Kryefaqja / HISTORI / “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe Beteja e dytë e Meçadit (qershor-1465)”

“Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe Beteja e dytë e Meçadit (qershor-1465)”

*Pas fitores me shumë humbje që korri në betejën e parë të Vajkalit(prill 1465), Gjergj Kastrioti-Skënderbeu marshoi brenda territorit osman, duke djegur dhe shkatërruar gjithçka që i dilte përpara syve. Gjatë zhvillimit të këtyre inkursioneve të fuqishme në tokat armike, ai udhëhiqej nga dëshira për t’u hakmarrë për humbjen e tetë komandantëve të tij më të shkëlqyer dhe jo për të grumbulluar plaçkë. M.Barleti thotë se; “çdo gjë, që mund të dëmtohej me hekur e zjarr, e bëri shkrumb e hi (1). Gjatë këtyre ditëve, u rishfaq përsëri tradhëtari Ballaban Pasha, i cili sapo kishte riorganizuar ushtrinë osmane me trupa të freskëta dhe ishte stacionuar në qytetin e Ohrit në krye të 18.000 ushtarëve: 15.000 kalorës dhe 3.000 këmbësorë (2). Emërimi i Ballabanit ishte një veprim i llogaritur mirë më parë, nga ana e sulltan Mehmetit II Fatih, me qëllim për të nxitur një revolucion shoqëror dhe për të inkurajuar arbërit e tjerë që t’i bashkangjiten ushtrisë osmane (3). Ndërsa Gjergj Kastrioti-Skënderbeu me vetëm 5.000 ushtarë: 4.000 kalorës dhe 1.000 këmbësorë, kishte kampuar në fushën e Meçadit në Dibrën e Sipërme(midis fshatrave Papraniku i Madh dhe Papraniku i Vogël). Fillimisht, Kastrioti, shtoi numrin e rojeve të kampit dhe caktoi një numër shumë të madh zbuluesish për të vrojtuar lëvizjet e armikut. Nga ana tjetër, Ballabani, i cili nuk e merrte dot guximin për të sulmuar i pari, u mundua në mënyrë të dëshpëruar për të fituar kohë, duke i dërguar dhurata me shpresën se mund të arrinte një armëpushim të përkohshëm. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, ndonëse herët e tjera nuk kishte pranuar dhurata nga një renegat dhe tradhëtar, këtë rradhë i mori ato dhe si shkëmbim, i dërgoi një kazëm, një lopatë dhe një parmendë, duke dashur t’i tregojë se ai do të ishte më i nderuar në se do të qëndronte si bujk në Mat, se sa të bëhej gjeneral dhe të luftonte kundër atdheut të vet për interesat e sulltanit (4). Kjo ishte një goditje e rëndë dhe shumë therëse për Ballabanin, i cili u përbetua publikisht se do të hakmerrej, duke e bërë kundërshtarin e vet që të pendohet për këtë lloj përgjigje. Prandaj në këmbim të këtyre dhuratave simbolike dhe tepër fyese që kishte marrë, ai u angazhua me mish e me shpirt, duke hartuar plane për ta përfunduar fushatën sa më shpejt që të ishte e mundur. Nga ana tjetër, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu përveç se nuk i zinte besë, ai as nuk e gjykonte si të pranueshme një marrëveshje paqeje, të cilën Ballabani përpiqej ta fitonte nëpërmjet dhuratave, prandaj edhe vazhdoi të ndërmerrte inkursione në thellësi të zotërimeve osmane, duke sjellë që andej sasi të mëdha me plaçkë (5)”. Duke e parë se e kishte të pamundur që të siguronte marrëveshjen e paqes me Gjergj Kastriotin-Skënderbeu, nuk mund ta vriste atë me pabesi dhe as nuk shpresonte për ta mundur në një betejë të rregullt, atëherë Ballabani mendoi si të gjente mënyrën për ta mposhtur përfundimisht. Meqenëse ai kishte lidhje farefisnore me disa luftëtarë të Gardës Pretoriane, e shfrytëzoi më së miri këtë mundësi duke korruptuar disa njërëz shumë të besuar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu (6). Pas disa ditësh, Ballaban Pasha u nis nga qyteti i Ohrit, marshoi në mënyrë të fshehtë në thellësi të Dibrës së Sipërme dhe iu afrua fushës së Meçadit, pasi i kishte kaluar të gjitha shtigjet falë ndihmës së vrojtuesve arbër, të cilët ishin korruptuar prej tij. M.Barleti nënvizon faktin se Ballabani “e solli kampin në një vend të Dibrës së Sipërme, të quajtur Oronik, pa marrë vesh gjë rojet dhe patrullat e Skënderbeut (7), por ky marshim kaq i gjatë, rreth 70 km distancë, s’ka mundësi t’i ketë shpëtuar syrit vigjilent të luftëtarëve arbër që kishin për detyrë të monitoronin çdo lëvizje të forcave armike edhe përtej kufirit arbëro-osman! Prandaj logjika të çon në konkluzionin e pashmagshëm se kjo manovër e Ballabanit në thellësi të zotërimeve të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu u mundësua vetëm në sajë të bashkëpunimit me vrojtuesit e shtigjeve, të cilët tradhëtuan udhëheqësin e tyre. Ka shumë mundësi që itinerari që ka ndjekur ushtria osmane nga qyteti i Ohrit dhe deri në Oronik të ketë qenë: rrjedha e sipërme e Drinit të Zi, më pas ka kaluar në pjesën perëndimore në Modricë-Drenok-Trebisht-Vërnicë-Ostren i Vogël-Tuçep-Lladomericë-Miresh, më pas ka kaluar Drinin e Zi në pikën ku lumi në fjalë futet nga Maqedonia e sotme e Veriut në Republikën e Shqipërisë dhe kanë vijuar drejt verilindjes për të arritur në fushën e Oranikut (Dibër/Debar/Debre, Maqedoni) duke dalë pas krahëve të ushtrisë arbëre. Ai mundi të afrohej dhe të vendosej vetëm pak kilometra në veriperëndim të kampit qëndror të forcave arbëre që ishin përqendruar më në jug, në fushën e Meçadit. Pikërisht këtu në fushën e Meçadit që ndodhet midis fshatrave Papraniku i Madh (Golem Papranik) dhe Papraniku i vogël(Mal Papradnik), ku u zhvillua beteja e përgjakshme e 21 korrikut 1452, në të cilën i pazëvëndësueshmi Moisi Golemi kishte vrarë komandantin osman Talip Pasha; Gjergj Kastrioti-Skënderbeu do të ballafaqohej për së dytit herë me tradhëtarin Ballaban Pasha. Kastrioti, i cili e njihte shumë mirë Ballabanin dhe dredhitë e tij, tregohej shumë vigjilent duke monitoruar çdo lëvizje rreth kampit të vet në fushën e Meçadit, por kurrë nuk i shkonte mendja që do të tradhëtohej nga disa prej njerëzve të vet më të besuar. Disa historianë dhe studiues shqiptarë, një ndër ta edhe H.Qatipi, i cili i ka kushtuar një libër të veçantë ngjarjeve që kanë ndodhur në vitin 1465, e ka përcaktuar “gabimisht” lokalitetin e zhvillimit të betejës së dytë midis Gjergj Kastriotit-Skënderbeu dhe Ballaban Pashës në fushën e Oranikut dhe jo në luginën e Meçadit, duke e përmendur këtë ballafaqim ushtarak si “Beteja në Oranik (8)”. Në fakt, Ballaban Pasha e kishte ngritur kampin në Oranik(Dibër/Debar) dhe pikërisht në vendin ku kamponte zakonisht ushtria arbëre, por beteja u zhvillua në luginën e Meçadit, rreth 7 km në jug të Oranikut. Ballabani u nis menjëherë nga Oraniku, duke marshuar gjatë gjithë natës për ta sulmuar kundërshtarin e vet në befasi dhe arriti pranë kampit të ushtrisë arbëre një orë përpara lindjes së diellit. Fatmirësisht, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, i cili e kishte bërë zakon që të zgjohej pak pas mesnate për të shëtitur kampin me kalë dhe për të kontrolluar rojet e kampit, dëgjoi zhurmat e ushtrisë armike që po i afrohej kampit dhe mori masa të menjëhershme. Ndoshta ai e parandjente praninë e armikut, presupozon autori italan G.Francione, ndoshta dëgjoi hingëllimën e një kali dhe kjo i mjaftoi të zgjonte njerëzit e tij, ose shumë më thjeshtë, me sa duket ai po përfitonte nga një stratagjemë: rojat kishin bërë qëllimisht sikur ishin në korruptuar për t’i lënë dorë të lirë Gjergj Kastriotin-Skënderbeu që të skiconte kundër-befasinë (9). Ndërsa historiani anglez H.Hodgkinson i mëshon mendimit se Ballabani u përpoq të korruptojë rojet e kampit arbër në Meçad, pranë Oranikut, por Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, i cili asokohe kishte qenë larg në veri, ishte paralajmëruar për këtë lëvizje të kundërshtarit dhe u kthye menjëherë për t’u angazhuar në luftime me Ballabanin (10). Sidoqoftë, pasi vërejti me kujdes dhe analizoi shumë mirë lëvizjet e armikut, dha kushtrimin luftarak, renditi me shpejtësi ushtrinë nëpër formacione të rregullta luftimi dhe e ndau atë në tri grupime kryesore. Më pas iu caktoi të gjithëve detyrat luftarake dhe menjëherë dha shenjën e sulmit mbi forcat osmane. Veprimet e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu rezultuan aq efikase saqë brenda një intervali kohor shumë të shkurtër, i mobilizoi të gjitha trupat e veta ushtarake. Duke iu referuar Dh.Frangut, i cili ka shumë mundësi të ketë qenë dëshmitar okular i këtyre ngjarjeve, sepse shoqëronte Gjergj Kastriotin-Skënderbeu, ai na njofton se; “U përgatit me nxitim të madh dhe me 4.000 kalorës dhe 1.000 këmbësorë, veproi me aq qartësi e mençuri a thua se e kish kuptuar fare mirë planin e turqve. Kur këta të fundit panë ushtrinë arbëre në formacion të rregullt lufte, u shtangën prej habisë (11)”. Akoma pa lindur dielli, të dyja palët kundërshtare u gjendën përballë njëra-tjetrës pranë hyrjes së kampit të ushtrisë arbëre, e cila kishte një dizavantazh të frikshëm numerik në raport me forcat armike. Raporti midis tyre ishte 3.6 me 1 në favor të trupave osmane. Fillimisht Ballaban Pasha, i cili u gjend përpara një situate të tillë dhe e kuptoi se tashmë e kishte humbur elementin e befasisë, u mundua që të zmbrapsej dhe dha shenjën për t’u kthyer me nxitim andej nga kishin ardhur (12). Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, pa humbur kohë, e sulmoi kundërshtarin nga krahët dhe pas shpine së bashku me kalorësit e Gardës Pretoriane dhe repartet e vullnetarëve italianë të armatosur me arkebuzë, duke e shtrënguar atë që të jepte betejë (13). Kësisoj, Ballabani, i mbetur pa rrugëdalje, u detyrua të kundërsulmojë dhe u vërsul me të gjitha forcat. “Beteja nisi”, thotë M.Barleti dhe “përleshja me të (Ballabanin) u bë e rreptë dhe me të gjitha forcat (14)”. Gjatë zhvillimit të betejës, trupat arbëre mbajtën renditjen sipas porosive të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu. Ata luftuan me rradhë të ngjeshura, shfrytëzuan të çarat dhe boshllëqet në rradhët e forcave armike, iu shkaktuan kaos dhe çoroditje të plotë duke i dërrmuar që me goditjet e para që ndërmorën kundër tyre. Turqit, duke qenë të sulmuar në të njëjtën kohë përballë dhe prapa, nuk kishin kohë të mjaftueshme për të sistemuar rradhët e tyre (15). Ata më shumë mbroheshin se sa sulmonin dhe ashtu të sforcuar dhe të frikësuar, përplaseshin mbi formacionet e rregullta të ushtrisë arbëre duke mos mundur që të prishnin rradhët e tyre të ngjeshura aq fort pranë njëra-tjetrës. Në betejë u angazhuan të gjitha forcat ushtarake arbëre, ato e goditën fuqishëm armikun përballë, por njëkohësisht realizuan krahëmarrjen me shpejtësi të rrufeshme dhe brenda një kohe mjaft të shkurtër arritën t’i dërrmojnë të dyja anët e ushtrisë armike. Me një manovrim të shpejtë të forcave nga tri drejtime, ata e rrethuan, e copëtuan dhe e shpartalluan ushtrinë e Ballaban Pashës (16). Kjo ishte një masakër, sepse gati të gjithë flamujtë e forcave armike ranë në duart e luftëtarëve arbër dhe vetëm pak ushtarë turq arritën të dalin gjallë nga kjo kasaphanë e tmerrshme për ta. Më pas turqit-osmanë u ndoqën kaq shumë dhe në një distancë aq të largët sa nuk ishin në gjendje të mbulonin tërheqjen e tyre, por u detyruan të braktisnin gjithçka, duke ua dhuruar si plaçkë fitimtarëve (17). Renegati Ballaban, i mbetur vetëm me një grusht ushtarësh rreth vetes, tashmë nuk kishte asnjë alternativë tjetër, përveç se t’ia mbathte nga fusha e betejës së bashku me mbeturinat e ushtrisë së vet. “Më në fund, në sajë të udhëheqjes së mençur të Skënderbeut, (osmanët) morën arratinë plot lebeti”, thotë Dh.Fragu; “dhe vetëm ca të pakët, arritën të çonin lajmin e kobshëm në atdhe (18)”. Edhe humanisti M.Barleti e përshkruan fundin e kësaj beteje duke konfirmuar variantin e Dh.Frangut. “Më në fund, ai (Gjergj Kastrioti-Skënderbeu) e vuri përpara (Ballabanin), duke ia dërrmuar pothuaj krejt ushtrinë dhe duke ia shtënë në dorë kampin, por jo pa derdhur gjak edhe ushtria e vet (19)”. Çelësi i fitores lidhet ngushtë me faktin se luftëtarët arbër ishin të përgatitur fizikisht dhe të stërvitur në mënyrë shumë rigoroze për të zhvilluar luftime jo vetëm gjatë ditës, por edhe gjatë natës, sepse shumica prej tyre ishin ushtarë veteranë-profesionistë që e kishin filluar karrierën ushtarake që në vitet 1443-1444. Ndërsa pjesa tjetër ishin djem të rinj, të përzgjedhur dhe të stërvitur vazhdimisht nga vetë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, të cilit ata i bindeshin duke i besuar verbërisht. Historiani i njohur ushtarak Sh.Leka, i cili tregohet shumë i kursyer në përshkrimin e kësaj betejë, ashtu si të gjithë historianët e tjerë, konkludon se: shpejtësia në veprime dhe manovra krahëmarrëse u bënë në këtë rast faktorët që shmangën goditjen e befasishme të kundërshtarit dhe siguruan fitoren për ushtrinë arbëre (20). Bilanci i humbjeve për Ballaban Pashën ishte i pallogaritshëm dhe ndërsa arbërit, të cilët grumbulluan plaçkë shumë të madhe duke marrë të gjithë kampin osman, humbën vetëm 10 ushtarë (21), shifër kjo që citohet nga Dh.Frangu sepse M.Barleti nuk përcjell detaje të tjera, pasi përshkrimit të dinamikës së zhvillimit të betejës së dytë të Meçadit i ka kushtuar vetëm pak rrjeshta në kryeveprën e tij. Kjo disfatë e dytë që pësoi Ballaban Pasha përballë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu shkaktoi një hidhërim të madh tek sulltan Mehmeti II Fatih, i cili, i gjendur në një situatë të vështirë dhe pa rrugëdalje, u detyrua që ta dërgojë sërish të njëjtin komandant me shpresën se do të ndryshonte fati i luftës. Edhe pse kishte pësuar dy humbje përballë tij, Ballabani mbetej kundërshtari më i rrezikshëm i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, sepse ishte trim, dinak dhe komandant me përvojë të gjatë luftarake, por gjithashtu duke qenë i lindur në Arbëri, ishte njohës shumë i mirë i këtij terreni kaq të vështirë dhe pothuajse të padepërtueshëm. M.Barleti thekson se; “(sulltani) duke ditur shpirtin e pangopur të njeriut, ai i premtoi (Ballabanit) edhe mbretërinë e Skënderbeut në rast se do t’ia arrinte që ta qëronte. Dhe kështu e nisi(për të tretën herë) me një ushtri shumë të madhe dhe të fuqishme (22)”. Pra Ballaban Pashës, midis të tjerash, i ishte premtuar që në rast fitoreje kundër Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, eleminimit fizik ose dëbimit të tij nga Arbëria, ai do të ngjitej mbi fronin e Arbërisë për të sunduar si mëkëmbës i sulltan Mehmetit II Fatih duke iu hapur rrugën osmanëve për t’u hedhur në Gadishullin Apenin. Por asnjëri nga këto plane nuk u materializua, sepse Gjergj Kastrioti-Skënderbeu rezultoi të ishte i pathyeshëm dhe i pamposhtur në sajë të aftësive të veta mbinjerëzore, kapitenëve të shquar dhe bashkëluftëtarëve të tij të jashtëzakonshëm ku çdonjëri prej tyre ishte një “Skënderbe në miniaturë”…

*BIBLIOGRAFIA:

1)M.Barleti, vep. cit. f.456.

2)-G.Hammer, Storia dell’Impero Osmano, V, 1453-1520, Venezia, 1829, f.156; C.Paganel, Geschichte Scanderbeg’s Oder Türken Und Christen Im 15. Jahrhundert, f.310-311.

3)-H.Hodgkinson, Scanderbeg (From Ottoman Captive to Albanian Hero), f.200.

4)-C.Simoni, Skënderbeu, Heroi i Shqipërisë, f.117.

5)-Dh.Frangu, vep. cit. f.53.

6)-G.Biemmi, Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander-Begh, Seconda edizione, Brescia, 1756, f.435.

7)-M.Barleti, vep. cit. f.456.

8)-H.Qatipi, Skënderbeu më 1465, f.41.

9)-G.Francione, Skënderbeu, një hero modern : (Hero multimedial), f.175.

10)-H.Hodgkinson, Scanderbeg (From Ottoman Captive to Albanian Hero), f.203.

11)-Dh.Frangu, vep. cit. f.53.

12)-G.Biemmi, Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander-Begh, Seconda edizione, Brescia, 1756, f.436.

13)-C.C.Moore, George Castriot, surnamed Scanderbeg, King of Albania, f.341.

14)-M.Barleti, vep. cit. f.456.

15)-C.C.Moore, George Castriot, surnamed Scanderbeg, King of Albania, f.341.

16)-R.Sinani, Beteja të Skënderbeut, f.76.

17)-C.C.Moore, George Castriot, surnamed Scanderbeg, King of Albania, f.341.

18)-Dh.Frangu, vep. cit. f.53.

19)-M.Barleti, vep. cit. f.456).

20)-Sh.Leka, Skënderbeu, Strateg dhe komandant legjendar, f.160.

21)-Dh.Frangu, Komentar i luftërave të turqve kundër Skënderbeut, f.53.

22)-M.Barleti, vep. cit. f.457.

Nga: Paulin Zefi.

Loading...
Loading...
Loading...
Loading...

Shiko poashtu

Vojsava Tribalda Kastrioti, gjak i pastër arbëror

Nga Brunilda Ternova sjellim një sërë të dhënash, që sipas saj dëshmojnë qartë që Vojsava Triballi …

Leave a Reply

Loading...