Kryefaqja / LAJME / Vandalizohet busti i At Shtjefën Gjeçovit në Zllakuqan të Klinës

Vandalizohet busti i At Shtjefën Gjeçovit në Zllakuqan të Klinës

Është vandalizuar busti i At Shtjefën Gjeçovi, në oborrin e shkollës që mban emrin e tij, në fshatin Zllakuqan të Klinës, në vendin ku vetë ai kishte hapur shkollën e parë shqipe.

Lajmin e ka bërë me dije vetë kjo shkollë, përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook. Rasti ndodh në kohën kur Kosova shënon 90 vjetorin e vrasjes së arkeologut, etnologut, klerikut e atdhetarit të shquar.

Kjo shkollë indinjatën e shpreh duke thënë se “të vranë për së dyti”.

“Busti i vendosur në oborrin e shkollës sonë mungon. Të vranë për herë të dytë, hajnat për përfitime…. apo kushdo qofshin ata! Nuk vidhet shkolla!!!!”, thuhet në njoftimin e kësaj shkolle.

Ndërkohë qysh tash kanë nisur paralajmërimet për shënimin e përvjetori të 90-të të vrasjes së Gjeçovit. Kësisoj, në Zym të Hasit, komuna e Prizrenit, më 30 nëntor 2019, organizojnë sesionin e katërt të veçantë shkencor me temën “At Shtjefën Gjeçovi”.

Temat ku mund të përqendrohen studiuesit janë rinia dhe shkollimi i At Shtjefën Gjeçovit, fillet e veprimtarisë fetare dhe kombëtare në Troshan dhe Rubik, veprimtaria kulturore fetare dhe kombëtare në Zllakuqan të Klinës, hapja e Shkollës Shqipe në Zllakuqan, hapja e Shkollës Shqipe në Laç dhe të tjera.

At Shtjefën Gjeçovi, françeskan shqiptar kosovar, njihet si mbledhësi dhe që e shkroi “Kanunin e Lekë Dukagjinit”, ndërkohë që mblodhi këngë, përralla, mite, doke e zakone popullore. Universiteti i Lajpcigut i kishte dhënë atij titullin e nderit “Honoris Causa”.

Disa prej veprave të tij janë “Dashnia e atdheut”, drama “Agimi i qytetnisë”, “Shqiptari ngadhënjyes”, “Përkrenarja e Skënderbeut”, botimi i “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, vepra “Trashëgime trako-ilire”, “Jeta e Shën Luçisë, Shna Ndou i Padues, Atil Reguli” – përkthim i lirë i dramës me 3 akte të Pjetër Metasatasit, etj.

At Shtjefën Gjeçovi u vra më 14 tetor 1929 në Zym të Hasit, atje ku e ka edhe varrin që mbrohet me ligj si monument kulture.

Loading...
Loading...
Loading...

Shiko poashtu

Nimanbegu: “Jam i befasuar në mënyrë të pakëndshme ndaj paralajmërimit të padisë”, Shqiptarët në Mal të Zi janë autokton

Nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi dhe propozuesi i ndryshimit të ligjit për simbolet …

Leave a Reply