Kryefaqja / PERSONALITETE / A. Qeriqi: Në Drenicë radhiten gjashtë ndër personalitetet më të rëndësishëm të kombit shqiptar

A. Qeriqi: Në Drenicë radhiten gjashtë ndër personalitetet më të rëndësishëm të kombit shqiptar

Milush  Kopiliqi, Hasan Prishtina, Azem Galica, Shote Galica, Shaban Palluzha & Adem Jashari.

Në Drenicë shquhen disa personalitete ndër më të rëndësishmit të kombit,  të cilat kanë shënuar ngjarje me rëndësi jo vetëm kombëtare, por edhe rajonale e më gjerë…

Janë gjashtë   emra më të shquar e më të dalluar të kombit, të gjithë nga Drenica.

Kuriozitet i veçantë, mbase një rastësi, por gjithsesi e veçantë për nga shumë elemente të tipologjisë së studimit.

 Milush  Kopili     (Kopiliqi)

Hasan   Polaci     (Prishtina)

Shaban Palluzha (Palluzha) 

Azem    Galica      (Galica)

Shote    Galica      (Galica)

Adem   Jashari     (Prekazi)

Janë këta gjashtë emra me nga dy rrokje dhe gjashtë mbiemra me nga tri rrokje

A duhet të jetë krejt kjo e rastësishme sipas logjikës së gjërave?

Këta gjashtë emra e mbiemra janë identikë nga ndërtimi fonetik gramatikor, ashtu nga rrokjet krejtësisht të njëjta, po ashtu edhe për nga rëndësia historike, nga shtrirja  gjeografike në një territor unik, gjashtë fshatra me rrokje identike në shqiptim.

Ky kuriozitet mund të jetë krejt i rastit, por në përmbajtjen e vetë është krejtësisht i veçantë, sepse kemi të bëjmë me gjashtë  personalitetet më të njohura të historisë kombëtare shqiptare, por edhe asaj të Ballkanit, të gjithë nga magma e Drenicës.

Milush Kopiliqi lidhet me mesjetën Bizantine dhe Turke. Ishte kryetrimi i kohës në Ballkan dhe në Evropën e krishterë.

Hasan Prishtina luftoi kundër Perandorisë Osmane dhe mini perandorinë Jugosllave. Ishte ndër personalitetet më të rëndësishme të kombit, në luftë  për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar.

Azem Galica luftoi kundër  Perandorisë Austro-hungareze dhe kundër shteti  despotik antishqiptar të Mbretërisë Serbe, Kroate e Sllovene.

Shote Galica luftoi kundër  Perandorisë Austro-hungareze dhe kundër shteti  despotik antishqiptar të Mbretërisë Serbe, Kroate e Sllovene me bashkëshortin dhe bashkëluftëtarin e saj, Azem Bejtë Galica.

Shaban Palluzha, luftoi kundër ripushtimit të Kosovës  nga  forcat ushtarake çetnike partizane të Jugosllavisë së Titos, në shkurt të vitit 1945. Forcat jugosllave kishin sulmuar me divizione dhe  me rreth 40.000 forca të këmbësorisë, ndërsa Shaban Palluzha kishte rreth 30.00 forca vullnetare, në armë kryesisht nga Drenica por edhe nga vise të tjera të Kosovës.

Adem Jashari luftoi dhe ra heroikisht, më 6 mars 1998, (me 20 anëtarë familjes së ngushtë dhe afër dy fish  më shumë nga familja e gjerë),  në  fundin  e dominimit serb në Ballkan dhe fitoren historike shqiptare kundër pushtimit  e dominimit të huaj. Kulla e tij ishte mbajtur në rrethim dhe në luftime për tri ditë rresht. Forcat ushtarake e policore serbe kishin zbarkuar me më shumë se 1000 forca të këmbësorisë dhe kishin vënë np përdorim artilerinë e rëndë.

Këto gjashtë personalitete i takojnë radhës së parë të personaliteteve shqiptare, ku bëjnë pjesë emrat më të njohur të historisë kombëtare shqiptare

Më gjerësisht:

1.

Milush Kopili pa mbaresën sllave -iq, mbase krejt rastësisht akordon me pesë emrat që pasojnë në kohë dhe rrethana të ndryshme historike por që edhe pesë  emrat e tjerë kanë nga dy rrokje dhe mbiemra me  nga tri, sikur janë zakonisht shumica e antroponimeve e patronimeve të sotme ndër shqiptarë.

Ky krahasim mund të jetë krejt i parëndësishëm, një analogji e rastit që korrespondon edhe me sa e sa emra e mbiemra të tillë,  por është shumë i rëndësishëm është fakti se kemi gjashtë emra ndër më të mëdhenjtë e kombit dhe njëri  prej tyre, Milush Kopiliqi emri më i njohur i historisë së mesjetës te popujt e Ballkanit  e më gjerë.

 

Çka kanë të përbashkët dhe të veçantë këta gjashtë emra  me rrokje të njëjta në emër e mbiemër? 

Jo gjithherë rastësia ka qenë dhe është “mbret i botës”,  por në rastin konkret kemi një rastësi, që shtrihet në sinkroninë dhe diakroninë shqiptare, në kohë dhe hapësirë në një territor të caktuar të Kosovës, në Drenicën Qendrore, që për afër gjashtëqind e më shumë  vjet ka mbetur vertebra e qëndresës së kombit shqiptar. 

 

A mund të mendohet historia shqiptare pa këta gjashtë emra?

Pa Milush Kopiliqin, nuk mund të mendohet rezistenca e shqiptarëve dhe popujve të Ballkanit kundër depërtimit të Perandorisë Osmane, pavarësisht si është përvetësuar nga fqinjët origjina e tij. Nuk ka dëshmi historike që nuk vërteton vendlindjen e tij në Kopiliq, as përkatësinë e tij fetare, por as atë në pikëpamje të racës.

Në kujtesën popullore serbe ruhet edhe një varg kuptimplotë si:

(Oj Milose junaçina, aranutka te rodila, a srpkinja te dojila)

(O Milosh i trimërisë, shqiptarja të ka lindur, serbja të ka rritur, (të ka dhënë gji) .

Duke lënë anash për një çast krejt të dhënat historike shtrojmë vetëm një pyetje, e cila sipas mendimi tim përbën elementin më të fortë shkencor.

Përse shqiptarët ruajtën deri në ditët tona kujtesën historike për Milush Kopiliqin dhe Betejën  Kosovës së vitit 1389 dhe nuk ruajtën asnjë varg kënge për Betejën e dytë të Kosovës, të vitit 1948, luftë shumë më e madhe, për nga numri i luftëtarëve të krishterë të Ballkanit dhe Evropës, e cila mbaroi me humbje fatale të  forcave të krishtera ballkanase e evropiane. Beteja e cila i dha fund mbretërive të Ballkanit për 500 vitet në vazhdim.

Në Betejën e Dytë të Kosovës nuk mori pjesë Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, sepse Janosh Hunjadi nuk kishte pritur që ai të vinte me 10.000 ushtarët e tij, meqë mendonte se do të mundte ormanët dhe do të merrte namin e fitores, të Betejës së humbur të Kosovës  të vitit 1389.

Aty përballë forcave turke  të Sulltan Muradit të Dytë, Janosh Hunjadi duhet të qëndronte derisa të arrinte ndihma ushtarake nga Shqipëria, e premtuar paraprakisht nga Skënderbeu. Hunjadi jo vetëm që nuk e kishte pritur ndihmën e premtuar shqiptare, por kishte vepruar me nguti dhe i pari kishte sulmuar turqit në Fushë të Kosovës. 

( Joseph Von Hammer, Historija turskog Osmanskog Carstva, Zagreb, 1979, f. 139.)

Hammer konstaton me të drejtë se po të kishte pritur Hunjadi, Skënderbeun dhe po të kishte sulmuar  ai prapavijën osmane, në Kosovë, sikur ishte marrëveshja,  fati i historisë së Ballkanit dhe Evropës do të kishte qenë krejt ndryshe.

Kujtesa shqiptare ka ruajtur dhjetëra variante këngësh për Luftën e Kosovës të vitit 1389, tetë nga to të mbledhura dhe të botuara në shekullin 20-të madje në radhë të parë nga mbledhës  të huaj të këngëve historike dhe legjendare.

Në rrjedhë normale të krahasimit mes dy betejave të mëdha të shekujve XIV dhe XV kemi një vendosje dhe zhvendosje totale të kujtesës.

 Për Betejën e parë të Kosovës, kujtesa historike shqiptare nga brezi në brez ka ruajtur rreth 3500vargje këngësh historike me elemente legjendar dhe nuk ka ruajtur as rastësisht asnjë varg për Betejën e Dytë të Kosovës ku shqiptarët nuk kishin marrë pjesë.

Logjika e krahasimit na shtynë të besojmë se shqiptarët si çdo popull tjetër historik, kanë ruajtur kujtesën për humbjet, apo fitoret e veta, për qëndresën e trimërinë  e bijve të vet dhe jo trimërinë e qëndresën e   popujve të tjerëve, edhe pse ka përjashtime nga ky krahasim.

Ky krahasim na bënë të besojmë fort se shqiptarët ruajtën në kujtesë trimin, Milush Kopiliqi, që ishte nga gjaku dhe raca e tyre dhe nuk kishin pse ruanin ndonjë kujtim për Janosh Hunjadin dhe princat e krishterë të vendeve të caktuara të Evropës e të Ballkanit, për Luftën e Dytë të Kosovës të vitit 1448, ku nuk kishin marrë pjesë princat shqiptarë, për arsye që dihen dhe u cekën më lartë nga historiani më i madh i Perandorisë Osmane, Hammer dhe nga burime të tjera.

Milush Kopiliqit iu hoq koka më 15 qershor të vitit 1389, gjatë Betejës në Kosovë në prani të Sulltan Muradit të Parë, i cili po hiqte shpirt nga shpata e Milushit.

2.

Hasan Prishtina, ( 1873-1933) me orgjinë nga fshati Polac i Drenicës.

Fillimisht deputet i Parlamentit Osman. Pastaj radhitet në krye të forcave kryengritëse shqiptare deri në çlirimin nga robëria shekullore turke, në vitin 1912. Më pas organizoi rezistencën kundër pushtimit të Kosovës nga Serbia, pushtim të cilin e kishin përkrahur dhe legjitimuar Fuqitë e Mëdha.

Ai ishte burrështetas, deputet, kryeministër, njohës shembullor i kulturave dhe gjuhëve të huaja, publicist, atdhetar ndër më të njohurit e kohës, kundërshtar i regjimit autarkik e despotik të Mbretit Zog, përfaqësues i krahut demokrat, pesë herë i dënuar me vdekje në mungesë,  nga Turqia, Serbia dhe Shqipëria esadiste zogolliane. U vra pabesisht nga dora mercenare e Mbretit Zog, më 14 gusht të vitit 1933,  në Selanik.

 

3.

Azem Bejtë Galica (1889-1924) luftëtar popullor i përmasave heroike

Luftëtar popullor kundër robërisë së Kosovës dhe trojeve shqiptare. U lind në fshatin Galicë të Drenicës më 1889. Në fillim, Azem Bejta ishte shquar në kryengritjet shqiptare për çlirim nga Turqia. Me depërtimin e forcave serbe në trojet shqiptare organizoi luftë guerile kundër tyre. Po ashtu luftoi edhe kundër depërtimit të forcave të Austro-Hungarisë në vendin tonë. Prej vitit 1912 e deri në verë të vitit 1924, nuk kishte pushuar  asnjë vit luftën kundër pushtuesve të Kosovës. Në luftë kishte angazhuar  edhe bashkëshorten, Qerime Halil Radisheva, e njohur si Shotë Galica, si dhe familjarë, të afërm miq e bashkëluftëtarë të shumtë. Ishte përfaqësues i gueriles më të suksesshme të kohës. 12 vjet më armë në dorë duke krijuara edhe territore të lira në Drenicë në zonat e Llapushës e të Dukagjinit. Atdhetar, krah i Hasan Prishtinës, Fan Nolit, Bajram Currit dhe i forcave demokratike shqiptare. Mori plagë vdekjeje në Betejën më të madhe të kohës, në Galicë, më 15 korrik 1924, në luftë  kundër rrethimit të hekurt të një armate të tërë të forcave të Serbisë së Nikolla Pashiqit. Bashkëluftëtarët e varrosen në një shpellë në fshatin Gllarevë dhe për shumë vite mbajtën sekret vdekjen dhe vendvarrimin e tij.

4.

Shote Galica ( Qerime Halil Radisheva 1895 -1927), e krahasuar me të drejtë edhe me Zhan dë Arkën e Francës, u lind në Radishevë të Drenicës në vitin 1894.  Për krah burrit të saj Azem Galicës, kishte veshur rroba mashkulli dhe kishte luftuar kundër shtetit  despotik antishqiptar të Mbretërisë Serbe, Kroate e Sllovene Prej vitit 1918 e deri në verë të vitit 1927  nuk kishte pushuar  asnjë vit luftën kundër pushtuesve të Kosovës. Në luftë kishte angazhuar edhe vëllezërit e të afërmit, Ishte përfaqësuese e  gueriles më të suksesshme të kohës. Pas rënies së burrit për tri vjet  ishte në krye të çetave guerile, kryengritëse kryesisht në Drenicë dhe luftoi me armë në dorë duke krijuar edhe territore të lira në Drenicë në zonat e Llapushës e të Dukagjinit. Atdhetare, përkrahëse e Revolucionit Demokratik të Fan Nolit, Hasan Prishtinës  dhe Bajram Currit.

Në luftë kundër Serbisë së Pashiqit humbi 22 anëtarë të familjes. Në krye të bijave dhe bijve të luftëtarëve, depërtoi në Shqipëri  vitin 1927 por regjimi i Zogut nuk i dha përkrahje as ndihma të mjaftueshme për mbijetesë, për shkak se Azem Galicën e kishte kundërshtar.  Vdiq nga plagët e shumta të  luftës në verë të vitit 1927 në Fushë Krujë.

5.

Shaban Palluzha, (1871-1945) fillimisht kishte përkrahur forcat partizane duke besuar në proklamatat  për liri, barazi e vetëvendosje të Kosovës pas luftës antifashiste. Më pas duke parë se forcat partizane kishin tradhtuar premtimet dhe kishte filluar represioni për asgjësimin e të gjithë shqiptarëve,   luftoi kundër ripushtimit të Kosovës  nga  forcat ushtarake çetnike partizane të Jugosllavisë së Titos, deri  në shkurt të vitit 1945. Forcat jugosllave kishin sulmuar me divizione dhe  me rreth 40.000 forca të këmbësorisë, ndërsa Shaban Palluzha kishte rreth 3000 forca vullnetare në armë, kryesisht nga Drenica por edhe nga vise të tjera të Kosovës. Luftoi dhe ra trimërisht. Bashkëluftëtarët i kishin fshehur trupin me qëllim që të mos e zbulonin forcat armike serbe. Gjatë dy-tri javë të luftimeve në Drenicë ranë më shumë se 1200 luftëtarë, ndërsa u dogjën shumica e fshatrave. Asnjëherë nuk është bërë i ditur numri i të  vrarëve e të masakruarve nga radhët e popullatës civile.

6.

Adem Jashari ( 1955-1998) luftoi dhe ra heroikisht, më 6 mars 1998, (me 20 anëtarë familjes së ngushtë dhe afër dy fish  më shumë nga familja e gjerë),  në  fundin  e dominimit serb në Ballkan dhe fitoren historike shqiptare kundër pushtimit  e dominimit të huaj. Kulla e tij ishte mbajtur në rrethim dhe në luftime për tri ditë rresht. Forcat ushtarake e policore serbe kishin zbarkuar me më shumë se 1000 forca të këmbësorisë dhe kishin vënë në përdorim artilerinë e rëndë. Rënia e tij heroike dhe martirizimi i tërë familjes i dha përmasa të jashtëzakonshme luftës së UÇK-së, e cila rezultoi me fitore historike kundër Serbisë pushtuese e gjakatare.

(Enciklopedia e Drenicës)

Loading...
Loading...

Shiko poashtu

Biografia sekrete e Sali Berishës

Në të kaluarën e herëshme familja e tij është shkëputur nga zonat e Detit Kaspik …

Leave a Reply

Loading...