1 tetor, krimineli i pandëshkuar i luftës, Ivica Daçiq, paska dhënë sihariqin se në Scheveningen qenka liruar një kat i burgut, për ta përgatitur për ish-pjesëtarët e UÇK-së, duke iu gëzuar faktit se shpejt paska për t’u aktivizuar kjo gjykatë raciste ndaj shqiptarëve!

Për ata që i njohin sadopak rrethanat e luftës në Kosovë, e dinë se kush është viktima e kush xhelati, ndonëse Serbia dhe aleatët e saj kanë investuar aq shumë nëpërmjet propagandës që shqiptarët t’i paraqesin si viktimizues. Kur i shohim reagimet që vijnë nga Serbia, dhe atë nga aparati shtetëror të cilin e përbëjnë bashkëpunëtorët më të ngushtë të Millosheviqit, detyrimisht të shkon mendja të mendosh se ç’kohë është?!

Serbia, në vend se të kërkojë falje dhe të përgjigjet penalisht si shtet për të bëmat kriminale e gjenocidin e shkaktuar gjatë luftërave në Kosovë, Bosnjë e Kroaci, gjatë të cilave i kreu krimet më të tmerrshme e më mizore kundër njerëzimit deri në shkallë gjenocidi, të papara në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, ajo sikur të mos kishte ndodhur asgjë, pa u distancuar fare nga e kaluara kriminale, po tenton t’i imponohet Evropës për t’u rehabilituar në pozitën e kryexhandarit të Ballkanit, duke i akuzuar të tjerët për ta shfajësuar veten.

Po ajo klasë politike që kreu gjenocid gjatë një dekade të fundshekullit XX ndaj shqiptarëve, kroatëve, boshnjakëve e të tjerëve, edhe sot po e udhëheqë Serbinë. Pozitat më të larta në shtet i mbajnë po ata kriminelë të luftës, që vetëm pak po të funksiononte drejtësia, do të duhej të ishin në burg e jo në poste publike udhëheqëse. Në Hagë do të duhej të gjykohej Serbia si shtet! Në Scheveningen do të duhej të ishte ndër të parët krimineli Ivica Daçiq.

Serbia duhet ta dijë se barrën e krimeve e të gjenocidit të kryer si shtet gjatë luftës në Kosovë nuk mund t’ia mbajë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk mund t’ia bartin shqiptarët as të tjerët. Është barrë e rëndë e krimeve mizore që nuk ia merr përsipër askush.

Përndryshe, SERBIZMI si ideologji raciste, që po vazhdon ta kultivojë dhe ta aplikojë edhe sot Serbia, po del t’ua kalojë të gjitha ideologjive raciste, të shfaqura në Europë gjatë shekullit XX.

Check Also

Fetnete Ramosaj: Ty ta falim jetën dhe na duket pak!

Njëzet vjet pas përfundimit të luftës, që dikush po përpiqet ta mohojë dhe ta harrojë, …