Kryefaqja / LAJME / Mbi tumën Ilire të Istogut është ngritur varri i kriminelit Miliq Kërsta – Krim mbi trashëgiminë shqiptare

Mbi tumën Ilire të Istogut është ngritur varri i kriminelit Miliq Kërsta – Krim mbi trashëgiminë shqiptare

Haxhi Mehmetaj

Pak metra larg qendrës së Istogut, në anën e majtë të lumit, në një lendinë të bukur e të pyllëzuar me pisha të oborrit të kishës ortodokse serbe, ndodhet tuma ilire e epokës së bronzit të vonë dhe hekurit të hershëm, pra rreth 3500 vjet e vjetër. Kjo tumë është e një rëndësie tejet të veçantë pasi që nga forma, madhësia, simetria dhe estetika e saj, radhitet në një ndër tumat më përfaqësuese të Dardanisë Qendrore apo Kosovës së sotme. (fig.1).

Tuma në oborrin e kishës e botuar nga autori i këtij shkrimi në librin “Trashëgimia Arkeologjike e Komunës së Istogut”, Prishtinë 2016, faqe 147, është e lartë 2 metra dhe ka diametër 21 x 19 metra. Në anën e kundërt të lumit, 500 metra në perëndim të kësaj tume, brenda varrezës shqiptare të njohur me emrin “Vorret e Llullakëve” gjendet edhe një tumë tjetër, dhe të dyja së bashku ishin pjesë e një kompleksi të cilat dëshmojnë prezencën e një nekropoli të madh ilir.

Përveç kishës së kohës së re ortodokse serbe, kushtuar Shën Pjetrit dhe Palit dhe shtëpisë së priftit që nuk e kishin vendin aty – aq afër një kodërvarri kaq me rëndësi, edhe më absurde është prezenca e një përmendoreje guri e Luftës së Parë Botërore, kushtuar oficerëve dhe ushtareve serb që masakruan shqiptarë , si dhe varri i kriminelit serb Miliq Krstiqit (Miliq Kërstes), të cilat gjenden mbi tumë dhe kanë dëmtuar seriozisht majën e saj (fig.2).

Sipas mbishkrimit të skalitur në përmendoren ushtarake në gjuhen serbe, në alfabetin cirilik thuhet: “Përmendorja u kushtohet oficerëve dhe ushtarëve serb të renë këtu në Istog në vitin 1915 nga arnautët (term ofendues me të cilin Osmanët iu referoheshin shqiptarëve – nënvizimi i im), për liri dhe bashkim të popullit serb. Lavdi. Përmendoren e ngritën qytetarët e komunës së Istogut në vitin 1919. E punoi Spasoje Vanjoviq.”
Ndërsa ne përmendoren e varrit të granitit, përkushtuar kriminelit famëkeq Miliq Kërstës është skalitur po ashtu në gjuhen serbe e alfabetin cirilik ky mbishkrim: “Këtu pushon Krstiq Miliqi, kapiten në pension, i lindur në vitin 1887, i vrarë në vitin 1938. Përmendoren e ngriti djali Kërsto dhe Milivoje. Viti 1973.”

Miliq Kërsta ishte i njohur për vrasje dhe tortura të popullatës civile shqiptare. Sipas një versioni, ai u vra nga Selman Kadria, ndërsa një version tjetër thotë që u vra nga truproja e Gani beg Kryeziut dhe në pamundësi për të zanë truprojën i cili ishte nga Shqipëria dhe iku atje, vetë Gani beg Kryeziu u arrestua dhe u mbajt në burg.

Qëllimi i këtij shkrimi nuk është ndriçimi i vrasjes së Miliq Kërstes apo hyrja në detaje historike të asaj ngjarjeje, por të vë në pah realitetin absurd se si trajtohen këto objekte që nxisin urrejtje, në raport me tumën monumentale mbi të cilat janë ndërtuar dhe po vazhdojnë ta degradojnë.

Në rrethana normale të një shoqërie të civilizuar, monumentet e tilla të trashëgimisë kulturore, siç është kjo tumë e lashtë ilire, konsiderohen si të shenjta dhe mbrohen me ligj. Përmendorja dhe varri do duhej të zhvendosen për t’ua liruar vendin arkeologëve që të hulumtojnë dhe të studiojnë tumën, ndërsa në realitetin tonë gjërat janë kurdisur së mbrapshti. Në vend se të mbrohen tumat, aty pranë është vendosur kioska e Policisë së Kosovës të cilët i ruajnë ngrehinat serbe gjatë 24 orëve, ndërsa qasja e arkeologëve në monument të trashëgimisë arkeologjike është e pamundur.

Loading...
Loading...

Shiko poashtu

Kryeministri kanadez: Rusia nuk është e mirëpritur në G7

Kanada nuk e mbështet kthimin e Rusisë në Samitin e G7, , të propozuar nga …

Leave a Reply

Loading...