Kryefaqja / HISTORI / Beteja e dytë e Mokrës dhe fitorja e dyfishtë e Gjergj Kastriotit më 27 gusht 1462

Beteja e dytë e Mokrës dhe fitorja e dyfishtë e Gjergj Kastriotit më 27 gusht 1462

*Në fund të muajit qershor të vitit 1462, kur Mehmeti II Fatih ishte angazhuar në fushatën ushtarake kundër Vladit III Tepeş(Vlad Drakula) në Vllahi, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu shpalli mobilizimin e përgjithshëm të ushtrisë dhe marshoi drejt kufijve lindorë për t’i sulmuar osmanët në zotërimet e tyre. Ndërkohë që Republika Veneciane kishte filluar “avazin e vjetër”, duke vazhduar luftën e padeklaruar nëpërmjet provokimit të incidenteve në brezin kufitar midis Arbërisë Veneciane dhe zotërimeve të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, ky i fundit u vërsul kundër Perandorisë Osmane dhe brenda pak ditëve shpartalloi 4 ushtri të mëdha armike që në total, në se i referohemi M. Barletit, ato kishin një efektiv prej 108.000 vetash: Sinan Pasha me 20.000, Hasan Beu me 30.000, Jusuf Beu me 18.000 dhe Karaxha Beu me 40.000(1). Përsa i përket fushatës së tij në Maqedoni dhe shpartallimit të njëpasnjëshëm të katër ushtrive osmane, flasin vetëm humanistët arbër, Dh. Frangu dhe M. Barleti, edhe këta “në mënyrë të kursyer”, sepse kufizohen në pak rrjeshta. Po ashtu, këto beteja i përmend, duke i kaluar përciptas, edhe italiani F. Sansovino dhe sidomos G. Biemmi, i cili i referohet “me rezerva” M. Barletit. Të dhënat që na përcjellin këto autorë, përputhen pjesërisht me njëra-tjetrën dhe të gjithë historianët e mëvonshëm bazohen kryesisht tek veprat e Dh. Frangut dhe M. Barletit, sepse betejat e zhvilluara gjatë vitit 1462 nuk na dalin në asnjë dokument tjetër të kohës. Dh. Frangu së bashku me M. Barletin kanë mbajtur qëndrime deri diku, të unifikuara, edhe përsa i përket emrave të komandantëve osmanë, numrit të ushtarëve që morën pjesë, lokalitetet e betejave, dinamikën e zhvillimit të këtyre ngjarjeve dhe veprimet luftarake të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu. Ajo çfarë bie në sy tek punimet shkencore të historianëve të sotëm, qoftë edhe ata që gëzojnë më shumë reputacion, është fakti se këto katër beteja kaq të rëndësishme, ata i citojnë shkarazi dhe vetëm nëpërmjet dy ose tre fjalive mjaft të shkurtra, duke i trajtuar si ngjarje të dorës së dytë, por pjesa më e madhe prej tyre nuk i përmendin fare! Autori R. Sinani, në librin e tij, i paraqet këto beteja në mënyrë sintetike. As historiani tjetër ushtarak dhe ish-shefi i Katedrës së Historisë Ushtarake, Prof. Dr. Shahin Leka, nuk iu kushton vëmendje këtyre betejave, por kufizohet vetëm me dy fjali përmbledhëse(2). Po ashtu, edhe në tekstin e “Historisë së Popullit Shqiptar”, të botuar në vitin 2002, duke u bazuar tek M. Barleti, jepet një përshkrim shumë i shkurtër dhe fragmentar(3). Prandaj lind nevoja që ta plotësojmë këtë “vakum historik”, në mënyrë që ne të mund të krijojmë një panoramë të qartë dhe të kuptojmë rëndësinë e jashtëzakonshme të këtyre fitoreve të shkëlqyera që korri Gjergj Kastrioti-Skënderbeu kundër Perandorisë Osmane gjatë muajve gusht-shtator të vitit 1462. Janë pikërisht këto fitore, të cilat e detyruan sulltan Mehmetin II Fatih, për të kërkuar nënshkrimin e një marrëveshje paqeje me qëllim për të parandaluar disfata të tjera akoma më të rënda, marrëveshje, e cila do të arrihet pas një viti në qytetin e Shkupit, më 27 prill 1463.

*Gjatë muajit gusht të vitit 1462, pranë qytetit të sotëm të Kërçovës, në brezin kufitar midis Arbërisë dhe Perandorisë Osmane, u përqendruan 50.000 trupa ushtarake osmane, të cilat u ndanë në dy pjesë për të marshuar në thellësi të Arbërisë, ku si objektiv kryesor kishin vendosjen e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu midis dy zjarreve. Sinan Pasha do të marshonte me 20.000 ushtarë në drejtimin: Kërçovë-Gryka e Radikës-Dibër e Sipërme dhe pas tij, Hasan Beu me 30.000 ushtarë në drejtimin: Kërçovë-Lugina e Drinit të Zi-Dibër e Sipërme, sepse M. Barleti thotë se Hasan Beu, “i mundur ose më mirë i shpartalluar në të njëjtën betejë të përmendur me 30.000 vetë më ket’anë Ohrit, provoi se Skënderbeu jo vetëm ishte trim mbi trima, por edhe bujar.(4)”. Ndërsa G. Biemmi, thotë se Hasan Beu u vendos fillimisht në lokalitetin “Chieri” në Maqedoni, vend i cili sipas tij ndodhet rreth 4 milje pranë kufirit midis Perandorisë Osmane dhe Arbërisë(5). Pikërisht këtu, në “Chieri”, që është një toponim akoma i paidentifikuar, do të vendosë kampin e tij ushtarak disa ditë më vonë edhe komandanti tjetër osman, Karaxha Beu, i cili më pas marshoi në drejtim të Ohrit për të kampuar në Livadh, pranë qytetit të Strugës. I mirëinformuar mbi lëvizjet e ushtrisë armike, nga zbuluesit arbër, Kryezoti i Arbërisë mblodhi pranë vetes 8.000 luftëtarë, me të cilët kishte ardhur nga Kruja pas shpalljes së mobilizimit të përgjithshëm dhe ndërsa kur arriti në Dibër iu bashkuan edhe 2.000 trupa ushtarake nga repartet kufitare. Fillimisht mblodhi Këshillin e Luftës, ku u analizuan lëvizjet e armikut dhe më pas u miratua unanimisht propozimi i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu lidhur me planin e sulmit kundër ushtrisë osmane. U vendos që gjatë natës, ushtria arbëre të pozicionohej në pritë nëpër pyjet e dendura të Mokrës, të maskohej dhe të qëndronte në gatishmëri të plotë. Pjesa e parë e ushtrisë armike, që sipas Dh. Frangut, përbëhej nga 23.000 kalorës(6), dhe që M. Barleti e zbret këtë shifër në 20.000 veta(7), komandohej nga Sinan Pasha dhe po marshonte në drejtim të Arbërisë e ndjekur nga pjesa tjetër, e cila sipas M.Barletit përbëhej nga 30.000 trupa(8), kryesisht kalorës dhe që komandohej nga Hasan Pasha ose Hasan Beu. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u nis menjëherë drejt malit të Mokrës dhe sapo mbërriti në vend, e ndau ushtrinë në dy pjesë: 5.000 luftëtarë i vendosi përgjatë rrugës ku do të kalonin ushtarët turq dhe ai vetë me 3.000 kalorësit e Gardës Pretoriane u ngjit në një kodër aty afër(9). Pra, në këtë betejë vendosi të angazhojë vetëm 8.000 veta, duke mbajtur 2.000 rezervë dhe të gjitha veprimet u kryen gjatë natës midis 26-27 gushtit. G. Biemmi thekson se mundja (disfata) e Sinan Pashës ka ndodhur në mëngjes dhe ajo e Hasan Pashës pas mesditës së 27 gushtit 1462. [La sconfitta di Sinàm accadè la mattina, e quella di Assèm dopo il mezzo giorno de 27. d’Agosto 1462] (10). Mëngjesin e 27 gushtit, ushtria osmane, e komanduar nga Sinan Pasha po marshonte e qetë, duke vazhduar ngjitjen mbi kodrën e pyllëzuar ku ishte fshehur ushtria arbëre(11). Në momentin kur trupat e pararojës turke hynë në pritë dhe kolona e fundit e ushtrisë armike ndodhej në këmbët e malit të Mokrës, atëherë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dha shenjën e sulmit, u dëgjuan tingujt rrënqethës që lëshuan trumbetat e Gardës Pretoriane dhe menjëherë filloi një sulmi i befasishëm, që i gjeti osmanët krejtësisht të papërgatitur. Dh. Frangu shkruan se “Atëherë Skënderbeu dha kushtrimin për të mësyer. Gjithçka u bë me kaq shpejtësi dhe vrull, duke i bërë të gjithë të iknin me pështjellim aq të madh, sa askush prej tyre nuk donte t’ia dinte më për shokun(12).” Kjo betejë u zhvillua në një terren mjaft të vështirë dhe krejtësisht të panjohur për forcat armike(13). Turqit-osmanë nuk mund të dilnin nga asnjëra anë, sepse ishin të rrethuar nga male të larta shkëmbore, kurse përballë tyre kishin luftëtarët e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu që i goditnin pa ndërprerje dhe iu shkaktonin dëme shumë të rënda, duke përdorur të gjitha llojet e armëve(14). Aq i befasishëm dhe njëkohësisht i fuqishëm ishte sulmi i ushtarëve arbër, sa që pjesa më e madhe e ushtarëve turq u vranë brenda pak çastesh dhe të tjerët, pasi hodhën flamujtë, ia mbathën në të gjitha drejtimet. Vetë komandanti, Sinan Pasha, me një numër të vogël ushtarësh mezi arriti të shpëtojë, duke u arratisur nëpër pyjet e Mokrës(15). Megjithatë, sulmi nuk u ndërpre, sepse Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, në krye të 3.000 kalorësve të Gardës Pretoriane vazhdoi ndjekjen e trupave armike dhe vrau shumë prej tyre, me përjashtim të atyre që hodhën armët, duke kërkuar mëshirë. Më shumë se dy të tretat e ushtarëve osmanë mbetën të vrarë në fushën e betejës pra, mbi 13.300 veta dhe të gjitha armatimet e tyre së bashku me materialet e ndryshme ranë në duart e luftëtarëve arbër(16). “Shumë nga barbarët, që u zunë të gjallë”,- thotë M. Barleti,- “u liruan të shpërblyer me të holla, të cilat Skënderbeu, bashkë me plaçkën dhe stremet e tjera, ua dhuroi ushtarëve të vet(17).” Sipas mendimit që shpreh Dh. Frangu, faktori i parë që mundësoi këtë fitore të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu kundër Sinan Pashës ishte vetë “vullneti i Perëndisë” dhe faktori i dytë lidhet me përvojën e madhe luftarake që i kishte bërë arbërit të pamposhtur, mungesa e frikës, vështirësitë e shumta dhe aftësia për të duruar të gjitha llojet e mundimeve që sillnin marshimet e gjata(18). Në të njëjtën ditë, pra, më 27 gusht 1462, pasdite vonë, u zhvillua edhe një betejë tjetër, ajo midis Gjergj Kastriotit-Skënderbeu dhe komandantit osman, Hasan Beu. Pavarësisht se historiani zviceran, O. J. Schmitt nuk i trajton betejat e fituara nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në vitin 1462 dhe mjaftohet, duke i përmendur të gjitha këto vetëm me nga dy fjali, nga ana tjetër, ai jep një të dhënë shumë interesante. Sipas tij, Hasan Beu ishte një arbër i kthyer në mysliman, pinjoll i Zenebishëve, fisnik i rangut të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu dhe komandant (qeveritar) i qytetit të Tetovës(19). Prandaj ka shumë mundësi që renegati i lartpërmendur të jetë pikërisht Hasan Beu, i biri i islamizuar i Gjin Zenebishit (sundimtari i Gjirokastrës dhe Vajenetisë), të cilin e përmend shkarazi osmanologu F. Duka, duke iu referuar historianit turk, H. Inalçik, në lidhje me elementët e islamizuar në gjirin e familjeve feudale arbëre, por që nuk jep detaje të tjera(20). Po ashtu edhe I. Koçollari, duke iu referuar historianit grek, K. Biri, thotë se renegati arbër, Hamza Zenevisi, i cili kishte dhënë prova të mëdha për aftësitë e rralla ushtarake dhe që në vitin 1459 u caktua nga sulltan Mehmeti II Fatih si komandant i njësive turke të Peloponezit, për të shtypur kryengritjen e popullsisë arbëre, ishte pinjoll direkt i derës së Zenevisëve, “në mos i biri i princit të njohur të Gjirokastrës, Zenevisit [Gjin Zenebishit] (21)”. Me sa duket, ky komandant ishte edhe njohës shumë i mirë i terrenit. Hasan Bej Zenebishi po marshonte në krye të pjesës tjetër të ushtrisë osmane, që përbëhej nga 30.000 veta gjatë rrugës, e cila lidh qytetin e Ohrit me malin e Mokrës, ku ai kishte planifikuar t’i bashkonte forcat me Sinan Pashën. Në këto kushte, ushtarët arbër u detyruan të zhdukin çdo gjurmë në terren, u dislokuan nga ana tjetër e malit të Mokrës, ku kalonte rruga që vinte nga qyteti i Ohrit dhe pasi u fshehën, qëndruan përsëri në gatishmëri për t’u përballur me betejën e dytë rradhazi brenda të së njëjtës ditë. Kolonat e ushtrisë osmane depërtuan brenda luginës dhe më pas, të rraskapitur nga lodhja që u kishte shkaktuar marshimi i tyre i gjatë, ata filluan ngjitjen e ngadaltë nëpër shpatet e pyllëzuara, ku do të binin në pritën e organizuar aq mjeshtërisht nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Në momentin kur pjesa më e madhe e ushtrisë osmane depërtoi brenda hapësirës ku qëndronin të fshehur luftëtarët arbër, këto të fundit u hodhën menjëherë në sulm, duke i goditur trupat armike në befasi dhe brenda një kohe të shkurtër i gjithë ai vend u kthye në kasaphanë. Fillimisht osmanët, edhe pse të tmerruar, rezistuan, duke luftuar me vetëmohim, por kalorësit e fuqishëm të Gardës Pretoriane, me në krye Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, e përqendruan sulmin kundër qendrës së ushtrisë armike, ku qëndronte komandanti Hasan Beu. Gjatë zhvillimit të këtij sulmi, Kastrioti vrau pa mëshirë të gjithë oficerët kryesorë të shtabit turk dhe vetë Hasan Beu “u plagos nga një shigjetë në krahun e djathtë(22)”. Njoftimin e Dh. Frangut mbi ashpërsinë e sulmit të Gardës Pretoriane, e pohon edhe M. Barleti, i cili shton se “Pothuajse në të njëjtën kohë, Hasan Beu, i mundur ose më mirë i shpartalluar në të njëjtën betejë të përmendur me 30.000 vetë në ket’anë të Ohrit, provoi që Skënderbeu jo vetëm që ishte trim mbi trima, por edhe bujar. Dhe me të vërtetë, duke luftuar me egërsi shumë të madhe, iu vranë të gjithë rojet përreth tij, iu plagos gjithashtu kali, por jo sa të ngordhte, u plagos edhe vetë në krahun e djathtë(23).” Hasan Beu, i mundur dhe i plagosur rëndë, mezi arriti t’i shpëtojë vdekjes me shumë stërmundime. I favorizuar nga rënia e natës, ai u largua nga fusha e betejës, duke e lënë ushtrinë e tij në mëshirën e fatit! Perëndimi i diellit ishte një bekim për mbeturinat e ushtrisë osmane, sepse ata shfrytëzuan errësirën e natës për t’u arratisur, duke udhëtuar nëpër disa shtigje malore që nuk i njihnin, por mjaftonte që të shpëtonin pa u vrarë ose pa u zënë robër nga ushtria arbëre. Komandanti osman u tërhoq në një mal të pyllëzuar, që ndodhej pranë kufirit arbër dhe vetëm 4.000 hapa (3 km) larg kampit qëndror të ushtrisë arbëre. Aty vendosi të kalojë natën së bashku me një pjesë të vogël të trupave osmane që i kishin mbijetuar kësaj beteje të përgjakshme, por as aty nuk mundi t’i fshihet syrit vigjilent të zbuluesve arbër. Ai u zbulua shumë shpejt nga një prej burrave të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, i cili raportoi zbulimin e tij tek prijësi, duke pohuar në të njëjtën kohë edhe numrin e të arratisurve që shoqëronin gjeneralin turk më të madh se sa ishte me të vërtetë, pasi ai ishte mashtruar si pasojë e hijeve dhe dendësisë së pemëve në atë pjesë të pyllit(24). Në mëngjesin e ditës së 28 gushtit 1462, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dërgoi zbulues të tjerë për të vrojtuar dhe kontrolluar vendin ku dyshohej se ishte fshehur Hasan Beu dhe ata konfirmuan praninë e tij. Prandaj, pa humbur kohë, i hipi kalit dhe u nis në krye të të gjithë kalorësisë arbëre dhe kur po afrohej tek vendi në fjalë, i urdhëroi ushtarët që të krijojnë një rrethim perimetral në atë pjesë të pyllit ku ishte fshehur Hasan Beu së bashku me mbeturinat e ushtrisë osmane, me qëllim për t’i asgjësuar ata plotësisht. Kur u afruan pranë trupave armike, të cilët ishin ngjeshur të frikësuar pranë komandantit, shumica prej tyre të plagosur, rezultoi se ata ishin shumë më të paktë në numër në krahasim me informacionet që kishte sjellë në kamp zbuluesi arbër natën e shkuar. Prandaj edhe asgjësimi i tyre i plotë ishte një mision i lehtë për kalorësinë e fuqishme të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu. Ushtarët armiq, të dëshpëruar dhe të pashpresë, u konsultuan me komandantin e tyre dhe vendosën të dorëzohen, duke hedhur në tokë armatimet dhe u përgjëruan për mëshirë. Ishte vetë Hasan Beu që mori guximin i pari dhe iu afrua Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, i kapi frerët e kalit me duart që i dridheshin nga frika dhe iu drejtua me këto fjalë prekëse, që na i përcjell M. Barleti: “O Skënderbe, ku vete? Kundër kujt e ke çveshur shpatën? Kundër kujt i ke drejtuar shigjetat? S’është nder, as lavdi të fitosh ngahera. Mundu ndonjëherë edhe ti, thyeju edhe ti. Kështu, i mundur më mirë se sa fitonjës, do të fitosh dhe do të kesh më tepër lavdi nga triumfet e butësisë sate, se sa nga triumfet e ushtrive dhe të fitoreve armike(25).” Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u prek aq shumë nga fjalët e armikut të tij të mundur dhe pasi ndaloi për një çast, duke vënë buzën në gaz, atëherë u kthye nga bashkëluftëtarët e vet dhe u tha: “S’ka gjë më të keqe se sa fati i keq, s’ka gjë më të urtë se sa nevoja. Të mundur, ne flasim sa më urtë, sa më bukur, kurse si fitimtarë kurrë s’do të dinim të flisnim kështu(26).” Sipas jetëshkruesit polak, M. Bielski, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e mbaroi fjalimin përpara ushtarëve të vet me fjalët: “Duke qenë gjithmonë fitimtarë, nuk e kemi ditur se mund të mundemi nga lutjet!” dhe më pas e mori për krahu Hasan Beun dhe i tha: “Kënaqu, ti më munde, sot!” dhe urdhëroi luftëtarët e tij që ta strehonin në një tendë dhe t’ia mjekonin plagën sa më mirë(27). Pra, ai jo vetëm që ua fali jetën ushtarëve të mbijetuar turq, por gjithashtu, për habinë e të gjithëve, urdhëroi që Hasan Beu të trajtohet si mik. Ditët në vazhdim, komandanti turk u trajtua me një kujdes shumë të veçantë, duke i mjekuar plagën dhe pasi u shërua plotësisht, iu akordua liria në mënyrë që ai të kthehej shëndosh e mirë pranë familjes së vet. Ky veprim i jashtëzakonshëm dhe përkujdesja e tij e vazhdueshme, duke monitoruar procesin e mjekimit të Hasan Beut, e ngriti akoma më lart prestigjin dhe lavdinë e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, i cili për nga madhështia e shpirtit nuk mund të krahasohet me asnjë figurë historike apo hero kombëtar të ndonjë populli tjetër.

1)-M. Barleti, Historia e Skënderbeut, f. 423-424; Shih edhe J. Lavardin, Histoire de Georges Castriot Surnomé Scanderbeg, Roy d’Albanie, Paris, 1593, f. 399-403; J. N. Duponcet, Exploits héroiques de Scanderbeg, roi d’Albanie,Liège, 1854, f. 276-280; C. Paganel, Geschichte Scanderbeg’s Oder Türken Und Christen Im 15. Jahrhundert, f. 281-284; C. Simoni, Skënderbeu, Heroi i Shqipërisë, f. 105; F. Hadri, Skënderbeu në historiografinë evropiane, f. 109-110.

2)-Sh. Leka, Skënderbeu, f. 149-157.

3)-Historia e Popullit Shqiptar, Vol. I, Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë. Toena. Tiranë, 2002. f. 446-448.

4)-M. Barleti, vep. cit. f. 423.

5)-G. Biemmi, 409.

6)-Dh. Frangu, f. 40.

7)-M. Barleti, Historia e Skënderbeut, f. 423.

8)-M. Barleti, Historia e Skënderbeut, f. 423; Shih edhe M. Bielski, Mbi Skënderbeun e Maqedonisë, Princin Shqiptar, f. 97; C. Paganel, Geschichte Scanderbeg’s Oder Türken Und Christen Im 15. Jahrhundert, f. 281.

9)-Dh. Frangu, f. 40.

10)-G. Biemmi, f. 410.

11)-J. Pisko, Skanderbeg, Historische Studie, f. 89.

12)-Dh. Frangu, vep. cit. f. 40.

13)-R. Sinani, Beteja të Skënderbeut, f. 70.

14)-M. Bielski, Mbi Skënderbeun e Maqedonisë, Princin Shqiptar, f. 98.

15)-J. N. Duponcet, Exploits héroiques de Scanderbeg, Roi d’Albanie, f. 277.

16)-C. C. Moore, George Castriot, surnamed Scanderbeg, King of Albania, f. 317.

17)-M. Barleti, vep. cit. 423.

18)-Dh. Frangu, f. 40.

19)-O. J. Schmitt, Skënderbeu, f. 344.

20)-F. Duka, Fisnikëria Shqiptare dhe qëndresa e Skënderbeut: Rasti i Muzakajve, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në historinë e shqiptarëve, Tiranë 2005, f. 33.

21)-I. Koçollari, Arvanitët, f. 108.

22)-Dh. Frangu, vep. cit. f. 40; Shih edhe F. Sansovino, Historia Universale dell’origine et imperio de’Turchi, f. 265; J. N. Duponcet, Exploits héroiques de Scanderbeg, roi d’Albanie, f. 277.

23)-M. Barleti, vep. cit. f. 423.

24)-C. C. Moore, George Castriot, surnamed Scanderbeg, King of Albania, f. 317.

25)-M. Barleti, vep. cit. f. 424; Shih edhe M. Bielski, Mbi Skënderbeun e Maqedonisë, Princin Shqiptar, f. 98; J. N. Duponcet, Exploits héroiques de Scanderbeg, roi d’Albanie, f. 278.

26)-M. Barleti, vep. cit. f. 424.

27)-M. Bielski, Mbi Skënderbeun e Maqedonisë, Princin Shqiptar, f. 99.

Nga: Paulin Zefi.

Ingen bildebeskrivelse er tilgjengelig.
Bildet kan inneholde: utendørs

Loading...
Loading...
Loading...
Loading...

Shiko poashtu

Vojsava Tribalda Kastrioti, gjak i pastër arbëror

Nga Brunilda Ternova sjellim një sërë të dhënash, që sipas saj dëshmojnë qartë që Vojsava Triballi …

Leave a Reply

Loading...