Kryefaqja / HISTORI / KRIMET SERBE / Gjykimi kundër Darko Tasiq në Prizren – dëshmitari thotë se e ka parë duke i hedhur në lum shqiptarët e Krushës

Gjykimi kundër Darko Tasiq në Prizren – dëshmitari thotë se e ka parë duke i hedhur në lum shqiptarët e Krushës

Marsi i 99’, ashtu siç ishte për tërë territorin e Kosovës, që u vranë e u dëbuan qindra e qindra mijëra shqiptarë, i njëjti fat i keq e përcolli edhe Krushën e Prizrenit. Katër dëshmitarë vetëm sot u dëgjuan në Gjykatë, me katër dëshmi të plota rrëqethëse të vrasjeve dhe shkatërrimit të shtëpive e pronave në Krushë të Madhe, të Vogël, dhe në zonën përreth lumit Drini. Serbi, Darko Tasiq, akuzohet për krime të luftës; djegien e kufomave dhe hedhjen e tyre në lumin Drin.

Për një kamion me ngjyrë të portokalltë, i cili ishte i stërmbushur me kufoma të njerëzve të vrarë në mes të marsit të vitit 99’, po gjykohet për krime lufte, serbi Darko Tasiq, i cili para shpërthimit të luftës në Kosovë, ishte fqinj i shumë prej atyre që u ekzekutuan ato ditë, dhe i të gjallëve që po japin dëshmi 20 vjet pas luftës.

Tasiq, në marsin e 1999 në Krushë të Prizrenit, akuzohet se ka marrë pjesë në djegien e kufomave dhe hedhjen e tyre në lumin Drin. Ai akuzohet edhe për shkatërrim të qëllimshëm të pronës e konfiskimit të pasurisë së një familjeje të Krushës.

Gazeta Express ka përcjell seancën gjyqësore në Gjykatën Themelore të Prizrenit, ku vetëm sot u dëgjuan katër dëshmitarë, të cilët, në forma të ndryshme, kishin arritur ta shihnin kamionin e portokalltë, që barte kufoma për t’i hedhur në lumin Drin.

Këto dëshmi për këtë ngjarje, po i japin dëshmitarët, të cilët atë kohë ishin duke ikur për të shpëtuar veten dhe familjarët nga ekzekutimi.

Milazim Duraku, banor i Krushës së Madhe, në mars të vitit ‘99, kishte arritur të shpëtonte shtatë nipat e tij nga likuidimet që i bënin forcat serbe ndaj meshkujve shqiptarë.

I detyruar që të fshihet në kulmin e shtëpisë së tij, e cila ishte nën flakë, me shtatë nipat e tij, Duraku dëshmoi sot për tmerrin e përjetuar. E për të dalë nga ajo shtëpi e djegur, natyrisht se ishte vetëm një arsye; të gjenin bukë e ujë.

20 vjet pas kësaj ngjarjeje, Milazim Duraku, nën lot, dëshmoi për vrasjen e 47 anëtarëve të familjes së tij, përfshirë edhe dy vëllezërit e tij.

“Mëngjesin e 25 marsit 99’, në Krushën e Madhe, janë dëbuar e gjithë popullata për në mal. Në mal, kemi qëndru deri në mëngjesin e 26 marsit e më pas jemi kthy në fshat. Fshati, ishte i djegur komplet”, tha dëshmitari, në fillim të dhënies së dëshmisë.

Me familje, gra e fëmijë, Duraku tha se vendosën të shkojnë në shtëpinë e tyre, por me të arritur atje, e panë se shtëpia po digjej. Duke mos pasur vend ku të rrinë, gjetën për strehim shtëpinë e njërit prej vëllezërve, e cila ishte nuk ishte e tëra e ndërtuar.

“Aty u strehuam 54 anëtarë. Ditën e premte, kanë ardhë policia serbe në oborr dhe duke na kontrolluar të gjithëve, i zunë dy vëllezërit e mi dhe dy djemtë e axhës”, tregoi dëshmitari.

Njëri vëlla i Milazimit dhe njëri djalë i xhaxhait, nisën të iknin. Vëllai tjetër me djalin tjetër të xhaxhait të tij qëndruan aty me familje, tregoi dëshmitari. Këta dy të fundit, që qëndruan dhe nuk ikën, dëshmitari tha se i morën policia dhe i dërguan në xhami dhe nga atje nuk u kthyen më kurrë.

“Vëllain tim të vogël dhe djalin e axhës i kanë marrë dhe i kanë dërgu në xhami dhe më nuk u kthyen kurrë. Edhe ata dy të tjerët që ikën, vëllai i madh me djalin e axhës tjetrin… as ata nuk u kthyen më kurrë”, dëshmoi Duraku para trupit gjykues.

Duke e parë gjendjen, dëshmitari tha se i mori shtatë nipat e tij dhe u vendos në tavanin e shtëpisë së tij, e cila ishte e djegur totalisht.

Nga ai tavan, ku ka qëndruar i fshehur dy ditë, ka arritur të sheh popullatë civile duke ikur, gra shumë, njerëz që ishin bërë rresht për dy dhe dërgoheshin nga forcat serbe në atë xhami ku ishin dërguar paraprakisht familjarët e tij.

Në një ditë të shtunë, dëshmitari tha se ka parë edhe kamionin e portokalltë, siç e përshkruante “508’shin”.

“Të nesërmen, ditën e shtunë, pas drekës, e kam ni zhurmën e 508’shit, kamionin. Ka qenë i mbushur me kufoma. Edhe mbi ceradën e kamionit kufomat kanë qenë të paluara”, dëshmoi për tmerrin që e pa me sytë e tij 20 vjet më parë.

“Kufomat ishin të burrave”, tha ai i bindur, derisa tregoi se ai kamion erdhi nga mali.

Me të arritur kamioni me ngjyrë portokall në vend, dëshmitari tha se u ndalua afër shtëpisë ku ai fshihej me 7 nipat, dhe qëndroi për 1 ore.

“Kur ka mbërri të shtëpia, para shkollës fillore, është ndalu dhe ka qëndru rreth 1 ore dhe unë e kam pa këtë për dritare të tavanit. Aty kanë qenë dy policë në kamion, pasagjeri dhe shoferi. Fytyrat nuk ua kam parë”, tregoi dëshmitari Milazim Duraku.

Po të njëjtin kamion, dëshmitari tregoi se e ka parë pas dy ditëve, pasi u detyrua të dilte nga tavani i shtëpisë së tij me nipat. Arsyeja e largimit nga aty, ishte se të shtatë nipat e tij filluan të sëmureshin, sepse nuk kishin as bukë e as ujë.

“Kamionin e portokalltë e kam pa prapë, e kam pa kur kam zbrit mas dy ditëve nga tavani, kur është qetësu gjithçka , që s’ka pas lëvizje. Pa bukë e pa ujë, nipat mu smunë. Kam dalë në ora 10 të natës, kemi ecë në rrugën që gjendjet midis Krushës së Madhe dhe të Vogël, nëpër mal kemi ecë në këmbë”, kujtoi dëshmitari momentin e shpëtimit nga ajo zonë e rrezikut.

Nipat, arriti t’i dërgonte veçmas për në Shqipëri, me ndihmën e disa banorëve të Rogovës. Mirëpo Milazim Duraku qëndroi në zonën e lumit Drin.

Gjatë këtij rrëfimi për përjetimet e tij, dëshmitarin e kapluan lotët, pasi atëherë, siç dëshmoi, nuk e dinte ku i ka fëmijët dhe ku e ka gruan.

“Unë qëndrova në Dri vetëm, dhe u ula me pushu pak. Kam qajtë dy orë pa u ndalë, nuk e disha ku i kam fëmijët dhe gruan. Më zuri mramja, erdh muzgu dhe kqyrsha me ndalë një traktor që me dalë edhe unë prej aty”, tha dëshmitari.

Përgjatë kërkimit të një shpëtimi, dëshmitari tha se shkoi në Krushë të Vogël. Aty, pa kamionin e portokalltë, të cilit ishte duke i dalë një tym i zi dhe ndjehej një aromë e pazakontë.

“I dilke tymi i zi, por era vijke, një aromë e pazakontë, një aromë që kurrë në jetë nuk e kam ndje. Rrota e djatht e kamionit, ishte brenda lumit, e pjesa tjetër e varur jashtë. Cerada e kamionit ka qenë e mbuluar, nuk kam mujt me pa qartë çka kishte në kamion brenda, por kamionin e kam pa shumë kthjellt”, tha Duraku.

Nga aty, dëshmitari tha se mori rrugën për në Shqipëri dhe nuk u kthye në Kosovë deri pasi përfundoi lufta.

E te zona ku ka qenë kamioni me ngjyrë të portokallit, ai tha se ka shkuar pas luftës, me një gazetare nga Finlanda.

“Gazetarja ka shku e ka fotografu, kamioni ka qenë jashtë lumit Drini, ka qenë i zbrazur”, tha dëshmitari.

Kufomat që ishin bartë në atë kamion, ai tha se kishin qenë nga Krusha e Madhe.

“Kërkoj falje nëse gaboj diçka, që 20 vite kam stres, aty janë vra sa e sa trupa, janë vra vëllezërit e mi. 46 kushëri të mi janë vra. Unë këtë, nuk kam me harrue kurrë”, tha dëshmitari në fund të dhënies së dëshmisë së tij.

Këtë kamion më ngjyrë të portokallit e kanë parë edhe dëshmitarët e tjerë që dëshmuan sot, Driton Hajdari, Mark dhe Tomë Prenkpalaj.

Driton Hajdari, nga Krusha e Vogël por tani jeton në New York në SHBA, në mars të 99’ ishte 16-vjeçar, shkruan Gazeta Express.

“I mbaj mend edhe bombardimet kur kanë fillu, më 24 mars të vitit 99. Si 16-vjeçar sigurisht që jam frikësu, jo vetëm unë, por të gjithë”, tha Hajdari.

Në kohën kur kanë ndodhur bombardimet, dëshmitari tha se ai me familje kishin qëndruar në shtëpi për 24 orë. Duke menduar se gjithçka ka përfunduar, ai kujton kur forcat serbe i kanë dëbuar më pas prej shtëpisë dhe i kishin detyruar të merrnin rrugën kah vendi i quajtur Breg Drini.

Në Breg Drin kanë shkuar me traktora, e kur kishin arritur atje, dëshmitari tha se ka parë turma të njerëzve duke shkuar aty, të gjitha gra dhe fëmijë.

“Nuk e di saktë, e ka qenë atë ditë apo të nesërmen kur ka ardhë një kamion dhe është ndalë te bregu i Drinit. Aty ka qenë edhe një bager, e me atë kanë tentu me shty kamionin në lum. Kam dëgju prej të tjerëve, sepse unë kam qenë I vogël thojshin që vetëm një person ka ditë me përdorë atë bager, thojshin që është Darko Tasiq”, tha dëshmitari.

Ai, megjithatë Darko Tasiqin e kishte njohur edhe para shpërthimit të luftës, pasi të dy ishin marrë me të njëjtin biznes; “kemi punu me kamionë, me zall edhe me bagera”.

Derisa e kishin parë kamionin në Breg Drin, dëshmitari tha se kishte dëgjuar edhe të shtëna, të pandërprera, por nuk e mbanë mend se nga cila anë vinin ato të shtëna.

“Kam dëgju prej njerëzve të tjerë, thojshin që ka pas viktima në kamion. Kanë tha që edhe flakën ia kanë shti kamionit, e kanë kallë”, tha dëshmitari.

Hajdari tha se kishte persona që shikonin me dylbi se çfarë po ndodhte tek kamioni.

E po atë ditë, në po të njëjtin vend, çfarë ndodhte te kamioni me ngjyrë të portokallit, kishte arritur të shihte dëshmitari Tomë Prenkpalaj.

Banor i Breg Drinit, Prenkpalaj tha se kishte marrë traktorin e tij për t’iu dalë në ndihmë grave që vinin nga Krusha e Madhe dhe e Vogël, për t’i strehuar diku.

Derisa ai po shpëtonte gratë, të cilat ishin dëbuar nga forcat serbe nga shtëpitë e tyre, e duke i dërguar për strehim në shtëpinë e tij, ai tha se kishte parë me dylbi, një kamion ngjyrë portokalli, i cili erdhi nga Krusha e Madhe dhe ka hyrë në rrugën që çon buzë lumit Drini.

“Mu në buzë të lumit drini e kanë kthye rikferc edhe e kanë lëshu në ujë. Nuk ka sharru krejt kamioni në ujë, veç një pjesë. Afër kamionit ka pas forca të policisë serbe dhe ushtrisë, kanë qenë me uniformë. Me ta ka qenë edhe Keka dhe djali i tij, ky zotëria… po më vjen mirë që është këtu, ky, Darko”, tha dëshmitari gjatë dhënies së dëshmisë, ku kujtoi se me Darkon dhe babain e tij “Kekën” kanë punuar bashkë para luftës.

Për ta shtyrë kamionin në lum, dëshmitari tha se e kishin ndezur një traktor për t’i dhënë shtytje kamionit. Por, sipas dëshmitarit, kamioni nuk mundi të fundosej i tëri në ujë, pasi bregu i lumit Drini është i madh.

“Para se mu largu prej aty, dy flamuj të Jugosllavisë i kanë ngulë aty, në breg”, tha ai.

Për babanë e Darkos, por edhe për vet Darkon, të akuzuarin për krime të luftës, dëshmitari tha se para luftës kanë qenë në miqësi. Madje, së bashku kishin notuar në kohë të lirë edhe në lumin Drini. Por, siç tha dëshmitari, “ata na prenë në besë”.

“Edhe vëllaun ia njoh. Tokat bashkë i kemi pas. Kemi punu bashkë. Jemi la në Dri bashkë, kemi jetu bashkë”, tha dëshmitari.

Edhe dëshmitari tjetër, që dëshmoi sot para trupit gjykues të rastit ku po akuzohet Darko Tasiq për krime të luftës, pikërisht për datat 24 dhe 25 mars të vitit 2019, ishte edhe Mark Prankpalaj, gjithashtu nga vendi i quajtur Bregu i Drinit.

Duke e pasur shtëpinë në këtë zonë dhe duke parë që shumë njerëz janë dëbuar nga Krusha e Madhe, por edhe e Vogla, ai kishte vendosur t’iu dalë në ndihmë, për t’i strehuar.

Marku, dëshmoi se më 25 mars 99’, kishte arritur t’i strehonte në shtëpinë e tij, 90 anëtarë të familjes Shehu, të Krushës së Madhe.

“…kemi dalë me traktora, i kemi marr edhe i kemi pozicionu nëpër fshatra. Unë i kam pas afër 90 persona, krejt të familjes Shehu”, tha dëshmitari për ditën kur nisën dëbimet e banorëve të fshatit Krushë të Prizrenit.

Kamionin, me ngjyrë portokalli, e kishte parë edhe Mark Prenkpalaj. Edhe dy policët që i kishin parë dëshmitarët tjerë, i kishte parë edhe ky dëshmitar.

“Ka qenë dita e shtunë. Një kamion ngjyrë portokalli, që para tij printe një kombi “VË” e kam parë. Aty kanë qenë dy policë. Kur kanë dalë prej kombit, kanë këqyrë përreth. Kamionin e portokalltë e kanë çu buzë lumit Drin. Mandej, e kanë shty me një traktor. Fati deshti që kamioni mos me u fundos komplet në lum”, tregoi dëshmitari.

Por, para se të tentonin ta fusnin kamionin në lumin Dri, dëshmitari tregoi se ata persona ia kanë hedhur një pluhur të bardhë kamionit dhe e kanë djegur.

“Unë këtë ngjarje e kam pa nga 800 deri 1 kilometër largësi. Nuk kena mujt me i pa njerëzit kush janë aty, e kush s’janë. Dy policë i kena pa. Nuk e di as sa persona kanë qenë në atë kamion”, rrëfeu dëshmitari.

Aty, kanë qëndruar të strehuar për pothuajse pesë ditë, dhe për tërë ato ditë, ai tregoi se kamionin nuk e ka prekur askush. “Kamioni qaty ka qenë non-stop, s’e ka lëvizë kush”.

Në muajin mars të 1999, qindra shqiptarë civil u vranë, në mesin e tyre supozohet se kishte edhe fëmijë e persona të moshuar, shkruan Gazeta Express.

Darko Tasic, i arrestuar në vitin 2017 në kufirin Kosovë – Serbi, në Bërnjak, po akuzohet se ka marrë pjesë në djegien e kufomave dhe hedhjen e tyre në lumin Drin në kohën kur kishin filluar në Kosovë bombardimet e NATO’s. Gjithashtu, akuzohet se në cilësinë e anëtarit të forcave paraushtarake jugosllave, bashkë me persona të tjerë ende të paidentifikuar, ka marrë pjesë në konfiskimin e pasurisë.

Plaçkitje dhe shkatërrim të qëllimshëm të pronës, marrjen e automjeteve, makinerive bujqësore dhe sendeve të tjera të vlefshme që i përkisnin Kasum Hajdarit dhe disa fshatarëve të tjerë të Krushës së Vogël.

Krusha e Vogël ka pas më shumë se 100 viktima. Ndër ta, përpos 12 viktimat e familjes së Drita Batushës, ishin edhe familjarët e Shaban Abdylit; Djemtë e tij të xhaxhait dhe xhaxhai. Express ka publikuar edhe dëshmitë e këtyre të fundit, dëshmi këto qe u dhanë muajin e kaluar.

Prokuroria Speciale e Kosovës, e akuzon Darko Tasiq, se në cilësinë e një anëtari të forcave rezerviste të policisë ose forcave paraushtarake jugosllave, në bashkëkryerje me të tjerët identiteti i të cilëve nuk dihet, mori pjesë në konfiskimin e pasurisë, plaçkitje dhe shkatërrim i qëllimshëm i pronës e cila u justifikua nga objektivat ushtarake.

Krimet, që përfshinin djegien e shtëpive në fshat, u kryen midis 15 dhe 26 marsit 1999, sipas Prokurorisë.

Tasiq akuzohet gjithashtu për marrjen e automjeteve, makinerive bujqësore dhe seneve të tjera të vlefshme bujqësore dhe sendeve të tjera të vlefshme që i përkisnin një burri të quajtur Kasum Hajdari dhe fshatarëve të tjerë.

Tasiq akuzohet nga Prokuroria Speciale edhe për pjesëmarrje në djegien e kufomave të paidentifikuara dhe hedhjen e tyre në lumin Drin.

Tasiq, u arrestua në nëntor të vitit 2017, në kalimin kufitar të Bërnjakut midis Kosovës dhe Serbisë.

Loading...
Loading...
Loading...

Shiko poashtu

Gjyqi kundër Darko Tasiqit, dëshmitarët tregojnë si u dogjën e u hodhën në Drin banorët e Krushës

Serbi Darko Tasiq, në marsin e 1999 në Krushë të Prizrenit, akuzohet se ka marrë …

Leave a Reply