Procesi i krijimit të shteteve kombëtare në Gadishullin Ilirik ende nuk ka përfunduar, ne shqiptarët padyshim jemi rast konkret. Çështja koloniale e trojeve shqiptare duhet shtruar për zgjidhje në terësinë e saj, dhe kurrsesi të pranohen zgjidhje të pjesshme të cilat do ta rëndonin edhe më tej çështjen kombëtare. Në kohen, kur shqiptarët po rriten si popull, dhe po rrudhen si komb, paraqitja e një lëvizje kombëtare me shtrirje në të gjitha hapësirat e trojeve shqiptare, që si qëllim kryesor ka domosdoshmërinë e shtruarjes për zgjidhje të çështjes kombëtare shqiptare, me synim themelor që të bashkohet kombi i ndarë është projekt demokratik, stabilizues dhe evropianist.
Në këtë aspekt, është e pakuptimtë që shqiptarëve t’u imponohen kufijtë e vjetër ndarës, në kohen kur BE pretendon shuarjen e këtyre kufijve. Në Evropë bashkohen shtetet kombëtare, dhe jo popujtë e pushtuar. Evropa e Bashkuar nuk mund të realizohet duke u mohuar shqiptarëve të drejtën legjitime për shtet kombëtar, prandaj demagogjia e Bashkimit Evropian dhe partive politike shqiptare për një Evropë ku kufijtë ndërmjet shteteve do të shuhen, nuk është gjë tjetër veqse edhe një tendencë e dështuar, që si qëllim ka pjesëzimin e çështjes koloniale të trojeve shqiptare dhe kurrsesi zgjidhjen e drejtë të saj në terësi.
Shqipëria e Bashkuar, përtej të qenit ideali më i lartë i çdo shqiptari, njëherit si koncept paraqet edhe Shqipërinë e vërtetë me kufijtë e saj juridik dhe historik, që garanton stabilitet të përhershëm politik në rajon. Një Shqipëri e Bashkuar përveç korigjimit të padrejtësive historike ndaj shqiptarëve është edhe interes politiko-ekonomik për një të ardhme më të mirë për shqiptarët.
Tahir Veliu
Ideator i Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar dhe hartues i Platformës për Shqipëri të Bashkuar