Kryefaqja / OPINION / Unë i përkas një populli që zgjedh më të korruptuarit në qeverisje, nuk iki nga ky vend

Unë i përkas një populli që zgjedh më të korruptuarit në qeverisje, nuk iki nga ky vend

Nga Elvis HOXHA

Unë i përkas një populli e një shoqërie që nuk di të bëjë politikë, që zgjedh më të korruptuarit në qeverisje, që i mban e i mirëmban gjatë të korruptuarit në pushtet. Por kjo nuk më bën të ndjej tmerr. Ndjej dhimbje që ne nuk bëjmë gjëra të mëdha si popull, që ne varfërohemi ditë për ditë e që nëpërkëmbemi pothuaj me dëshirën tonë. Ndaj dhe nuk largohem nga ky vend. Ndjej dhimbje, por dhimbja nuk mjafton që të më shtyjë për larg.

Por, nëse do të isha sot serb, do të isha larguar i tmerruar prej atdheut. Do ta dija mirë se i përkas popullit ushtria e të cilit sulej mbi civilët e paarmatosur, e ndjekur nga pas prej paramilitarëve që kishin për mision, si dikur mercenarët, të bënin plaçkë, të digjnin, të vrisnin, të varrosnin, të dhunonin dhe të përdhunonin. Ndërsa ushtria e shtetit tim mbyllte dhe spastronte etnikisht një popull tjetër, unë si serb, nëse nuk do të isha ushtar apo paramilitar, do të bërtisja kundër bombave të NATO-s.

Por… më vonë, kur të kishte rënë qetësia, kur të shihja varret masive, kampet, kur të mësoja për spastrim etnik, për dhunim, përdhunim, djegie fshatrash të tërë, nuk e di se si mund të rrija i qetë në Beograd. Kur mendoj, se po të isha serb, mund të isha i detyruar të ndiqja të njëjtin cikël jete e të merrja të njëjtin ajër e në të njëjtët vende me përdhunuesin e një adoleshenteje, më vrasësin e një fëmije, me snajperin që gjuante mbi civilët e Sarajevës… kjo nuk do të ishte dhimbje. Do të lija pa një pa dy atdheun, por kësaj here jo nga dhimbja për vendin tim. Do të arratisesha prej tmerrit dhe turpit prej llojit të bashkatdhetarëve të mi. Nuk besoj të kem dëgjuar se ndonjë serb është larguar nga vendi i tij i tmerruar për këto arsye.

Përkundrazi, keni parë se sa qetë ndihet Mogherini sa herë që e takon Vuçiçin. Institucionet e Evropës heshtën kur fantazma e Milosheviçit u kthye në ligjërimin serb. Sepse ndoshta Mogherinit dhe llojit të Evropës së saj i pëlqen ky lloj mashkulli çnjerëzor që rrinte në atë kohë pranë Sheshelit apo Milosheviçit. Njësoj, kryeministrit të Shqipërisë i pëlqen edhe Thaçi që përkulet para varrezave të paramilitarëve serbë, edhe Vuçiçi.

Shënjuesit e Evropës drejtojnë pra për te Milosheviçi e Shesheli, për te katastrofa njerëzore dhe shtetërore. Ndoshta, për ne shqiptarët, nëse mendojmë me qenë shteformues, ka ardhur koha të mendojmë se nuk kemi ku shkojmë më, se në të gjitha anët tmerri dhe turpi prej llojit njerëzor është më i mundshëm se kurrë, madje në zemër të institucioneve të Evropës. Simptomë e harresës së krimit dhe e instalimit të skizofrenisë mes moshës ekzekutive dhe asaj historike: mosha e re e kryeministrit për një Austri më mendësi të lashtë perandorake. Ky është tmerri prej skizofrenisë që ka kapur Evropën.

Ndërkohë, një tjetër horizont i mbyllur është ai që na rikthen te përmbyllja e superfuqive. Presidenti i fuqisë më të madhe perëndimore është biznesmen, ndërsa presidenti i fuqisë lindore është ish-KGB. Në këtë ngushtim të botës mendimi politik gjendet i mbytur dhe i poshtëruar. Ky është tmerr prej cinizmit të kushtit neoliberal njerëzor.

Në këtë realitet rajonal, evropian dhe botëror, kryeministri shqiptar zgjedh për ministër të jashtëm të Republikës së Shqipërisë një 28 vjeçar, një të padijshëm dhe ushtar të Baton Haxhiut. Është një lloj kapitullimi i Republikës në çështjen shqiptare në rajon, një lloj kapitullimi në mendim dhe përfaqësim, që Rama e deklaron përmes një gjesti të trefishtë në ministrinë e brendshme, në ministrinë e mbrojtjes dhe në ministrinë e jashtme. Kjo është gjendja jonë e kapitulluar institucionalisht në fillesë të vitit 2019. Me qeveri Spiropalësh dhe rekrutësh vogëlush, kryeministri i gjatë i vendit shkurton perspektivat shqiptare. Ky është tmerr prej mungesës së përfaqësimit, pra ekzistencës.

Ndoshta ka ardhur koha ta rregullojmë shtëpinë tonë.

Loading...
Loading...

Shiko poashtu

Kush ishte ushtari shqiptarë, i vlefshëm sa 500 ushtarë kroatë?

-Kisha krijuar përshtypjen se luftëtarët si Bekim Berisha nuk mund të vriteshin kurrë Nexhmedin Spahiu …

Leave a Reply

Loading...